Starova: Të dalim nga izolimi përmes vlerave tona (Intervistë)

Luan Starova, autori i shumë veprave letrare, është një ndër  shkrimtarët shqiptarë më të përkthyer në botë. Romani ‘Koha e dhive’ është botuar në mbi 15 gjuhë, dhe para disa kohe romani ‘Librat e babait’ u botua në anglisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pritet se shpejti të botohet në anglisht romani i tij i tretë ‘Rruga e ngjalave’ si pjesë e sagës ballkanike prej 12 vëllimeve, që nga kritika letrare franceze është vlerësuar si ndër romanet më të mira në Evropën e sotme. Ekskluzivisht për PortAlb shkrimtari Starova flet më shumë për jetën e tij.

Intervistoi: Elida Zylbeari

PORTALB: Gati në të gjitha botimet e veprave tuaja në Evropë dhe botë, pranë emrit tuaj vihet, krahas datëlindjes, Pogradeci, vendlindja juaj. Ky moment dhe fati juaj të jeni në azil që prej fëmijërisë paevitueshëm kanë ndikuar në krijimin e veprës tuaj letrare, sidomos ne sagën ballkanike. Sa është prezent ky fenomen në veprën tuaj letrare?

L.STAROVA:  Unë, kisha thënë se një fati i tillë në rastin tim ka katarzuar në metaforë të jetës time si krijues. Jeta ime ka qenë mjaftë komplekse dhe e ndërlikuar, është zhvilluar ndër kufi, gjuhë, fate. Ndoshta më mbetej e vetmja mundësi e mundshme nëpërmjet artit letrar të realizoj një farë kthimi prej egzilit, në gjirin e gjuhës nënore. Krenohem se nëpërmjet letërsisë iu ktheva vendlindjes përgjithmonë, sidomos kur u shpalla dhe si qytetar nderi i Pogradecit, vendlindja e kolosëve të letërsisë shqipe Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli.
  
PORTALB: Keni qenë profesor ordinar i letërsisë frënge pranë Fakultetit filologjik në Shkup, keni qenë shef i katedrës të romanistikës, afër dhjetë vite keni qenë edhe profesor pranë katedrës se gjuhës dhe letërsisë frënge pranë Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë. Na flitni pak për këtë përvojë?

L.STAROVA:  Pas mbarimit të gjimnazit kam filluar të punoj si gazetar (gati 12 vjet). Mendoj se gazetari duhet të zotërojë gjuhë botërore, ashtu që kreva studimet e gjuhës dhe letërsisë frënge, mandej magjistrova dhe doktorova ne Zagreb, dhe specializova letërsinë moderne frënge në Sorbonën e Parisit. Jeta ime ka vazhduar të zhvillohet nëpërmjet paradokseve. Ne Zagreb dhe Paris “zbulova” Faik Konicën, që për mua ishte Universiteti i ri – i gjuhës, kulturës dhe civilizimit shqiptar. “Romanistika” e ime vazhdoi në gjurmimet mbi raportet e Gijom Apolinerit dhe Faik Konicës. Rezultati i kësaj pune ishte vepra “Faik Konica – Gijom Apolineri: një miqësi evropiane” botuar frëngjisht në Paris dhe shqip në Tiranë. Ismail Kadare ka shkruar parathënien e versionit shqip. Dhe për Kadarenë si për gjithë shqiptarët, vepra e Konicës mbetet si burim i pashtershëm i ideve. Unë për Konicën akoma si kam shkruar fjalët e fundit.  

PORTALB: Keni përkthyer vepra shqiptare në gjuhen maqedonase, sa mendoni se letërsia mund te ndikojë në bashkëjetesën e popujve në Maqedoni?

L.STAROVA: Në vitet e rinisë, kur idealet, ose iluzionet, janë të forta, kam besuar se letërsia mund të ndikoje në bashkëjetesën e popujve në Maqedoni dhe më gjerë se mund diçka të ndryshojë midis popujve. Kështu në atë kohë kam përkthyer plejadën e poetëve kosovar: Azem Shkreli, Fahredin Gunga, Rahman Deda , Ali Podrimja me të cilët më ka lidhur edhe miqësia vëllazërore. E kam përkthyer dhe romanin “Kjasina” e Antun Pashkut. Kam marrë pjesë në përkthimin e Antologjisë së poezisë shqipe në maqedonishte bashkë me Gane Todorovskin dhe Petar Boskovskin, poetë të njohur maqedonas. Autor i kësaj Antologjie ka qenë Ali Aliu. Kjo vepër që kishte misionin të afrojë dy popujt, nëpërmjet të prezantimit reciprok të vlerave kryesore, u ndalua në vitet e 80-ta (fatkeqësisht me recensione të profesorëve universitar shqiptar). Ashtu që kjo Antologji me qëllim ti afrojë të dy popujt u bë antipode e kësaj tentative. Unë përsëri edhe në këtë moshë mbetem optimist se veprat e vërteta i përkthen koha si arbitri më i mirë. Për shembull, përkthimet ose ri-këndimet që ka bërë akademiku Gane Todorovski, të poetëve klasik shqiptar siç janë Naim Frashëri, Fan Noli, Ndre Mjeda, Lasgush Poradeci, mbeten margaritarë të vërtetë të një bashkëjetese të mundshme.

PORTALB: A mendoni se është dëmtuar gjuha dhe letërsia shqipe në kohën e Jugosllavisë? Si e shikoni fatin e përbashkët të gjuhës shqipe për të gjithë shqiptarët?

