Edhe kundërmon, edhe era i vjen

Kandidati për kryetar komune i Tetovës, Izet Zeqiri, asnjë votë nuk do të marrë prej meje. Mirë, ama, atij sot dhe këtu i takojnë një milion ‘pëlqime’ për zbulimin e skandalit të paparë, ose të parë ndërlidhazi me datën 24 dhjetor 2012: zbulimin e “kurdistanit” të deputetëve të VMRO-së, të krijimit të kuorumit si me qenë ata deputetë të BDI-së, të LSDM-së etj. (ndoshta edhe janë, ku ta dish!). Për këtë udhëheqësit të komisionit gjegjës, Aleksandar Nikollovski, as që i bëhet vonë, bile tregohet edhe mjaft i ashpër me deputetin akademik, kështu që për pak, fitohej përshtypja, sa s’e hodhi jashtë.

Aty ku, prej kohësh, është opozita e Brankos.

Duke qenë se gjithandej edhe kundërmon, edhe era i vjen, faktorit ndërkombëtar më ‘i plasi filmi’ dhe tha (ambasadori amerikan në Shkup Pol Volers): “Të gjitha palët e involvuara, partitë dhe individët, duhet të vlerësojnë se cili është interesi më i mirë për të ardhmen e Republikës së Maqedonisë dhe të ndërmarrin hapa për t’i ndihmuar vendit, në vend se këtë ta bëjnë individualisht për ndonjë parti a personalitet”.

Në datat 13 – 15 shkurt në Shkup do të qëndrojë raportuesi i BE-së Riçard Hovit, i cili veç më tha se “nuk do të jetë as gjykatës, as ndërmjetësues”. Thjesht, ka thënë ai, “dua të vë dialogun dhe procesin ta çojmë përpara”. Asambleja Parlamentare e KiE me 21 deputetë ka ngritur iniciativën që KiE të analizojë shkaqet e incidentit të dhjetorit, problemet që dolën prej tij në sferën e demokracisë dhe shkaqet pse tensionet dhe konfliktet nuk ishin zgjidhur në mënyrë demokratike.

Shkupa fryn në Shkup, po Acelendin s’e trazon dot: aty ca politikanë çirren dhe thonë se nuk lëvizin asnjë milimetër, qoftë edhe me Hitler a Çaushesku t’i krahasojnë 24/7/365.

Thua t’kenë t’bame? Kjo me deputetët maqedonas zor se është afër pohimit. Tjetër është vakia me deputetët shqiptarë.

Në përjashtim të deputetit zbilues (momentalisht zbulues).
Zoti na ndihmoftë!

Lajme të ngjashme

Back to top button