Zgjedhjet lokale, matematika e PDSH-së

Historia e PDSH-së në dhjetëvjeçarin e kaluar ka qenë një dramë e vërtetë. Deri në zgjedhjet e vitit 2008, ajo gjithmonë zinte vendin e partisë së dytë më të madhe shqiptare, por pa arritur asnjëherë të tejkalojë BDI-në. Pas humbjes në zgjedhje në 2008, partia u përça thuajse në dysh, kur një pjesë e madhe e anëtarësisë lëshuan rradhët e saja për të formuar subjekt të ri politik, DR-në. Përçarja goditi rëndë partinë në zgjedhjet lokale të vitit 2009 dhe për pasojë ajo fitoi vetëm një komunë, atë të Tetovës. Për fatin e mirë të PDSH-së, kjo komunë njëkohësisht është komuna më e madhe shqiptare dhe duke u nisur nga kjo bazë e vetme, PDSH arriti të bëjë një “kthim nga të vdekurit”. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2011 ajo u rietablua si partia e dytë më e madhe shqiptare dhe si e tillë ju futet edhe zgjedhjeve të ardhshme lokale.
 
Por çka mund të pritet nga PDSH në këto zgjedhje lokale dhe çfarë rezultati i saj mund të konsiderohet i kënaqshëm, e cili dështim? Së pari duhet konstatuar se rikthimi i PDSH-së në 2011 ishte vetëm i pjesërishëm, sepse PDSH nuk arriti rezultatet e viteve 2006 ose 2008. Përderisa në ato vite PDSH rregullisht merrte afër 35% të votave shqiptare, rezultati nga 2011 i dha vetëm 28%. Një progres i madh kjo nga 19% e fituara në 2009, por megjithatë i pamjaftueshëm për të zhvendosur BDI-në nga vendi i parë. Një pjesë e problemit natyrisht ishte ekzistenca e mëtejme e DR-së, e cila sadokudo arriti të grumbullojë rreth 20.000 vota ose 8% të votave shqiptare, ndërsa pjesa tjetër ishte paraqitja e partisë së re, RDK, e cila morri afër 12% të votave totale shqiptare. Të dyja këto ja ngushtuan edhe më tej hapësirën PDSH-së për duel “tek a tek” me BDI-në.

Në këto zgjedhje PDSH-në e pret një situatë paksa më e ndryshme. Ajo nuk është më në pozitën inferiore ku gjendej në 2009, por nga ana tjetër terreni opozitar akoma nuk është i pastër, sepse aty ende gjendet RDK-ja që do të merr një pjesë të majme votash, e ndoshta edhe ndonjë komunë. Sidoqoftë, PDSH duhet të dëshmojë se ka rritur rejtingun e saj dhe të ngushtojë epërsinë e BDI-së nga zgjedhjet e kaluara. Një mënyrë e lehtë për t’a bërë këtë do të ishte fitorja ndaj BDI-së e matur me vota totale në nivel shteti, por as një humbje e ngushtë në këtë drejtim nuk do të ishte aq tragjike. Megjithatë, PDSH domosdo duhet të zvogëlojë dukshëm epërsinë e BDI-së prej 48.000 votash. Një shifër e pranueshme do të ishte për shembull humbje me 15.000 vota, duke patur parasysh se këtë do t’a shkaktonin votat e Kërçovës dhe votat për BDI-në në Maqedoninë lindore. Me kësi rezultati ajo do të kalonte në avantazh në disa komuna shqiptare, me çka do të dëshmonte se ka baza të shëndosha për garën e ardhshme parlamentare dhe do t’u jepte shpresa për fitore simpatizuesve të saj të lodhur nga ndejtja e stërgjatë në opozitë.

Nga ana tjetër nuk ka asnjë arsyetim për kryesinë e partisë pse PDSH mos të fitojë disa komuna që tani. Ajo mund dhe duhet të fitojë në komuna tjera, sepse fitorja vetëm në Tetovë më nuk mjafton. Fatkeqësia më e madhe e përçarjes së partisë në 2008 ishte karakteri gjeografik i saj. Formimi i DR-së dëmtoi fare pak PDSH-në në rajonin e Pollogut dhe deri diku në Strugë, ku partia arriti të qëndrojë në këmbë pa ndonjë problem më të madh. Por ajo ishte thuajse vdekjeprurës në rajonin e Shkupit dhe Kumanovës, ku PDSH ra nën 15% të votave shqiptare thuajse në të gjitha komunat e rajonit. Në 2011 partia u rikëndell deri diku, por megjithatë arriti vetëm shifra prej 20% deri 25% të votave shqiptare. Tani ajo duhet të kalojë shumë më mirë se kaq. Një parti që pretendon të fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk mund të sillet më si parti lokale, me bazë të fortë vetëm në një komunë.

