Monstra: vrasësi është vozitur me veturën Opel, avokati thekson: dëshmitë me mangësi

Në ulësen e pasme të “Opel omega” ka qenë i ulur i akuzuari për vrasjen e pesfishtë dhe terrorizëm, Alil Demiri. Kështu thanë sot ekspertët të cilët kanë kryer analizat e ADN-së së gjurmëve biologjike të gjetura në veturë dhe në vendin e vrasjes.

Edhe sot në Gjykatën penale në Shkup ka vazhduar faza e publikimit të dëshmive për rastin “Monstra”. Sipas dëshmive të prezantuara, nga materiali që është gjetur në veturë, 99,9 % e qelizave janë të ngjashme me ato të Alil Demirit. Sipas po të njëjtit ekspert, janë gjetur edhe gjurmë të tjera në pjesët e tjera të veturës por nuk kanë qenë të Demirit.

Nga ana tjetër , avokati Naser Raufi akuzon se analizat e prezantuara kanë shumë mangësi dhe nuk mund të vërtetojnë fajësinë e të akuzuarve. 

“Ajo çka është shumë e rëndësishme dhe kruciale sipas meje është fakti se ekspertët nuk e kanë analizuar fare tokën ku është gjetur vetura në Vrazhivir, por ashtu si e pamë të gjithë ekspertët dhanë një diapazon të analizës në mënyrë të gjerë ku thuhej që nga 10 llojet e përbërjes së tokave vetëm njëra tregon që ndoshta pluhuri i analizuar në gomat e veturës “Opel omega” mund të kishte qenë i njëjtë me tokën në afërsi të Liqenit të Smillkovës” ka thënë Raufi.

Sot u prezantuan edhe analizat e tjera, dhe sipas tyre, vrasja është bërë nga një pistoletë dhe dy kallashnikovë. Arma me të cilën është kryer vrasja nuk është gjetur.

Është vërtetuar se ndaj tre viktimave është shtënë nga prapa, kurse dy të tjerëve prej përpara, në pjesën e barkut, kurse sipas analizave laboratorike ndaj këtyre viktimave është shtënë nga afër. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button