Rreziku i “bombës” sociale

Maqedonia llogaritet si një nga vendet në rajon me rroga më të ulta të të punësuarve, bën të ditur studimi i Eurostat. Por, me sa duket kjo sirenë alarmi është kapërcyer me heshtje nga qeveria dhe opozita, nga shoqatat dhe nga shoqëria civile. Nuk e di se çfarë duhet të ndodhë me shumë që nervi reagues i shoqërisë të jetë i zëshëm. 

Mungesa e reagimit megjithëse është komplekse e ka përgjigjen brenda. Si duket ne jemi konformistë, duam ta kemi mirë më të gjithë edhe me ata që të thumbojnë të heshtim edhe me ata që të pickojnë të flasim. Të dyja palët me konotacione politike kanë një gjë të përbashkët, si të heshtësh, po ashtu edhe të reagosh e gjitha duhet të jetë në shërbim të politikës dhe jo në funksion të përmirësimit të statusit social dhe shoqëror të një populli. 

Për ta vazhduar logjikën nëse hesht duhet të pajtohesh me realitetin e hidhur duke vajtuar gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale dhe duke u ngushëlluar me konformizmin për hir të X, apo Y. Nëse reagon duhet të marrësh parasysh edhe pasojat, dikush të hidhet në fyt e dikush tjetër të hakmerret insitucionalisht e politikisht duke të ta hequr edhe bukën e gojës. Ky është fakt, nuk ndodh vetëm tek ne në Maqedoni, por edhe në vende të tjera të varfra ekonomikisht dhe të kapura politikisht. 

Megjithatë gjendja sociale dhe ekonomike është tmerruese, qytetarët luftojnë për të siguruar kafshatën e gojës. Në rrethana të tilla është e kotë që të ndërmarrin nisma promovuese për koncerte e filma, për teatro e muzikë simfonike. Qytetari ynë është në kërkim të një punë për të siguruar fletoren dhe lapsin, çantën dhe një palë këpucë për fëmijën e vet. Qytetari ynë lufton përditë që të sigurojë pak të holla që të shërojë fëmijët e tij në spital. Qytetari, është në kërkim të punës që të mbajë gjallë shpirtin e familjes së tij. 

Pensionistët janë ne hall se nuk sigurojnë as kafene e mëngjesit dhe një grusht ilaçesh. Të rinjtë tanë nuk kanë perspektivë dhe të ardhme dhe disa prej tyre i janë futur veseve vetëshkatërruese. Kjo gjendje e ka një shkak, papunësi, mungesë investim, përkujdesje sociale, mungesë perspektive për të ardhmen. Këtë nuk po e them unë, por mjafton të lexosh studimin me të fundit të Eurostat për të kuptuar realitetin e hidhur. Kështu nuk mund të vazhdohet, një shtet me lugën bosh nuk mundet të harxhojë miliardat e taksapaguesve që në emër të paranojës të ndërtoje buste pa lidhje. Një popull dhe një komb ecin i sigurtë kur është i shëndoshë ekonomikisht, kur është i arrirë kulturalisht, kur ka një standard te kënaqshëm social, kur shoqëria nuk ballafaqohet me problem ekzistenciale. Nëse nuk ndërmerren masa konkrete dhe serioze për të parandaluar rrënimin ekonomik, rreziku i “bombës” sociale është evident.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button