SHBA kërcënon Shqipërinë, ndaluni ose do ju dënojmë publikisht

Një dokument, pjesë e shkëmbimeve zyrtare midis Uashingtonit dhe Tiranës, një memo konfidenciale, por jo sekrete, iu adresua Shqipërise pak ditë më parë. 

Dokumenti, të cilën ambasada amerikane në Tiranë dhe Ministria e Jashtme refuzuan ta komentojnë, u la mbi tryezën e ministrit të Jashtëm, në datën 28 janar dhe u arrit të sigurohej pas një investigimi disa-ditor të gazetarëve të “Top-Channel”, duke u transmetuar ekskluzivisht në “Top-Story”, emisionin e përjavshëm politik të drejtuar nga Sokol Balla.

Dokumenti në fjalë, i cili mban disa pjesë të censuruara, në lidhje me zhvillime delikate në vende të tjera të rajonit, është prova më e qartë e shqetësimit amerikan për retorikën nacionaliste dhe spostimin e vëmendjes nga problemet kryesore të vendit.

Shqetesimi për retorikat e nacionalizmit nga Uashingtoni duket se lidhen jo vetëm me këto deklarata, të cilat edhe Departamenti i Shtetit i vlerëson si kryesisht me qëllime elektorale, por me pasojat dramatike që mund të sjellin rrjedhoja dhe të cënojnë stabilitetin në rajon.

Me amerikanët, është gjithmonë keshtu, njëra palë e politikës shpreh gjithmonë pakënaqësi pasi mbështet anën tjetër, por ne mbetemi një popull thellësisht pro-amerikan, çka do të thotë se ata janë mirë me shqiptaret dhe zakonisht, çfarë është mirë për amerikanet, ka qenë edhe me ne. 

Por, çfare pasojash mund të ketë sidomos tani, kjo memo e zbardhur pjesërisht nga “TCH”, a përbën ky shqetesim zyrtar një spostim të interesit dhe vëmendjes se SHBA-së drejt Shqipërisë dhe kujt i adresohet ajo?

Për të gjitha këto, Sokol Balla solli në studion e tij një panel të shquar ekspertësh, duke nisur nga ish-kryeministri dhe deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko. Artan Hoxha, analist dhe drejtues i “Tirana Business University”, Lisian Bashkurti, sekretari i marrëdhënieve të jashtme të Aleancës Kuqezi, sekretari politik i FRD-së, Afrim Krasniqi dhe analisti i mirënjohur, Shpëtim Nazarko.

TEKSTI I MEMOS QE AMBASADA AMERIKANE I DOREZOI MINISTRISE SE JASHTME SHQIPTARE
(teksti përmban vetëm pjesët konfidenciale të zbardhura nga Sokol Balla në “Top Story”)

“Ne jemi tejet të zhgënjyer dhe të shqetësuar se liderët shqiptarë po i largohen rolit tradicional konstruktiv që Shqipëria ka luajtur në rajon.

Deklaratat e fundit publike të bëra nga politikanët shqiptarë kanë kapërcyer vijën e diskutimeve të përgjegjshme, në atë të retorikës kundërproduktive dhe potencialisht të rrezikshme. Këto deklarata jo vetëm nxisin sjellje gjaknxehta dhe tërheqin vëmendjen nga përparësitë e vërteta të rajonit, por gjithashtu potencialisht nxisin dhunën, gërryejnë paqen dhe stabilitetin dhe ndikojnë në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara…duke përdorur mesazhe negative etnike për qëllime politike, është destabilizuese dhe kundërprodhuese.

Përdorimi i mesazheve etnike negative për qëllime politike duhet të ndalojë tani! Zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk janë justifikim për retorikë të papërgjegjshme.

Ne i bëjme thirrje politikanëve shqiptarë dhe liderëve politikë të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe të mos futen në punët e brendshme të Serbisë. Përkundrazi, fokusohuni në përparësitë e popullit shqiptar në Shqipëri: zgjedhje të lira dhe të ndershme, integrimi me Bashkimin Europian, mundësi të përmiresuara ekonomike etj.

Shqipëria mund dhe duhet të jetë një fqinj i përgjegjshem dhe bashkëpunues, por politikanët e saj duhet fillimisht t’i rrinë larg tentacionit për të luajtur kartën nacionaliste. Nuk po beni një përshtypje të mirë, ndërsa përgatitemi për ardhjen në krye të Departamentit të Sekretarit të ri të Shtetit.

Mos na bëni t’ju dënojmë publikisht!”  /BotaSot

Lajme të ngjashme

Back to top button