Arta Dobroshi fiton çmimin “Shooting Stars” në Berlinale

Aktorja kosovare Arta Dobroshi është radhitur mes 10 aktorëve më të mirë të rinj në Evropë në kuadër të ndarjes së çmimit “Shooting Stars”.

Arta është aktorja e parë nga Kosova që merr çmimin “Shooting Stars” për aktorët e rinj më të mirë në Evropë që e ndanë “European Film Promotion”.

Aktorja kosovare është vlerësuar shumë për rolin e saj në filmin “Tri botët”. “Në filmin ‘Tri botët’ aktorja tregon pasuri, ngrohtësi dhe humanitet. Ndjeshmëria dhe zgjuarsia e saj zapton ekranin e madh që në minutën e parë që ajo duket. Një performancë e pakalueshme”, ka thënë regjisorja Jasmina Zhbaniq, teksa ka prezantuar aktoren kosovare. Ky gjithashtu ka qenë edhe arsyetimi i jurisë, mbi të cilin janë bazuar, kur kanë zgjedhur Dobroshin në listën e aktoreve të reja më të mira në Evropë.

Përpara se të nisë ceremonia e dhënies së çmimeve është prezantuar edhe filmi “Before Midnight” nën regji të Richard Linklater. Yjet e filmit Ethan Hawke dhe Julie Delpy kanë qenë ata që kanë ecur nëpër qilimin e kuq. Por jo vetëm. Të dy këta aktorë janë përzgjedhur që të dorëzojnë çmimet, kolegëve të tyre të cilët kanë fituar “Shooting Star 2013”.

Përveç Arta Dobroshit, aktorët më të mirë të rinj të Evropës për vitin 2013 janë edhe Mikel Boe Folksgaard nga Danimarka, Laura Birn nga Finlanda, Christa Theret nga Franca, Saskia Rosendahl nga Gjermania, Luca Marinelli nga Italia, Ada Condeescu nga Rumania, Jure Henigman nga Sllovenia, Nermina Lukac nga Suedia dhe Carla Juri nga Zvicra.

Ndryshe, vitin e kaluar po të njëjtin çmim e fitoi edhe një aktor shqiptar, ishte ai Nik Xhelilaj për rolin e tij në filmin “Shqiptari”.

Revista “Glamour” ka përzgjedhur atë mes shtatë aktoreve të veshura më së miri, ndërsa votimi është i hapur.  

Përveç Artës, të nominuara janë edhe Charlize Theron,  Amanda Seyfried, Famke Janssen, Rooney Mara, Anne Hathaway dhe Jane Fonda.

Fustani i Artës, i cilësuar si pasim i trendit të Angelina Jolie, ëshë dizajnuar nga Krenare Rugova.

Linku për votim:
http://www.glamour.com/fashion/blogs/slaves-to-fashion/2013/02/red-carpet-roundup-vote-for-yo.html

Lajme të ngjashme

Back to top button