LSDM: Rregullatori i mbron interesat e Qeverisë, jo qytetarëve

Opozita maqedonase edhe njëherë e përsëriti qëndrimin e marrë se do ti bojkotojë zgjedhjet lokale të marsit nëse nuk organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Qëndrimin e tillë nuk do ta ndryshojnë deri sa sipas tyre të gjenden fajtorët e dhunës ndaj tyre në parlament në dhjetor të vitit të kaluar.

Në protestën e sotshme para Komisionit Rregullator të Energjetikës, deputeti i LSDM-së, Jani Makraduli tha se në vend që KRE të mbrojë interesat e qytetarëve, ky institucion vendoset në shërbim të Qeverisë. Ai njashtu tha se liderin e VMRO-së, Nikola Gruevski e ka kapur paniku dhe gënjen se ka simpatitë e popullit. 

“Për fat të keq, manipulimet e tij nuk do t’i ndihmojnë t’i shmanget përgjegjësisë për krizën politike dhe ai do të jetë fajtori kryesor për gjithçka do të ndodhë para dhe pas 24 marsit”, tha deputeti i LDSM-së.

**************************************************************************************************
Opozita e bashkuar do të protestojë sot për 30 minuta para objektit të Komisionit rregullator për energjetikë.
Partitë opozitare informojnë se numri i qytetarëve që dalin në protestat e qeta është gjithnjë e më i madh, ndërsa qeveria është në panik gjithnjë e më të madh. 

Në protestën e djeshme në Manastir, deputeti i LSDM-së, Igor Ivanovski, ka thënë se më 24 dhjetor të vitit të kaluar, nuk janë rrahur deputetët, por se pushteti e ka rrahur popullin. 

“Këtë nuk e bënë për buxhetin. Ata nuk mërziten për buxhetin. Ata na dëbuan me forcë, sikur Kuvendi të ishte i prindërve të tyre, për t’i votuar kreditë me të cilat do t’i paguajnë provizionet e kompanive të tyre, të familjeve të tyre dhe t’i mbushin xhepat, ose siç thuhet, t’i ngarkojnë gomarët dhe samarët”, ka deklaruar Ivanovski.

Lajme të ngjashme

Back to top button