Këto pak a shumë përbëjnë caqet tjera që duhet të arrijë PDSH-ja në zgjedhje: fitore në disa komuna, me miks të mirë gjeografik dhe rural-urban. Me fjalë të tjera ajo duhet të fitojë pesë a gjashtë komuna nga 16 komunat realisht shqiptare, të paktën një nga komunat urbane (Tetovë, Gostivar, Strugë, Çair, Dibër, Kërçovë), disa komuna rurale dhe të paktën nga një komunë nga secili rajon (Pollog, Strugë, Shkup-Kumanovë).

Por si mund PDSH të arrijë këto qëllime dhe ku i ka gjasat më të mira për fitore? Në kategorinë e komunave urbane ajo nuk do të garojë fare në Kërçovë, ndërsa në Çair dhe Gostivar gjasat realisht i ka minimale. Shansin e vet do t’a kërkojë përsëri në Tetovë, por situata i duket mirë edhe në Strugë. Me një rritje të vogël të rejtingut nga 2011, me rejtingun e kandidatit Zijadin Sela dhe me tërheqjen e një pjese substanciale të simpatizantëve të DR (siç është bartësi i listës së këshilltarëve), PDSH lehtë mund të kalojë në raundin e dytë dhe më tej të fitojë betejën kundrejt kandidatit maqedonas. Në njëfarë mënyre, një fitore në Strugë do të ishte edhe më e rëndësishme se fitorja në Tetovë, sepse me këtë PDSH do të dëshmonte se ka kapacitet të fitojë një komunë të madhe jashtë rajonit të Pollogut. Dueti eventual i fitoreve në Tetovë dhe Strugë do të ketë jehonë të madhe dhe do t’i japë partisë elan të madh në të ardhmen, por për momentin kjo duhet të konsiderohet si verzion tejet optimist.

Te komunat rurale PDSH duhet t’a ketë më lehtë. Ajo ka arritur të fitojë disa komuna të mëdha rurale të Pollogut, si Tearcën, Zhelinën dhe Bërvenicën, qysh në vitin 2011 dhe nuk duhet t’a ketë të rëndë të ripërsërisë rezultatin edhe në zgjedhjet lokale. Por për të qenë vërtetë parti e rangut nacional, PDSH duhet të fitojë edhe ndonjë komunë rurale jashtë Pollogut, sidomos në Shkup. Skenari më i volitshëm do të ishte fitorja në Saraj, bastion i dikurshëm i PDSH-së, ndërsa në mungesë të kësaj, vend tjetër ku PDSH ka gjasa të mira është Studeniçani. Sidoqoftë, rezultati duhet të shoqërohet edhe me rezultate të mira dhe numër të konsiderueshëm këshilltarësh në komunat tjera, pikë së pari në Likovë, Kumanovë, Haraqinë dhe Gazi Babë.
Këto pra janë kriteret që do të masin suksesin e PDSH-së në zgjedhje. Ajo duhet të mbledhë më tepër vota se BDI në total ose të paktën të ngushtojë dukshëm dallimin; ajo duhet të fitojë të paktën një komunë të madhe urbane, të fitojë disa komuna rurale dhe të fitojë disa komuna jashtë rajonit të Pollogut. Dështimi në cilindo prej këtyre kritereve do të shkaktojë një dëshpërim përfundimtar të anëtarësisë së partisë dhe do të tregojë se ajo nuk ka kapacitet të përballet me BDI-në as në zgjedhje parlamentare.

Për fund duhet cekur se specifika e zgjedhjeve lokale është rrethi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komunash. Në këtë rreth, shumëçka do të varet nga votuesit tjerë, pikë së pari të RDK-së dhe LSDM-së (pasi dihet se VMRO në rrethin e dytë do të përkrahë BDI-në). PDSH me të dy partitë pati koalicione në kohë të ndryshme, që pastaj i prishi. Për ironi, sot duket se mu këto dy parti e kanë fatin e mëtejmë të PDSH-së në duar dhe se partia ka gabuar shumë me prishjen e këtyre koalicioneve. Fjalën e fundit doemos do t’a thonë vetë votuesit në zgjedhje.

Të drejtat e publikimit në shqip i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button