Greqia serish tallet me flamurin shqiptar

Greqia tallet sërish me flamurin shqiptar. Pas skandalit të vendosjes kokë poshtë të flamurit gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm Edmond Panariti në Athinë, këtë herë është vendosur flamuri i deformuar. Gjatë nënshkrimit të marrëvshjes mes Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë për gazsjellësin TAP, punonjësit e Ministrisë së Jashtme të Greqisë kanë dekoruar ambientin ku do të firmosej kjo marrëveshje, por duket se ata edhe këtë herë janë kujdesur që të tallen me flamurin kombëtar.

Pas krahëve të tre ministrave ishin vendosur me radhë flamujt grek, të Bashkimit Evopian, italian, azerbajxhanas dhe ai shqiptar. Ndonëse të gjithë flamujt e tjerë ishin të rregullt, Protokolli i Ministrisë së Jashtme greke kishte vendosur flamurin e deformuar të Shqipërisë. Prej muajsh në vendin tonë është debatuar gjatë lidhur me këtë model të flamurit, tek i cili gjuha e shqiponjës është zëvendësuar me një zgjatje të nofullës, duke e deformuar në këtë mënyrë simbolin kombëtar. Pas debateve të shumta në vend, një pjesë e madhe e këtyre flamujve janë bllokuar dhe tërhequr nga pikat e shitjes. Por duket se një gjë e tillë nuk ka ndodhur në zyrat e Athinës. Protokolli i Ministrisë së Jashtme, duket se është kujdesur që mos të përsëris skandalin e vendosjes me kokë poshtë të flamurit, por me qëllim ose jo, ka vendosur flamurin e deformuar. Ndërkaq ende nuk ka një reagim për këtë çështje nga Ministria e Ekonomisë e Shqipërisë dhe as nga Athina zyrtare, e cila për herë të dytë përdhos simbolet shqiptare.

Precedenti
Edhe pse vizita e 4 muajve më parë e ministrit Panariti në Athinë u komentua gjatë dhe u cilësua si një prej më të suksesshme për shkak të kërkesave për zgjidhjen e Çështjes Çame dhe shfuqizimin e Ligjit të Luftës mes dy shteteve, një incident i rëndë u shënua gjatë konferencës për shtyp të dy ministrave. Flamuri i vendosur pas krahëve të ministrit Panariti ishte kokë poshtë, duke ngjallur reagime të shumta në Tiranë.

Ndërkaq pas këtij incidentit, Greqia ka kërkuar ndjesë në mënyrë zyrtare. Sipas zyrës së shtypit e MPJ-së, ministri grek, Avramopulos i ka telefonuar ministrit Panariti, për t’i kërkuar ndjesë për incidentin protokollar. Avramopulos mësohet se ka shprehur keqardhjen lidhur me pakujdesinë për flamurin dhe siguroi ministrin Panariti se ngjarja nuk do të errësojë rezultatet e suksesshme të vizitës së tij në Athinë. Ministri grek i konfirmoi homologut shqiptar se ky nuk është vetëm qëndrimi i tij personal, por i gjithë opinionit publik grek. /Kombëtare

Lajme të ngjashme

Back to top button