Zgjedhjet lokale, matematikat për Kërçovën

Në të kaluarën rajoni i Kërçovës ka qenë vend ku partitë në pushtet shënonin fitoret më të sigurta. Proporcionet e fitoreve të BDI-së në Zajas dhe Osllome tanimë janë pjesë e folklorit politik, e aspak më keq nuk ka kaluar as VMRO-DPMNE në komunën e Kërçovës, ku rregullisht ka shënuar fitore me dy ose tre herë më tepër vota se konkurentja LSDM. Mirëpo, me bashkimin e pesë komunave që gravitojnë në këtë qytet, partitë në pushtet këtë vit i pret një panoramë e re politike dhe matematikë e ndryshuar zgjedhore. Sipas të gjitha gjasave, ato do të duhet të përballen me njëra tjetrën në duel të drejtpërdrejtë zgjedhor, tema e së cilit sigurisht nuk do të jenë problemet lokale.

Kërçova padyshim ka vlerë të madhe simbolike për të dy partitë, andaj edhe motivi për të fituar është tejet i madh. Këtë simbolikë të veten partitë në pushtet kanë arritur t’a transformojnë në “kauzë patriotike” sipas definicionit të tyre, natyrisht duke përvetësuar këtë patriotizëm si të drejtë të tyre ekskluzive. Prandaj, nga mundësia që kryetari i ri i komunës të jetë shqiptar, ose të mbetet maqedonas, zgjedhjet padyshim do të marrin ngjyrime etnike dhe nacionaliste. Në vend të trajtimit të problemeve lokale, kërçovarët me siguri do të stërndëgjojnë fraza për “marrje” ose “ruajtje” të Kërçovës, natyrisht pa precizuar saktësisht se prej kujt. Efekti përfundimtar do të jetë votimi në linja etnike dhe mobilizim sa më i madh i votuesve në këto vija.
Në një atmosferë të këtillë, që pritet të mbizotërojë në periudhën zgjedhore në Kërçovë, është e qartë se votuesit shqiptarë do të votojnë kandidatin shqiptar, ndërsa ata maqedonas kandidatin maqedonas. Prandaj këtë rradhë në Kërçovë nuk do të vlejnë kombinatorikat që bëhen në qytetet tjera në rrethin e dytë, apo që janë bërë në të kaluarën në këtë qytet, si për shembull kur BDI në 2009 mbështeti kandidatin e VMRO-së qysh në rrethin e parë. Në thelb kalkulimet duhet të jenë të thjeshta, pasi fituesin do t’a determinojë vetëm një gjë: numri i përgjithshëm i votuesve nga secili grup etnik.

Por çka thotë matematika zgjedhore në këtë drejtim? Një vështrim i rezultateve nga zgjedhjet e kaluara në këto pesë komuna, tregon se në zgjedhjet e fundit partitë maqedonase kanë grumbulluar rreth 16700 vota, ndërsa ato shqiptare rreth 117000; pra një avantazh solid prej 5000 votash. Situatë e njëjtë ndeshet edhe në zgjedhjet e kaluara lokale, kur dallimi ishte plot 10 000 vota. Megjithatë, asnjëra nga këto nuk i lejon komoditet VMRO-së. Në zgjedhjet e vitit 2008 dallimi ka qenë vetëm 2000 vota, ndërsa në 2006 vetëm 15 vota.

Për të patur një pasqyrë më të saktë për këto devijime ekstreme, duhet të gërmohet më thellë, gjegjësisht të analizohen shifrat në nivel të vendvotimeve. Të dy blloqet fitojnë numrin më të madh të votave (rreth 80%) nëpër vendvotime etnikisht homogjene dhe janë pikërisht këto vendvotime që përcaktojnë rezultatin në nivel të komunës dhe shpjegojnë mirë devijimet e rezultateve nëpër vite.

Kështu, në vendvotimet homogjene maqedonase, partitë maqedonase kanë fituar minimum 11 600 vota në vitin 2008, ndërsa maksimum 13 000 në vitin 2011. Ky rezultat stabil korespondon edhe me dalje relativisht stabile, që sillet nga 67% deri 74% në zgjedhjet e fundit. Ndërsa te vendvotimet homogjene shqiptare situata është krejtësisht e ndryshme. Këtu partitë shqiptare kanë fituar minimum 5800 vota, ndërsa maksimum 13 000 në zgjedhjet parlamentare 2006. Në zgjedhjet e fundit rezultati ishte 8900 vota. Shkak për këto devijime janë ndryshimet e mëdha në dalje, e cila në këto vendvotime shqiptare ka qenë 67% në vitin 2006, 51% në 2008, 37% në 2009 dhe 44% në 2011.

