Pishman pasaportat e Berishës

Nuk kaluan as dy muaj nga premtimi i Kryeministrit shqiptar Sali Berisha për pasaporta për të gjithë shqiptarët, kudo që janë. Duke e arsyetuar pasaportën si e drejtë e secilit shqiptar që për arsye historike jeton në trojet jashtë mëmëdheut, premtimi në stilin berishian u dha hiq më pak se në sallën ku kishte kuvenduar Ismail Qemali para 100 viteve. Nëse një vendim kaq domethënës, tejet fisnik dhe i madh sipas simbolikës shuhet kaq shpejtë, atëherë çka duhet të presim nga premtimet tjera?  

Pas fjalëve të ëmbëla që zgjuan pak optimizëm dhe shumë eufori on-line, mbetet dilema nëse ky premtim është dhënë duke e ditur se megjithatë mund t’i dëmtojë raportet me Brukselin, ose është vetëm një rast tjetër i mosdijes në stilin “hajt, se e rregullojmë disi”.  

Qoftë injorancë ose manipulim, të humbur dolën shumë. Fillimisht shtetasit kosovarë që janë më të goditur nga getoizimi i vizave. Fatkeqësisht, ata që mbase e adhurojnë Kryeministrin Berisha më tepër se në zonat ku ai votohet, e kanë fatin po aq të mbrapshtë të dëshpërimit të shpejtë nga bekimi i shumëpritur i lëvizjes së lirë. Kjo në asnjë rast nuk e zvogëlon rolin e turbo-patriotëve tjerë që e imponojnë agjendën, që të vetmen mundësi të ekzistencës e kanë në momentet e ekstazës politike – aty rreth ditës së pavarësisë shqiptare dhe kosovare, si shoping-sezonë për promocion falas.  
 
Në përgjithësi, dukuria e adhurimit të Berishës jashtë kufijve shqiptarë meriton hulumtim prej disa aspekteve. I respektuar si burrështetas dhe me imunitetin që e sjell distanca gjeografike, është e lehtë  të jepet mbështetje në Facebook dhe qosheve të kafeneve. Ajo që ndryshoi me kalimin e viteve, është që edhe politikanët e Tiranës e mësuan leksionin e kolegëve të tyre këtej kufijve, që rregullisht nisen në pelegrinazh politik parazgjedhor, ku fotografitë e bëra kabineteve të Tiranës shfrytëzohen për licencë patriotike. Tani, jo vetëm që ky model po funksionon edhe anasjelltas, por ai madje është avancuar më tej nga ambasadorët e Shqipërisë në Shkup dhe Prishtinë, që garojnë për lokal-bajraktarizëm, në vend të promovimit të bashkëpunimit përtej favoritëve personalë të selive partiake. 

Duke mos e harruar as për një moment rolin historik dhe të arriturat e theksuara të Kryeministrit Berisha, është kohë e fundit që Kryetari i Partisë Demokratike t’i mbështesë premtimet me vepra konkrete. Pavarësisht kilometrave të ndërtuar të autostradës që e ndryshuan gjeografinë rajonale dhe për herë të parë krijuan lidhje të qëndrueshme brenda kombit, qëndron pezull çështja e largpërçuesit që do ta ulte ndjeshëm çmimin e energjisë elektrike në Kosovë. Ndërkohë që i presim efektet e premtimeve të shumëpërsëritura për lobim ndërkombëtar në favor të pavarësisë së Kosovës, mbetet fakti i mosrealizimit të premtimit për Portin e Shëngjinit si port kosovar.

Albanofobia, për të cilën Kryeministri Berisha foli në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, është po aq e përhapur dhe e rrezikshme, sa edhe loja me ndjenjat e shqiptarëve jashtë kufirit, që me kalimin e kohës po shndërrohen në instrument për plotësimin e boshllëkut të rezultateve të prekshme në zonat ku garon Berishës me konkurrentët e tij. Për më tepër, albanofobia nuk është ekskluzivitet vetëm i fqinjve dhe armiqve, por edhe i atyre që manipulojnë për instant profit politik. Fatkeqësisht, në këtë grup bën pjesë është edhe nisma e pasaportave, që në kombinim me të drejtën e votimit për Parlamentin shqiptar, mund të shkaktojë fërkime të natyrshme ndër-shqiptare. Pavarësisht atdhedashurisë, nuk ka asnjë arsye që votuesit në Shqipëri të rrezikohen nga shqiptarët jashtë kufijve që do ta kishin fituar të drejtën e votës.   

Për fund, fakti që vizitat e politikanëve shqiptarë tek njëri-tjetri nuk sjellin asnjë përfitim konkret për qytetarët, e ngrit pyetjen se çka diskutohet në takimet e shpesha, nëse jo për nisma që do ta përmirësojnë jetën e çdonjërit prej nesh. Natyrshëm, politikanët janë sofistikuar me kalimin e viteve në pushtet, por e njëjta ka ndodhur edhe me pritjet e votuesve. Një Kryeministër si Berisha nuk duhet ta keqkuptojë mbështetjen e sinqertë që ia japin shqiptarët përtej kufijve – ai përjetohet si i përzgjedhur pikërisht për arsyet e njohura historike, ku udhëheqësit e Shqipërisë gjeografike janë shikuar a priori si më të mirë dhe më të afërt se pushtetarët jugosllavë. Andaj, pritjet prej tij si Kryeministër janë dukshëm më të larta krahas politikanëve tjerë që nuk kanë mburrojë tjetër pos patriotizmit. Pas njëzetë viteve në kreun e shtetit shqiptar, do të jetë dështuese nëse Kryeministri Berisha kalon nga një lider i mbështetur me zemër, në thesin e atyre që manipulojnë shpirtëra për një votë më shumë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button