Një tellall për Ali Ahmetin

Aktori Vllado Jovanovski, kaubojsi i reklamave qeveritare, në rolin e tellallit na tha se Kocja e synon edhe një mandat në Shkup dhe se dëshirë e tij (hiq aktrimin!) është që ai të fitojë. 

Në Kuvend, ndërkaq, me katër këmbë ka hyrë propozimi që deputetëve t’u shkurtohet fjala nëpër komisione dhe ai javën që vjen mund të zërë vend në rendin e ditës të këtij legjislacioni. 

Koordinatori i Grupit parlamentar të BDI-së, Talat Xhaferri, kishte deklaruar se “ideja për ndryshimin e Rregullores nuk është kontestuese, por kjo duhet të bëhet me konsensus të përgjithshëm”.

O Zot, çfarë është ky maskarallëk?!

Është pikërisht ideja se përse dëshirohet të bëhet ky ndryshim ajo që duhet t’i çojë këta deputetë (pra, jo vetëm të BDI-së) që një propozim të tillë ta kundërshtojnë dhe ta hedhin poshtë si të papranueshëm. Kur t’i shtosh kësaj “analizën” e ish-Abazit, pas takimit me ambasadorin e Kosovës në Shkup, për rolin opozitar të LSDM-së nga 24 dhjetori i vitit të kaluar e këndej, thua: po një tellall për Ali Ahmetin, por a mjafton një se!

“Aktorët” shqiptarë së pari do t’i kishin bërë këtë pyetje: Edhe juve, edhe Menduh Thaçit kryeministri Nikolla Gruevski jua tha nga një fjalë në vesh, por ju nuk po tregoni hiç. Hajde, loçkamanët tanë, na tregoni njëherë se ç’është ai llaf? Për shkak se haiku-deputeti, koordinatori i koordinatorëve, veç më e ka pranuar propozimin tejet rigjid, tejet antidemokratik dhe tejet antinjerëzor për shkurtimin e debateve në komisionet parlamentare vetëm e vetëm që ta nxjerrin atë biçim-ligji për të ashtuquajturit mbrojtarë (branitellat) maqedonas, festimin e të cilit duan ta bëjnë në pranverë duke e sjellë dhe Johanin nga Haga.

Tani Ali Ahmeti nuk e ka mbi kokë, si shpatë të Damokleut, eglendisjen e katër lëndëve të Hagës. Po, atëherë, çka e frikëson atë që ta bëjë edhe kufizimin komisionar? Ndërlidhja e vetme tani mund të kërkohet me Postat e Maqedonisë, ku në rolin e drejtorit u gjend specia e vetme komandare. Kjo firmë publike që prej vitit 2005 është me precedente të ndryshme. Tani, po të kushtëzohet Ali Ahmeti me (mos) burgosjen e drejtorit Rafiz Aliti për djegien që u bë aty në fillim të këtij viti, del se struktura komitare kurrgjë nuk ia lë rastësisë dhe zjarrin ta ketë vënë vetë atje, vetëm e vetëm që prej tij të përfitojë politikisht. 

E, kush do ta thoshte se kjo është kështu? Tellalli shqiptar? Zor se e gjen kund, për shkak se të dy këmbët e tij kanë hyrë në një opingë komite dhe e kanë zor të dalin që andej.

Po, ta marrin honorar Vllado Jovanovskin? 
Boll mirë, atje te qoftë!

Ah Koce, Koce, si na e qite gjumin…paska pasur zgjedhje lokale. Po ç’janë këta krushq të ngrirë, një i vjetër (Ali Ahmeti) dhe një, kushtimisht, i ri (Menduh Thaçi)?! 

Hajt se disa punë i marrim vesh nga Lala Kos (Lalakos quhej ambasadori i Athinës në Shkup?).

Fol, tellall.

Lajme të ngjashme

Back to top button