Gripi mban peng Maqedoninë, ja simptomat e gripit të derrave

I gjithë vendi ndodhet në valën e gripit sezonal dhe ashtu siç pritej, numri i të paraqiturve me grip është në rritje, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Gripi i cili qarkullon në shtet është i tipi AH1N1, nëse ky grip para disa viteve ishte shkaktar i pandemisë së gripit, tani është pjesë e gripit sezonal, pasi ka 3 vite që qarkullon në popullsi dhe është bërë i njohur prej sistemit imun. Deri më tani nga ky grip kanë pësuar dy persona.
 Simptomat tipike të gripit fillojnë një apo dy ditë pas ekspozimit ndaj virusit dhe duket sikur ato fillojnë papritur, këto simptoma varrojnë në njerëz të ndryshëm, theksojnë mjekët.

Simptomat më të shpeshta janë: temperature që arrin deri në 39 gradë, ethe, dhimbje muskulore, humbje të oreksit , hundë të zëna ose që rrjedhin, dobësi ekstreme , skuqje dhe djegie të syve, kollë të thatë apo dhimbje të fytit.

Nga Instituti për Shëndet Publik këshillojnë njerëzit të cilët janë të prekur nga gripi sezonal, sa më shumë të qëndrojnë në hapësira të mbyllura dhe të kenë kujdes për higjienën personale. Me këtë jo vetëm që mbrojnë vetveten por edhe njerëzit përreth. 

“Merrni Acetaminofen ose Ibuprofen për të ulur temperaturën dhe dhimbjet e muskujve,mos i jepni fëmijëve aspirinë, pini shumë lëngje, ujë, supa apo pije të ndryshme freskuese. Duhet të pushoni nëse ndjeheni të lodhur. Nga një teshtitje në hapësirë dalin nga 3 mijë deri 5 mijë viruse dhe baktere, prandaj mundohuni të pengoni teshtitjen tuaj. Vendosni një shami para gojës kur të teshtini dhe pastaj atë hidheni, lani duart me ujë dhe sapun, nëse nuk keni afër ujë dhe sapun atëherë mbani me vete losione me bazë alkooli për dezinfektim, kujdesuni që fëmijët të mos i vendosin duart në hundë apo në gojë”- këshillon Dr. Eriona Shaqiri nga Instituti për Shëndet Publik. 

Numri i përgjithshëm i të prekurve nga gripi në vend, nga fillimi i sezonit të gripit që llogaritet muaji tetor, e deri tani ka arritur në 3474 persona, prej të cilëve numri më i madh janë në qytetin e Shkupit. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button