Zgjedhjet: Fushatë prej pesë milionë eurosh?

Në Maqedoni ka ligje të mira për kontroll të parave të cilat partitë i shfrytëzojnë gjatë fushatës zgjedhore, por problematik është respektimi dhe implementimi i tyre. Kështu e komenton sistemin për kontroll të financimit të partive politike një pjesë e ekspertëve – çështje që para çdo procesi zgjedhor hap dilema dhe kontroverza, por është edhe një proces që mund të ketë pasoja serioze për liderët politikë.

Pas përfundimit të procesit zgjedhor, partitë e kanë për obligim që të japin llogari për atë se cilët qytetarë dhe firma dhe me sa para e kanë financuar fushatën e tyre zgjedhore. Por, sa këto raporte e paraqesin gjendjen reale?

Analisti Visar Ademi dyshon se shumat në Raportet për financimin e partive politike janë pasqyrë e matematikave të vërteta.

“Raportet të cilat i japin partitë, gjithsesi se nuk janë reale. Së pari, harxhimet reale janë shumë më të mëdha se sa ato që paraqiten, me ç’rast konsideroj se një pjesë e madhe e këtyre harxhimeve mbulohen jashtë sistemit, pas përfundimit të zgjedhjeve. E dyta, donacionet janë shumë më të mëdha, por ato asnjëherë nuk publikohen në tërësi, gjegjësisht nuk futen në sistem, por, në disa raste, kjo bëhet edhe me para të gatshme (kesh), ose pa mos i paguar fare shërbimet”– sqaron analisti Visar Ademi për “Portalb”-in.

Gjatë fushatës zgjedhore, sipas ligjeve, partitë financohen në dy mënyra. Pjesa e parë është financimi nëpërmjet buxhetit shtetëror. Sipas rregullave që i paraqet Kodi zgjedhor – financimi bazohet në dy gjëra: partia merr nga 15 denarë për çdo votë të kandidatit të zgjedhur në zgjedhje dhe në variantin e dytë, partia merr nga 15 denarë për çdo votë kur kandidati nuk është zgjedhur, por ka fituar së paku 1,5% të votave.

Mënyra e dytë e financimit të partive – janë donacionet e qytetarëve dhe të firmave. Sipas rregullave që i parashesh Kodi zgjedhor për këtë aspekt, qytetarët munden individualisht të dhurojnë më së shumtinga 500 euro, ndërsa donacioni i firmave nuk guxon të jetë më shumë se 5% e të ardhurave të pëgjithshme.

Paraqitja transparente e burimeve të financimit edhe për këto zgjedhje lokale do të jetë çështje për debat, theksojnë ekspertët.

“Unë mendoj se në vendin tonë ka ligje të mira, por problematik është implementimi, gjegjësisht zbatimi i tyre. Kodi ekzistues zgjedhor shumë mirë e rregullon financimin e partive politike, duke i përfshirë edhe zgjedhjet lokale. Kështu, ligji obligon që të gjitha të hyrat dhe të dalat që kanë të bëjnë me zgjedhjet, të bëhen vetëm nëpërmjet xhiro-llogarisë për transaksione që e ka partia. Për të pasur financim transparent, unë mendoj se, së pari, partitë dhe kandidatët duhet t’i publikojnë të gjitha donacionet dhe paratë që i harxhojnë për zgjedhje, ashtu siç bëjnë kompanitë të cilat janë të obliguara që nëpërmjet raporteve të tyre financiare të informojnë për të gjitha grantet, gjegjësisht donacionet.” – sqaron Ademi dhe shton:

“Unë mendoj se vetëm me publikimin e këtyre të dhënave financiare mund të presim një pasqyrë transparente dhe reale për atë se prej ku i marrin paratë partitë. Me rëndësi është se llogaritë komunale assesi nuk guxojnë të keqpërdoren për zgjedhje, gjegjësisht harxhimet e fushatës duhet të jenë në kurriz të partisë dhe të kandidatit, për shkak se çdo keqpërdorim i arkës komunale është vepër që dënohet me ligj” – thotë Ademi. 

Sipas përllogaritjeve, për këto zgjedhje lokale, një parti mund të harxhojë më së shumti 5 milionë euro, gjegjësisht për një votues nuk duhet të harxhohen më shumë se 180 denarë ose rreth 3 euro. Në këto zgjedhje, të drejtë vote kanë 1.743.403 qytetarë.

Pushteti lokal: Përkatësia partiake e kushtëzon financimin?

Një pjesë e komunave tashmë janë ballafaquar me probleme të financimit. Asocioacioni qytetar “Most” i ka regjistruar edhe parregullsitë e para që kanë të bëjnë me financimin e partive politike.  
“Komuna e Rankovcës nuk ka paraparë mjete për zgjedhjet në kuadër të buxhetit për vitin 2013, dy komuna kanë xhiro-llogari të bllokuar – Gradskoja dhe Pllasnica, ndërsa KKZ-ja në Sveti Nikollë akoma nuk ka h?pur xhiro-llogari. Poashtu, ka edhe KKZ të tjera që akoma nuk kanë marrë mjete në xhiro-llogaritë e tyre, KKZ me shuma pjesërisht të transferuara në xhiro-llogaritë e tyre, si dhe një KKZ, të cilit, mjetet e parapara nga komuna nuk i mjaftojnë për realizimin e aktiviteteve të saj, e ajo është komuna e Çashkës”, deklaroi drejtori ekzekutiv i MOST-it, Darko Aleksov.

Sipas Ademit, përkatësia partiake e kryetarit të komunës shpesh herë e kushtëzon financimin e komunës përkatëse.

“Në varësi nga përkatësia partiake e kryetarit të ndonjë komune varet edhe se sa mjete do të harxhohen për zgjedhje. Kryetarëve të komunave nga garnitura në pushtet, VMRO-DPMNE dhe BDI, gjithsesi nëpërmjet transfereve nga ministritë e ndryshme, u mundësohet të harxhojnë më tepër para, e me këtë të jenë në pozitë më të mirë se kandidatë e tjerë. Nga ana tjetër, kryetarët e komunave të cilët mezi se ia dalin në skaj me mjetet që i kanë, financimin e aktiviteteve të tyre e bëjnë duke angazhuar kompani, të cilat në raste të caktuara financojnë jashtë sistemit, por shërbimi kompensohet pas fitores në zgjedhjet për kryetar komune, më shpesh duke ua ndarë atyre tenderët për investime lokale” – thotë Ademi. 

Përkundër mekanizmave të këtillë për financim, Kodi zgjedhor dhe rregullativa tjetër që e rregullon çështjen e financimit të partive politike, qartazi parasheh se çka është e ndaluar kur bëhet fjalë për para. Komunat nuk guxojnë të harxhojnë para nga arka komunale për promovime partiake. Poashtu, është e ndaluar edhe pranimi i parave nga kishat, xhamitë dhe bashkësitë e tjera fetare dhe religjioze, pastaj, nuk lejohen para nga institucione dhe qytetarë të huaj, por edhe nga kompani, ku kapit?li i huaj është dominant.

Ekspertët ftojnë dhe alarmojnë që pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, organet kompetente nuk duhet të kenë qasje selektive gjatë sanksionimit eventual të partive që nuk do t’i respektojnë ligjet.

Aneta Dodevska, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button