Maqedonasit janë trimëruar nga politika, komentohet incidenti në Strugë

Incidentet ndëretnike para zgjedhjeve në shkollën e mesme në Strugë janë bërë të zakonshme dhe kjo vjen si pasojë e neglizhencës dhe moskujdesit real të organeve shtetërore që asnjëherë nuk marrin masa konkrete për të dënuar autorët dhe për të parandaluar zënkat që shumë herë kanë rrezikuar edhe jetën e vetë nxënësve siç ishte rasti i djeshëm në shkollën e mesme Niko Nestor në Strugë ku një nxënës shqiptar u godit me thikë dhe për shumë pak shpëtoi nga më e keqja, komenton profesori universitar Qashif Bakiu lidhur me çështjen në fjalë.

“Zakonisht para zgjedhjeve u bë praktikë të ketë incidente ndëretnike. Ajo që shqetëson është fakti se pasojat barten nga nxënësit shqiptar. 20 vjetë vazhdon tendenca e njëjtë ndërsa partitë shqiptare dhe strukturat e tyre lokale nuk arrijnë ta determinojnë problemin. Ndër të tjera, shqetësuese është edhe fakti se të rinjtë maqedonas kanë krijuar besimin se janë të paprekshëm as nga ligji as nga ndonjë faktor tjetër. Thjesht të rinjtë maqedonas të ndikuar nga politika dhe ngjarjet e mëhershme kur organet gjyqësore nuk i dënojnë maqedonasit, kanë marr zemër dhe janë trimëruar pa masë” u shpreh Prof.Dr Qashif Bakiu për Portalb.

Zënkën e djeshme në shkollën e mesme Niko Nestor e kanë komentuar edhe kandidatët e BDI-së dhe PDSH-së për Strugën njëkohësisht deputet dhe ish deputet në parlamentin e Maqedonisë Sela dhe Labënishti të cilët kanë bër apel për qetësi dhe zgjidhje të rastit përmes organeve ligjore.

“Nuk mund ta paragjykoj zënkën e djeshme, por ajo që dua të potencoj është se Strugës i nevojitet një tolerancë dhe mirëkuptim ndëretnik dhe ndërfetar. Këtu jetojmë të gjithë, shqiptarë, maqedonas, turq, romë dhe të tjerë dhe duhet të përpiqemi të krijojmë vlera të përbashkëta dhe respekt ndaj njëri tjetrit. Sa për rastin në fjalë kjo u takon organeve të rendit që sa më shpejtë të definojnë problemin dhe arsyet e tij, prandaj nuk dua ta komentoj qëllimin dhe tendencën e zënkave sepse kjo duhet të hetohet” u shpreh Labënishti lidhur me incidentet e nxënësve të shkollës së mesme në Strugë.

Deputeti i PDSH-së Ziadin Sela thekson se nuk mund të pohojë por as të mohojë se incidente të këtilla janë të organizuara drejtpërdrejtë nga dikush, por ai thekson se duke u bazuar nga e kaluara e kësaj qeveria e cila siç thotë ai gjithmon shfrytëzon këto situate për qëllime politike atëherë asgjë nuk mund të përjashtohet.

“Une e dënoj rastin e djeshëm ku u shpua me thikë një nxënës shqiptar dhe organet e drejtësisë duhet sa më shpejtë të zgjidhin këtë çështje. Incidenti i djeshëm është në vazhdën e incidenteve që po ndodhin në Maqedoni. Shqiptarët këto 5 vite kanë qenë të përballur me raste të organizuara të rrahjes së nxënësve që nga Studeniçani deri në Strugë. Sigurisht për këtë është përgjegjëse qeveria dhe organet lokale të saj. Drejtësia nuk mund të jetë selektive. Informatat që unë disponoj është se autorët e ngjarjes së djeshme tashmë janë identifikuar dhe akoma asgjë nuk është bërë për arrestimin e tyre, andaj apeloj që ato të arrestohen dhe të merren masa ndëshkuese”, theksoi Ziadin Sela.

Në incidentin që ndodhi dje në shkollën e mesme Niko Nestor në Strugë u lëndua rëndë me thikë një nxënës shqiptar, por që fatmirësisht jashtë rrezikut për jetë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button