Ku janë shqiptarët?

Në protestat e opozitës, shqiptarët qëndrojnë totalisht indiferent. Kjo bën që shumëkush të pyet se përse ndodhë një gjë e tillë. Nuk besoj se shqiptarëve kjo aspak nuk u intereson pasi i tangon kampusit maqedonas. Apo se shqiptarët verbësisht janë të dëgjueshëm ndaj partive të tyre politike, të cilat qartë se nuk i përkrahin këto manifestime të opozitës maqedonase. Vera e kaluar e dëshmojë se nuk bëhet fjalë për ndonjë dëgjueshmëri të madhe të shqiptarëve. Në fakt shqiptarët janë mësuar që zgjidhje për problemet e veta të lypin jashtë partive. Mendoj se një indiferencë e tillë bazohet në së paku tri mbështetje.

E para, shumëkush nga shqiptarët nuk mund të kuptojë përse mu në këte moment kur duheshte të zgjidhet çështja e emrit gjendja politike duheshte të dramatizohet në këso përmasash, kur kemi parasysh se në kontinuitet kjo qeveri ka prodhua havari të papara duke shkelur mbi dinjitete njerëzore, mbi ligje, mbi parime, duke i fryer nacionalizmit, duke forcuar krimin e organizuar, duke reketuar. Opozita gjithë kohës qëndronte e painteresuar në ambient salonesk apo nën hije të thellë. Nuk tregonte interesim t’i kundërvëhet nënshtrimit total të gjithçkahit që ekziston. E tani kur më së paku kishte nevojë ishte shumë e qartë se problemin e inskenoj opozita, kurse pushteti manifestoj brutalitet.

E dyta. Numër i madh i Shqiptarëve janë të mendimit se kjo është një marrëveshje e fshehtë në mes shefit të opozitës dhe shefit të qeverisë. Me këtë Gruevski do të kishte alibi që të mos e thotë fjalën përfundimtare lidhur me emrin, duke u thirrur në situatën e ashpërsuar. Sipas shumë informacioneve, çështja e emrit vetëm sa nuk është rrumbullaksuar, pasi Gruevski definitivisht s’ka rrugëdalje. Çdo rrugë tjetër për te përfundon në ferr. Nga ana tjetër kjo shumë i nevojitet edhe Crvenkovskit i cili në partinë e tij pat ndërtuar parim se kush humbë zgjedhjet ai tërhiqet. Kështu e pësuan Buçkovski dhe Sheqerinska, por kur zgjedhjet i humbi vet Crvenkovski, zgjedhje të cilat ai vet i pat lypur, çuditshëm ai i pat uruar Gruevskit fitoren (e cila ishte shumë e dyshimt). Ai nuk ofroi dorëheqje, por përkundrazi u lëvdua se ka shënua ,,proges,,!!!! Fakt është se poqese Crvenkovski do t’i humbte edhe këto zgjedhje të tanishme lokale, ate se shpëtonte as Zoti. Prandaj ai të gjitha veprimet i vu në favor të ruajtjes së pozitës së tij lideriste në partinë e vet. Tani ndër shqiptarët mbretëron bindja se një pazar i tillë bllokon procesin eurotintegrues, me çka shtyhet edhe zgjidhja e problemeve ekzistenciale të tyre.

E treta. Numër i madh i Shqiptarëve nuk shohin asgjë të mirë dhe shpresëdhënëse, sa i përket aspektit zhvillimor te Crvenkovski. Ai ishte në pozita kyçe shtetërore 11 vite aq sa edhe Gruevski, kurse Maqedonia mbetet i vetmi shtet në botë që nuk shënoi progres. Ecën përpara edhe Xhibuti, edhe Mauritanija edhe Angola, kurse vetëm Maqedonia jo. Pra, ky shtet 22 vite nuk arsyeton ekzistencën e vet dhe tentimi që gjendja të pësojë ndryshime pozitive me ndonjërin nga këto dy personalitete është më e largët se sa Dielli të lind nga ana e kundërt. Fakt është se për dallim na VMRO-ja e cila ndër Shqiptarët është e urrejtur, LSDM gëzon një simpati të caktuar, por me këso lokomotive të vjetërsuar ajo nuk mund të tërheq kompozicionin ekzistues. Ndër Shqiptarët ekziston bindja se ndryshime kadrovike në partinë më të madhe opozitare do të determinojnë edhe ndryshime ndër partitë shqiptare, ku shumëçka i ka ngjasuar asaj thënies për Kurton dhe Murtën. Këtu BDI me të gjitha lëshimet dhe dështimet vazhdon të jetë faktor dominant ndër Shqiptarët e Maqedonisë. PDSH sikur e ka mirë atë pozicion, kurse partitë tjera zhduken nga dheu.

Ndryshimet në LSDM janë aq të nevojshme sa edhe uji dhe ajri. Ato do të vazhdojnë si spirale në të gjitha partitë tjera. Asaj i duhet një shkëlqim dhe magji e re, e cila do të tërheqë masa të mëdha njerëzore, të cilët dekada me radhë janë zënë rob në një kullë të ëndrrave të rrejshme. Te partitë e këtushme është shterur kredibiliteti, pasi i vetmi segment që ka profitua ka qenë krimi i organizuar. Këtu ka njerëz që dinë se çka është zhvillimi, dinë çka janë eurointegrimet, dinë çka është sundim i së drejtës, se çka është kohezioni nacional. Por, duhet t’u jepet shansi. Kështu është mëkat i Zotit që njerëzit të mbahen peng i ambicieve personale të një grupi të vogël individësh që kanë aq xhepa të mëdha. Definitivisht duhet shkulur këte nëntokë, e cila ka bë që njeriu të mos ketë vlerë më të madhe se një fletushkë votimi.

Brengos fakti se me shkrime si ky, hasi në përkrahje të shumtë edhe ndër opozitarë, por vetëm në inboks. Pyes, kuptoj që frika të vjen nga maja e pushtetit, por përse edhe nga lidershipi i opozitës? Përgjigja është – frika që të mos i largojnë nga klubi partiak. Jeta këtu aq shumë është partizuar, sa që pa parti nuk jeni askushi, madje as njeri. Pa parti s’ka punë, s’ka ekzistencë, s’ka përparim, s’ka biznes. E kujt është përgjegjësia? Kush është alternativa. Mediume që nuk dallohen shumë nga ata të pushtetit? Ata i kemi; klasë biznesi e kriminalizuar? Edhe ate e kemi në shumicë; Etika? Ate e kanë asgjësuar; Partizimi në të gjitha poret? Eh kjo na e morri shpirtin. Qartë se me kështu lidershipi kemi ndërtuar opinion me defekte serioze. Gjithë kohë vajton kundër së keqes, kurse refuzon të mirën.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button