Të tretit, të ndërmjetit

“Gruevski e shiti Strugën, e shiti atë në mënyra të ndryshme…” është një pjesë e deklaratës të njërit prej deputetëve të opozitës, liderit të partisë PAE, Fijat Canoski për Strugën. Deklaratë kjo që meriton nënvizim dhe mund të shërbejë si hyrje për sqarime rreth faktorëve të tretë politikë në Maqedoni, krahas shqiptarëve dhe maqedonasve. Pasi të tretit, të ndërmjetit, janë të llojllojshëm në Maqedoni, do duhet të përqendrohemi vetëm në ato më të shumtët në numër e që janë: turqit, torbeshët dhe romët. 

Ndonëse ende nuk është mbajtur censusi i popullatës në Maqedoni, për këtë dhjetëvjetor, përqindja e këtyre etnive dhe përkatësive mendohet të jetë deri 10% e popullatës së përgjithshme. Një e dhënë kjo e nxjerrë nga përqindja e konfirmuar por asnjëherë e publikuar, e gjithsejtë 33% të qytetarëve me përkatësi fetare islame, në censusin e largët të vitit 2002. Nëse kësaj përqindje ia heqim përqindjen zyrtare të shqiptarëve prej 26% atëherë 6-10% mund të shërbejë si një e dhënë e përafërt. Sigurisht që një analizë e saktë politike nuk mund të bëhet me kësi të dhëna të përafërta por në një kësi skene politike si kjo e tanishmja, pa census të etnive dhe konsensus rreth përkatësive, ky është i vetmi numër që mund të kemi.
Deklarata e z.Canoskit është indikative për shumëçka, por ajo kryesisht është drejtuar për sqarim të maqedonasve se pse ai, dhe me te edhe ato (maqedonasit) e “humbën” Strugën edhe në zgjedhjet e kaluara lokale, të mbajtura në vitin 2009. Vit, kur ky i njëjti humbi nga kandidati i BDI-së, z. Ramiz Merko. Fjalë këto, që ndër shqiptarë, kryesisht, u kuptuan si dëshmi eklatante se torbeshët vazhdojnë të mbahen me shtetin edhe kur si ky, një nga deputetët, në mënyrë kundërkushtetuese të përzënë, rishtazi nga parlamenti, nuk janë me pushtetin. Me këtë vazhdon perceptimi gjeneral i shqiptarëve për këto bashkësi të treta se ata janë me sistemin edhe kur i njëjti çalon ose bile është i padrejtë edhe ndaj atyre si kolektivitet dhe ndaj të gjithëve si qytetarë dhe taksapagues.

Por një gjeneralizim i këtillë, në tërësi, për këto bashkësi etnike në Maqedoni, është i padrejtë. Kjo pasi këtë perceptim e argumentojnë kryesisht përfaqësuesit e vetëshpallur politik të këtyre bashkësive. Kurse ata, në parim janë rrallë legjitim, pasi rrallë edhe marrin pjesë në zgjedhje si të veçantë, por kryesisht duke qenë të bashkangjitur me ndonjërin nga koalicionet maqedonase. Të shtyrë edhe nga ky jolegjitimitet, mandej të njëjtit këta përfaqësues politik, shohin se si, sa më shumë, ata vet ti “ngjizen” shtetit. Ashtu ata i vardisen dhe mbrojnë shtetin, jo vetëm nga dhe kundrejt shqiptarëve, por shpesh edhe kundër të vetëve; pjesëtarëve të bashkësive etnike të cilat mëtojnë se i përfaqësojnë. Ashtu që bashkësitë e tyre, gati gjithmonë, janë politikisht më “shqiptarë”, shumë më shumë, se këto përfaqësuesit e tyre. Dëshmi për këtë është edhe fshati Oktisi, fshati i origjinës i këtij deputeti. Fshat ky, i cili ndonëse është tërësisht i populluar me torbeshë, në të ka shumë të deklaruar si shqiptarë dhe bile ekzistojnë degë funksionale dhe që sjellin shumë vota partive politike shqiptare.

Duke ditur për transferet e përkatësisë etniko-politike të turqve dhe torbeshëve dhe rëndësisë së deklarimit të tyre të saktë në census, por edhe votës së tyre në zgjedhjet lokale, për shumë komuna ku janë vendimtarë në garën mes shqiptarëve dhe maqedonasve, faktori politik shqiptar do duhej seriozisht të merrej me këto bashkësi etnike. Sidomos me turqit, torbeshët, romët dhe boshnjakët por edhe të kenë sens edhe dije edhe për serbët, bullgarët dhe vllehët. 
Sigurisht që kjo, marrje me të tretit, do vinte pasi të ishin kryer punët dhe përfaqësimi shqiptar dhe në një kohë kur faktori politik shqiptar do kishte prezencë dhe forcë politike stabile edhe në institucionet shtetërore në nivel qendror. Gjë kjo që mbetet të bëhet në të ardhmen sikur që na mbetet neve ende të analizojmë mbi mundësitë dhe tendencat e përfaqësimit politik të bashkësive të treta në Maqedoni.
 
Deri në atë ditë na mbetet të konstatojmë se ajo që është bërë deri më tani, kanë qenë vetëm ca pazare dhe ujdi të përkohshme politike, e që më së shumti kanë rezultuar në klub futbolli dhe pompë benzini (Çair dhe Pllasnicë).

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button