L.STAROVA: Për gjuhën dhe letërsinë s`ka kompromise regjionale. Kodifikimi për çdo gjuhë është conditio sine qua non. Gjuha frënge është kodifikuar që në shekullin XVI , dhe në strukturat  kryesore të kësaj gjuhe gjatë shekujve s`janë bërë kompromise sipas konjukturave politike të kohës. Shqipja kishte fatin, edhe pse në kohën e diktaturës, të unifikohet dhe historikisht të mundësojë më shumë arritje se sa humbje. Nuk ka qenë lehtë për shqipfolësit e Kosovës dhe të Maqedonisë ta pranojnë kodin e gjuhës së përbashkët, por ka qene imperativ i pashmangshëm. Problemi i shqipfolësve në Jugosllavi, nuk ka qenë vetëm fataliteti i bilinguizmit, por edhe izolimi endemik  i Shqiptarëve në jetën politike, kulturore, civilizuese. Mendoj se rrugë tjetër s’ka, shekujt që vinë do ta dëshmojnë këtë.

PORTALB: Çfarë vendi zënë shkrimtarët shqiptar në Maqedoni, si në instancat dhe institucionet kulturoro-letrare dhe më gjerë?

L.STAROVA: Së pari kisha dashur të thekso se shkrimtarët shqiptar në Maqedoni, nga aspekti i gjuhës dhe traditës i takojnë absolutisht  letërsisë shqipe, por kufijtë që kanë ekzistuar sidomos në të kaluarën, ata i kanë izoluar edhe prej Shqipërisë të kohës diktatoriale, por edhe prej të drejtave të plota në shtetin jugosllav. Këta shkrimtar, por edhe pjesa e intelektualëve rëndë dalin prej inercionit të izolimit. Por megjithatë, prej Maqedonisë janë dalluar disa zëra të fuqishëm në letërsinë shqipe. Në radhë të parë duhet të përmendet kritiku letrar Ali Aliu, që zë vend të lartë ne letërsinë shqipe. Prej regjionit te Pollogut janë imponuar dy zëra të fuqishëm me prozë dhe poezi si Murat Isaku dhe Abdylazis Islami, prej prozatorëve duhet të përmendet zëri i fuqishëm i romansierit Kim Mehmeti si dhe ai i Rexhep Zllatkut. Më tej kemi prozaistin dhe poetin Resul Shabani, poeti dhe prozatori Nehas Sopaj, poetesha e fuqishme dhe me senzibiltet të rrallë, Lindita Ahmeti, poligrafi dhe eseisti Fatmir Sulejmani, poeti Saljadin Saliu dhe shumë të tjerë. Por me gjithë atë fuqi individuale, shkrimtarët shqiptar në Maqedoni nuk ndjehen si forcë me influencë. Ata me shume janë “dekor” në komisionet e jurisë ku shpërblimet u ndahen shkrimtarëve maqedonas, ose janë vetëm “statistë” në institucionet maqedonase ku programi shqiptar është margjinalisht prezent.

PORTALB: Prej vitit 2003 jeni anëtari i parë shqiptar i Akademisë Maqedonase së Shkencave dhe Arteve. Cili ka qene roli dhe kontributi i shqiptarëve në këtë Akademi. Sa keni hapësirë veprimi?

L.STAROVA: 36 vite nga themelimi, në AMSHA s`ka pasur anëtar shqiptar. Prej vitit 2003 në përbërjen e rregullt janë tre akademik shqiptarë, një ne  seksionin e arteve, shkencave shoqërore dhe shkencave tekniko – matematikore, dhe dy në përmbajtjen e jashtme. Në këto 10 vite të fundit mbahen dhe disa simpoziume me karakter ndërkombëtar në suazat e aktiviteteve të Akademisë siç ka qenë festimi i 95 vjetorit të themelimit të Alfabetit shqiptar, me botim të punimeve. U mbajt dhe simpozium ndërkombëtar kushtuar veprës së Sami Frashërit, simpozium mbi Skënderbeun me vepër të përbashkët të nje maqedonasi (akad. Gane Todorovski), dhe një shqiptari (akad. Ali Aliu). Secili akademik poashtu punon në projekte prej lemisë së tij me interes të përgjithshëm. Ndërsa, sa i përket hapësirës së punës, ajo është e determinuar prej mekanizmave dhe programeve të Akademisë. Dëshira e jonë është sa me shpejtë të pranohen dhe shqiptarë të tjerë në seksionet ku mungojnë, por….Në fund të them dy fjalë për Enciklopedinë, edhe pse për këtë është shkruar dhe thënë shumë. Anëtarët shqiptar në këtë Akademi sa i përket Enciklopedisë, që në vitin 2005 sinjalizuan edhe brenda në Akademi por edhe publikisht për trajtimin negativ të shqiptarëve, por reagimi ka ardhur post festum…

PORTALB: Cili është mesazhi juaj për lexuesit e PortAlb-it?

L.STAROVA:  Një prej faktorëve kryesor të stagnimit tonë në histori ka qenë izolimi, kufijtë midis vete. Jetojmë në kohë kur dalim prej këtij izolimi. Dhe PortAlb është një dritare daljeje nga universi. Ti përdorim si duhet këta mjete. Ti tregojmë vlerat nëpërmjet të cilave kemi mbijetuar në histori: toleranca ndër-fetare, besa, dituria..  / PortAlb / 

Lajme të ngjashme

Back to top button