Thaçi: Pas zgjedhjeve do të kërkojmë parlament dydhomësh

Në takimin me banorët e Veleshtës së Strugës, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi ka thënë se pas zgjedhjeve lokale në Maqedoni, do të ketë menjëherë zgjedhje parlamentare dhe se PDSH-ja do të shënojë fitore bindëse. 

Siç njofton agjencia INA, gjatë takimit, Thaçi e shpalosi platformën politike të PDSH-së dhe tha se pas fitores në zgjedhje, partia e tij do të kërkojë parlament dydhomësh.

“Gjatë dhjetë viteve të qëndrimit të BDI-së në Qeveri, shumëçka është rrotulluar e rrokullisur, prandaj me 24 mars, do të përmbysim këtë garniturë, duke i delegjitimuar ata dhe duke e legjitimuar Platformën e PDSH-së në nivel lokal. Legjitimimi i Platformës tonë ka efekte jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Kosovë e Shqipëri, e gjithsesi edhe para ndërkombëtarëve. Nuk do të zgjasë shumë pas zgjedhjeve lokale, do të mbahen edhe ato të parakohshme parlamentare, dhe me fitoren e PDSH-së, do të kërkojmë Parlament dydhomësh”, theksoi kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, i shoqëruar nga kandidati për kryetar të Strugës, Zijadin Sela. 

Kandidati për Strugën Sela ka thënë se Struga në vend të një qyteti simbol i bukurisë dhe imazh për botën, është shëndërruar në kaos urbanistik. 

 “Jeni koshient se do të vijnë e tua kërkojnë votën duke ju dhënë përsëri premtime të rrejshme.  Por, para se tu premtojnë, pyetni se çka kanë realizuar nga premtimet e mëparshme. Janë kurdisur shumë procese të montuara politike gjyqësore, nëpër stadiume vazhdojnë të fyhen shqiptarët, theret nxënësi që është tentim për vrasje dhe askush nuk është arrestuar. Nga ana tjetër, infrastruktura është në gjendje katastrofale, ndërsa kryetari i komunës së Strugës ka harxhuar 300 mijë euro reprezentacion, për dallim nga ai i Ohrit që ka harxhuar vetëm 50 mijë. Po ku janë paratë që EVN-ja i paguan komunës nga 600 mijë euro në vit?”, ka theksuar Sela, duke shtuar se Veleshta dhe veleshtarët kanë qenë dhe janë bastion i PDSH-së. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button