Sipas këtyre të dhënave historike, është e arsyeshme të pritet që dalja te votuesit maqedonas edhe këtë herë të jetë në nivele të ngjashme, diku në gamën 70-75%, natyrisht nëse opozita maqedonase nuk vendos të bojkotojë zgjedhjet. Nga ana tjetër është e vështirë të thuhet se sa do të jetë dalja te votuesit shqiptarë, por është e qartë se pikërisht kjo dalje do t’a përcaktojë fituesin e zgjedhjeve. Faktor kryesor këtu janë mërgimtarët shqiptarë. Për shembull, zgjedhjet e vitit 2006 u mbajtën gjatë verës, kur këta mërgimtarë ishin në pushim vjetore në vendlindje, gjë që reflektohet te dalja dukshëm më e madhe e shqiptarëve në zgjedhje atë vit. Pra, e panjohura e madhe e këtyre zgjedhjeve dhe çelësi i fitores është numri i mërgimtarëve shqiptarë që do të vijnë të votojnë në këto zgjedhje lokale.

Përndryshe projeksionet e rezultateve nga zgjedhjet e kaluara mund të ndihmojnë të përcaktojmë më afërsisht daljen e duhur që rezultati të jetë në favor të njërës apo tjetrës anë. Nëse, për shembull, dalja në vendvotimet dominante maqedonase është e barabartë me daljen në vendvotimet dominante shqiptare, BDI do të fitojë me rreth 500 vota më tepër. Dallimi në dalje prej tre pikë përqindjeje, e ngjashme me vitin 2006, do t’i bëjë zgjedhjet skajshmërisht të paqarta dhe do t’i reduktojë në vetëm disa vota dallim. Ndërsa, nëse në qendrat maqedonase dalja është pesë pikë përqindje më e madhe se në ato shqiptare, fitues do të dalë VMRO. Çdo dallim më i madh se pesë pikë përqindje do të thotë fitore edhe më e sigurtë për VMRO-në.
Mirëpo, nëse dalja e shqiptarëve në zgjedhje është kyçe për orientim në labirintin zgjedhor të Kërçovës, faktorë tjerë mund poashtu t’a ndërrojnë rezultatin. Më i rëndësishmi gjithsesi është vendimi eventual i opozitës maqedonase për të bojkotuar zgjedhjet, ose për të mos përkrahur kandidatin e VMRO-së në rrethin e dytë. Për shembull, nëse VMRO merr përkrahje nga vetëm 70% të votuesve tradicionalisht opozitarë, atëherë BDI mund t’i fitojë zgjedhjet edhe me dalje mesatare të shqiptarëve. Nëse mbështetja opozitare për VMRO-në bie në 50%, BDI mund të fitojë madje edhe me dalje minimale. Ço nivel i mbështetjes nën këtë do të thotë fitore thuajse automatike për BDI-në. Këtu është e rendit të thuhet se BDI nuk ka problem të ngjashëm te blloku shqiptar, sepse në Kërçovë ajo përherë ka patur monopol të llojit të vet te votuesit shqiptarë.

Një faktor tjetër që duhet të mirret parasysh është sjellja e bashkësive më të vogla, si romët, turqit ose torbeshët, që kanë nga 400 deri 800 vota secila. Tradicionalisht këto parti koalicionojnë me VMRO-në ose LSDM-në, por nëse ndonjëra prej tyre vendos që këtë rradhë të mbështesë BDI-në, atëherë kjo do t’i jep asaj komoditet më të madh. Në atë rast ajo mund të përballojë edhe disavantash prej 10 pikë përqindjeje në daljen e shqiptarëve në zgjedhje.
Sido që të jetë, gara në Kërçovë do të jetë tejet e paqartë. Për fat të keq ajo nuk do të jetë e fokusuar te zgjidhja e problemeve lokale, por do të jetë mundësi për liderët e partive që të fluturojnë në “maja të reja” patriotike në universet e tyre paralele. Nëse kjo është e rëndësishme ose jo, do të vendosin vetë votuesit. Për çdo rast, matematika është kjo që është.

Të drejtat e publikimit në shqip i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button