Pse dështojnë shtetet?

Mes elementeve të shumta të përbashkëta në Ballkan, që shkojnë përtej kufijve etnikë dhe sociale, padyshim që radhitet edhe ekspertiza që secili pohon ta ketë në fusha të ndryshme – nga sporti deri te ekonomia dhe gjeostrategjia, pa i përjashtuar as teoritë e adhuruara konspirative që ofrojnë mbulesë të mirë të mosdijes. Me tepricën e kohës që është një veçori tjetër e përbashkët, shumë biseda fokusohen pikërisht tek gjendja aktuale dhe arsyet e mjerimit të thelluar, që duket se do të zgjasë përtej optimizmit tradicional dhe gajret-formulës se pa u bërë keq, nuk bëhet mirë.
 
Është jashtëzakonisht e vështirë që në bisedat e këtilla të drejtohet gishti drejt vetes dhe të identifikohen dështimet dhe dobësitë, për fajin që e kemi ne vetë për gjendjen momentale. Duket shumë më lehtë të fajësohen tjerët ose rrethanat historike. Perandoria osmane na la pesë shekuj mbrapa. I ka fajet komunizmi, thonë tjerët. Krejt do të kishte qenë shkëlqyeshëm, po të kishim qenë në një fqinjësi më të mirë, vjen argumenti tjetër. Nuk ka dyshim që ka shumë faktorë që kanë qenë më të fuqishëm se ne, por kjo nuk na amniston nga pyetja se çka kemi bërë ne që të jetë më mirë?
 
Libri “Why Nations Fail” nga Daron Acemoglu dhe James A. Robinson, titulli i të cilit është huazuar për këtë shkrimi, jep përgjigje mjaft interesante ndaj pyetjes se pse disa vende në botë janë më të zhvilluara, ndërsa tjerat jo. Në bazë të hulumtimit pesëmbëdhjetëvjeçar dhe duke trajtuar periudha të ndryshme historike, që nga civilizimi i majave, perandoria romake dhe mbretëritë angleze, deri tek Bashkimi Sovjetik dhe Kina sot, autorët nxjerrin disa përfundime që gjithsesi se vlejnë edhe për ne.
 
Faktori kryesor pse disa vende janë më të zhvilluara krahas tjerave, qëndron tek institucionet. Këtu nuk nënkuptohen vetëm institucionet si që i njohim tani, por edhe odat e burrave dhe rregullimi i fiseve mund të shihet si një formë e organizimit të hershëm. Natyrshëm, në periudhën aktuale, ekzistimi i institucioneve të mirëfillta dhe të bazuara në ligj është parakusht për mbijetesën e shtetit.
 
Është pikërisht aftësia institucionale e përfshirjes, ajo që e përcakton suksesin e shtetit, thonë autorët. Kështu, nëse institucionet arrijnë ta shtrijnë përfshirjen e tyre, ta ndajnë pushtetin dhe pasurinë me vartësit, ai shtet ka parakushte për zhvillim të mëtejshëm. Në të kundërtën, nëse pushteti dhe pasuria mbeten pronë e vetëm një grupi të kufizuar – shteti dështon herët a vonë, pa dallim forcës dhe pasurisë, meqë grupet që janë jashtë patronazhit shtetëror do ta rrënojnë sistemin në kërkim të hises së tyre. Për më tepër, përfundohet që nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa institucione funksionale politike, që bazohen në drejtësi dhe ligj, duke e garantuar pronësinë dhe barazinë e të gjithëve.   
 
Aplikimi i kësaj teorie në rrethanat tona, qofshin ato të Maqedonisë apo shteteve të fqinjësisë, jep vetëm një përfundim – dështimi jonë është i paevitueshëm, si rezultat i institucioneve të dobëta dhe pasurisë që kontrollohet vetëm nga disa qarqe. Në komunikimin e rëndomë, kjo pasqyrohet me pyetjen retorike se a ka shtet, ose me konstatimin intuitiv se ky nuk është shtet dhe nuk mund të bëhet i tillë, me shpresë se një ditë do të bëhet shteti sagllam, ashtu si që e paramendojmë ne.  
Në fakt, shteti nuk dështon vetëm atëherë kur dikush e pushton atë, kur pushon së ekzistuari si rasti i ish-Jugosllavinë ose gjatë shpërbërjes, si që ndodhi me Perandorinë Osmane. Humbja e popullatës përmes largimit, shkaku i pasurisë së pronësuar nga grupet partiako-klanore, rënia e cilësisë së jetës për arsye të ekonomisë së dobët, si dhe ulja e konkurrencës si pasojë e arsimit dhe shëndetësisë katastrofale janë gjithashtu shenja të dështimit. Ngadalë por sigurt, shteti shndërrohet në një lëshues të dokumenteve dhe organizues zgjedhjesh, ku nuk ndryshon asgjë përveç pronarëve momentalë.  
 
Si një vend i ri, me demokraci në krijim e sipër dhe me pafund difekte, duhet ditur që në histori ka pasur shumë shtete ku gabimet e rreshtuara i kanë drejtuar ato drejt historisë dhe jo ardhmërisë. Meqë jemi afër zgjedhjeve, ia vlen të mendohet mirë për këtë. Shikoni fytyrat dhe kandidatët që ju ofrohen, lexoni biografitë e tyre nëse i kanë. Aftësitë e tyre dhe dituria reale – jo diplomat false dhe bindja se është djalë apo vajzë e mirë – e tregon më së miri sa afër e kemi momentin e dështimit tonë.  

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button