Canovski: Gruevski e shiti dhe shkatërroi Strugën

Kryetari i Partisë për të Ardhmen Evropiane (PAE), Fiat Canoski, ka akuzuar kryeministrin Nikola Gruevski, se e kishte tradhtuar para katër vitesh, kur po kandidohej për Komunën e Strugës. 

Canoski ka zbuluar dje gjatë një takimi me qytetarët e Strugës, se Gruevski e kishte bindur atë të kandidohej për Strugën dhe të fitonte mbështetjen e LSDM-së. 

“Para katër vitesh, ne si parti ishim në koalicion me VMRO-DPMNE-në. Nikola Gruevski më luste të bëhem kandidat për kryetar të Strugës dhe më tha të bindja LSDM-në për të më mbështetur si kandidat. LSDM pranoi me kënaqësi, por vetëm dy ditë pas kandidaturës sime, VMRO-DPMNE nxori kundër-kandidat”, ka deklaruar Canoski, duke akuzuar Gruevskin se “kishte shitur dhe shkatërruar Strugën”. 

Canoski ka komentuar edhe rrënimin e ndërtesës “Kosmos”, duke porositur kryeministrin Gruevski se atë “nuk do të mundet ta rrënojnë kurrë”. 

“Kosmos do të rindërtohet. Unë jam këtu, Nikola, qëndroj si shtyllë përpara teje. Mua nuk mundesh të më shkatërrosh asnjëherë. Pas meje qëndron një koalicion i madh, pas meje qëndron LSDM dhe 20 parti të tjera. Pas meje qëndron populli, qëndron Maqedonia”, ka thënë Canoski. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button