Mandatet e opozitës, ekspertët nuk besojnë në zgjedhje parciale

Të revoltuar nga ngërçi politik në Maqedoni, i cili erdhi si pasojë e ngjarjeve të dhjetorit në Kuvend, blloku opozitar maqedonas, i udhëhequr nga LSDM-ja e Branko Cërvenkovskit, ka paralajmëruar tërheqjen e të gjitha mandateve të deputetëve të opozitës. Kjo ka shkaktuar një sërë reagimesh në opinion, duke krijuar paqartësi rreth zhvillimeve politike në të ardhmen. 

Profesori universitar, Osman Kadriu, shtjellon çështjen nga prizma ligjore, duke potencuar se kooptimi nga lista e LSDM-së nuk është i mundshëm, për shkak të numrit të madh të deputetëve. 

“Në qoftë se ndodh që LSDM-ja ti dorëzojë mandatet, nga lista e tyre do të bëhet kooptimi, që është një gjë e pamundshme, sepse dorëzimi nuk mund të përputhet me kooptimin”, shprehet për Portalb, Kadriu. 

Në këtë fushë, gravitojnë edhe vlerësimet e profesorit universitar, Jove Kekenovski. Ai përjashton mundësinë e zgjedhjeve të pjesshme, duke shtuar se nuk ekziston bazë ligjore për ato.

“ Nëse opozita dorëzon mandatet, ky veprim duhet të jetë në përputhje me rregulloren, në seancë të Kuvendit. Kryetari duhet ti thërret deputetet e ardhshëm në vend të tyre, deri sa të zbrazet lista. Momentin kur lista zbrazet, pasojnë zgjedhje të parakohshme. Nëse do të ishte sipas sistemit mazhoritar, kjo do të vlente vetëm për vendet e zbrazëta, ndërsa në këtë situatë, duke marre parasysh shpërndarjen proporcionale të votave, do të duhet të shpallen zgjedhje për të gjitha njësitë zgjedhore. Pra, nuk ekziston mundësi për zgjedhje të pjesshme”, deklaroi Kekenovski për Portalb.

Ndërkaq, qeveritarët nuk shprehin shqetësim në lidhje me këtë vendim të opozitës. Drejtori i qendrës partiake për komunikim të VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, ka theksuar se tërheqja e mandateve, është e drejtë ligjore e opozitës. Megjithatë, ka shtuar ai, kjo nuk është kusht për organizim të zgjedhjeve të plota parlamentare. Edhe opsionin e zgjedhjeve parciale, ekspertët e trajtojnë si jo të volitshëm. Ata, megjithatë, shpresë të vetme shohin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Ka mendim te organizohen zgjedhje parciale. Assesi nuk vjen parasysh, sepse duhet të votojë tërë elektorati i Maqedonisë. Pyetja është se kush do të votoje dhe kush do të fitojë shumicën e nevojshme. Kjo si procedurë është e pazbatueshme. Ngel që i vetmi mjet juridik janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare për tërë shtetin, meqë këtu kemi dorëheqje të tërë bllokut opozitar, e jo 2 apo 3 që të bëhet kooptimi nga lista. Këtu krijohet gjendje e rëndë juridike dhe politike, e cila do të reflektohet edhe në proceset e integrimit të RM në NATO dhe BE.  Duhet të vazhdohet dialogu politik, të arrihet marrëveshje politike, të pranohet kërkesa e opozitës që të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kuptohet, në termin tjetër, jo me ato lokale,” deklaroi Osman Kadriu. 

LSDM edhe më tej nuk ndryshon vendimin e vetë për bojkotimin e zgjedhjeve lokale, që janë caktuar për mars të vitit 2013. Sekretari gjeneral i socialdemokratëve, Andrej Petrov, deklaroi se deputetët e opozitës nuk do të kthehen në Kuvend dhe do të dorëzojnë mandatet. Në përbërjen momentale të LSDM-së dhe partive tjera që i janë bashkangjitur bllokut opozitar maqedonas, bëjnë pjesë 43 deputetë.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button