Ibrahim Kolari: Dibra ka nevojë për demokraci dhe unitet

“Njatjeta Dibra ime” është motoja e kandidatit të pavarur për kryetar të komunës së Dibrës, Ibrahim Kolari , i cili në një prononcim për Portalb.mk shpalos idetë dhe planet e tij për qytetin e Dibrës duke theksuar se Dibra mbi të gjitha ka nevojë për bashkim dhe mirëkuptim, demokraci dhe vëllazërim mes qytetarëve të saj.

“Ajo që më shumë i mungon Dibrës është bashkëpunimi dhe përcaktimi i qëllimeve të përbashkëta të gjithë dibranëve për një Dibër ashtu siç e meriton ky qytet historik i shqiptarëve, pra demokraci dhe zhvillim ekonomik. Unë dua të jem një opsion i ri për Dibrën dhe atë duke shfrytëzuar përvojën time shumëvjeçare në SHBA dua që ta rikthej vendlindjen time në vendin e merituar. Infrastruktura do të jetë puna ime e parë në postin e kryetarit të Dibrës dhe pastaj bashkë me këtë edhe zhvillimi ekonomik që do të jetë shpresa e rinisë dibrane” vlerësoi kandidati i pavarur për Dibrën, Ibrahim Kolari.

 Kolari shprehu shqetësimin e tij në lidhje me incidentet e fundit që po ndodhin në këtë qytet ku siç theksoi ai, sjellja e aktivistëve të partive politike ndaj tij dhe ndaj mbështetësve të tij, nuk i përket kulturës së shqiptarëve dhe është jashtë normave demokratike botërore.

“Mua më vjen keq për incidentet që ndodhin këtu me mbështetësit e mi. Ata kërcënohen dhe shantazhohen në mënyrë jo njerëzore vetëm e vetëm që mos qëndrojnë përkrah meje në këto zgjedhje locale, por unë jam i vendosur që ti shkoj deri në fund kësaj “beteje” për hir të obligimit moral që kam ndaj vendlindjes sime” theksoi Kolari

 “Zgjodha të jem kandidat i pavarur për Dibrën ngase siç po e shihni edhe vetë, partitë politike shqiptare në Maqedoni e kanë humbur rrugën dhe kanë ngatërruar mision kombëtar duke e shëndërruar atë në mision personal dhe familjar. Partitë janë si familjet, nëse ato janë të përçara nuk mund të ecin përpara dhe kështu i ngadalësojnë madje edhe i zhdukin proceset kombëtare dhe realizimin e interesave të tyre”, përfundoi kandidati i pavarur për kryetar në Dibër Ibrahim Kolari.

Kolaroi deklaroi se tashmë është duke përfunduar mbledhjen e nënshkrimeve për të zyrtarizuar kandidaturën e tij dhe se në takimet e shumta që ka pasur me qytetarët dibranë në prag të fushatës elektorale, ka besim dhe shpresë se dibranët do ta kuptojnë drejtë realitetin dhe do ta votojnë atë për kryetar të Dibrës duke u përcaktuar kështu për një Dibër evropiane dhe me prespektivë . /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button