Dani Alves: Messi ka rënë moralisht

Në një intervistë për elmundo.es, Dani Alves është shprehur se Barcelona ka humbur urinë e mëparshme dhe ka shtuar se “Messi ka rënë moralisht në javët e fundit”. 

“Nuk kemi humbur magjinë tonë, por nuk jemi më të uritur në fushë. Nuk kemi dëshirën e mëparshme për të bërë presion kur kundërshtarët kanë topin. Po punojmë që ta rikthejmë urinë për fitore”, theksoi mbrojtësi i djathtë brazilian.

Në lidhje me Messin, yllin e skuadrës i cili në ndeshjen e parë ndaj Milanit dhe në dy Klasiket me Realin nuk shkëlqeu aspak, Alves deklaroi: “Nuk jam hipokrit dhe nuk jam mësuar t’i fsheh gjërat. Është e dukshme që në ndeshjet e fundit ka qenë i rënë moralisht. Nuk e di pse. Unë nuk jam askushi për ta pyetur. Nëse do ma thonte vetë, do e dija. Gjithsesi, Messi ka shumë personalitet dhe kur gabon, kërkon me çdo kusht të korrigjohet.”

Ndërsa në një intervistë tjetër për uefa.com, braziliani shprehet se ka besim në “remuntadën” ndaj Milanit në Ligën e Kampioneve.

“Nëse luajmë në nivelin tonë të zakonshëm, kemi shumë mundësi për tu kualifikuar. Kemi lojtarë spektakolarë dhe deri në fund të 90 minutëshit do të luftojmë për fitoren që na duhet. Sfida si ajo ndaj Milanit janë për skuadra të mëdha. Të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Dani Alves.

Lajme të ngjashme

Back to top button