Kriza politike, ku janë shqiptarët?

Opinioni shqiptar si dhe partitë politike shqiptare janë vetëm spektatorë të zhvillimeve që ndodhin në vend, të krizës së krijuar politike si pasojë e ngjarjeve të dhunshme të 24 dhjetorit në Parlament. Pse shqiptarët janë lënë në ‘out’ apo kanë zgjedhur të qëndrojnë në ‘out’ flasin njohësit e zhvillimeve politike.

Sa i përket partive politike, analisti Albert Musliu thotë se shqiptarët u treguan neutral sa i përket ngjarjeve pas 24 dhjetorit dhe konform asaj sjelljeje janë dhe veprimet e faktorit ndërkombëtar të cilët përqendrohen në aktorët e krizës që janë LSDM dhe VMRO.

“Neutralitetin e tyre duhet ta shpjegojnë ata vetë ndërsa duhet ta theksoj se përpos përgjegjësisë për përparimin e komunitetit shqiptar në Maqedoni ato janë përgjegjëse edhe për zhvillimin e proceseve demokratike në vend. Këtë rol partitë shqiptare nuk e shfrytëzuan, shkaqet mund të jenë dhe objektive dhe subjektive. Mendoj se aktualisht dëgjojnë rekomandimet e faktorit ndërkombëtar mos të krijojnë tensione plotësuese” thotë për Portalb, Musliu.

Sipas tij, çdo neutralitet i faktorëve politikë kur kemi të bëjmë me prishjen e proceseve demokratike është i dëmshëm për gjithë banorët e saj sepse është e papranueshme që vendi të jetë shtet jo-demokratik.

Ndërkaq për opinioni shqiptar, profesori Mersel Bilalli në një kolumnë shkruan se shqiptarët janë indiferent sepse: nuk besojnë në krizën politike por mendojnë që ajo vjen si rezultat i marrëveshjes mes VMRO dhe LSDM në kohë kur duhet të zgjidhet çështja e emrit. 

“Një numër i madh i shqiptarëve janë të mendimit se kjo është një marrëveshje e fshehtë në mes shefit të opozitës dhe shefit të qeverisë. Me këtë Gruevski do të kishte alibi që të mos e thotë fjalën përfundimtare lidhur me emrin, duke u thirrur në situatën e ashpërsuar. Nga ana tjetër kjo shumë i nevojitet edhe Cërvenkovskit i cili në partinë e tij pat ndërtuar parim se kush humbë zgjedhjet ai tërhiqet” shkruan Bilalli. 

Ai është i mendimit se numër i madh i shqiptarëve nuk shohin asgjë të mirë dhe shpresëdhënëse, sa i përket aspektit zhvillimor të liderit të opozitës maqedonase Branko Cërvenkovski.

Nga ana tjetër, aktivistja e të drejtave të njeriut, Mirjana Najçevska në një emision në TV Alfa thotë se gjatë 20 viteve të fundit ne nuk e kemi zhvilluar konceptin e demokracisë dhe mendon se mos-reagimi i shqiptarëve deri më tani është normal.
 
“Një vend i cili është i ndarë etnikisht nuk mund të sigurojë kushte për respektim të demokracisë e ku më të drejtave të minoriteteve. Në Maqedoni gjithçka shkon me pazar politik mes dy etnitevete më të mëdha dhe kjo reflektohet edhe te populli, prandaj qytetarët nuk mund të kuptojnë se ajo që u ndodh u ndodh të gjithëve e jo vetëm një komuniteti” thotë Najçevska.

Të gjithë folësit pajtohen se indiferenca e një populli është e pritshme në një vend ku ekzistenca varet nga anëtarësimi në parti politike. /PortAlb

Lajme të ngjashme

Back to top button