Borxhe për gjeneratat e ardhshme: Pa diagnozë të vërtetë, nuk ka ilaç për ekonominë

Nëse nuk dihet diagnoza e saktë e pacientit – atëherë nuk mund të jepet as terapia e vërtetë – kështu u përgjigjën ekspertët për Portalbin, në pyetjen “A e paraqesin gjendjen reale për ngarkesën me borxhe të ekonomisë, të dhënat më të reja se borxhi publik i qeverisë qendrore është 32,1% e PBB-së?”.

Trendi i rritjes së vazhdueshme të huamarrjes doli në sipërfaqe në dhjetor, kur borxhi i qeverisë tejkaloi 32% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), me ç’rast u arrit niveli më i lartë rekord i ngarkesës me borxh në gjashtë vitet e fundit. Rritje dramatike gjatë vitit 2012 ka te humarrjet në vend, ku është regjistruar thuajse dyfishim i borxhit. Mu nëpërmjet huamarrjes vendore, duke shpallur ankande për bonot e thesarit, qeveria vitin e kaluar i financoi harxhimet aktuale buxhetore dhe e mbulonte minusin e arkës shtetërore.

Borxhi publik i qeverisë qendrore

Borxhi i përgjithshëm publik   2 miliardë e 544 milionë euro
Borxhi i brendshëm       932 miliardë euro
Borxhi i jashtëm       1 miliardë e 612 milionë euro

Sipas profesoreshës universitare Shenaj Haxhimustafa, këto numra janë të pritshëm, por edhe alarmantë.

“Huazimet janë rezultat i asaj se kemi deficit buxhetor dhe mund të pritet që borxhi të rritet me rritjen e këtij deficiti. Sipas meje, çështje kyçe dhe problematike është ajo se si janë harxhuar këto para, kjo është më e rëndësishme që të shihet se si në të ardhmen do të kthehen paratë që i kemi marrë hua sot” – thotë për Portalbin, profesoresha Haxhimustafa.

Akademik Abdylmenaf Bexheti thotë se në qoftë se përqindja e borxhit prej 32.1% është përfundimtare – atëherë nuk ka nevojë për panik. Por, ai dyshon se ky numër nuk është pasqyrë e gjendjes reale në ekonomi.

“Në të gjitha prezantimet e mia gjatë katër viteve të fundit kam thënë se një ditë do të vijë deri te kjo gjendje. Dhe konsideroj se këto numra nuk do të ishin edhe aq kritikë, sikur të mos kishte borxhe të tjera potenciale, të cilat akoma nuk janë evidentuar ose që janë borxhe latente, të cilat priten për shkak të mënyrës së realizimit të obligimeve” – komenton akademiku Bexheti.

Edhe profesoresha Haxhimustafa e hap dilemën se a e pasqyrojnë realitetin gjithë këto numra.

“Nuk mund të jepet terapia e vërtetë nëse nuk e keni diagnozën e saktë” – thotë profesoresha.
Analiza e trendit të huamarrjes flet për atë se, që kur ka ardhur në pushtet VMRO-DPMNE-ja e deri në fund të vitit 2012, është arritur niveli më i lartë rekord i ngarkimit me borxh. Kur kjo parti e ka marrë pushtetin në vitin 2006, borxhi publik i qeverisë qendrore ka qenë 32% e Prodhimit të brendshëm bruto.

Trendi i lëvizjes së borxhit publik si përqindje e PBB-së

Viti 2006            32,0%
Viti 2007            24,0%
Viti 2008            20,6%
Viti 2009            23,8%
Viti 2010            24,2%
Viti 2011            27,8%
Viti 2012            32,1%

Vetëm për një vit, borxhet e qeverisë janë rritur për 4,3%. Ekonomistët thonë se ka dy dilema sa i përket huamarrjes: e para me çfarë çmimi qeveria i merr huatë dhe e dyta, ku i harxhon paratë.

“Struktura e të dalave publike, gjegjësisht paratë duhet të harxhohen për zgjidhjen e problemeve ekonomike. Sipas meje, kjo nuk ndodh. Mu këtu është problemi. Me çdo huamarrje të re duhet të kërkohet mënyrë se si t’i ndihmohet ekonomisë. Tani për tani nuk ka sinjale pozitive për këtë” – thotë profesoresha Haxhimustafa.

Edhe pse Maqedonia mbetet në zonën e “vendeve me nivel të matur, gjegjësisht mesatar të borxhit”, kjo nuk duhet të jetë arsye që të hapet çështja se deri ku mund të shkohet me huazimet – analizojnë ekonomistët. Profesori Bexheti thotë se duhet urgjentisht të përgatitet dhe të miratohet Strategjia për menaxhim me borxhin publik.

Për herë të fundit, një strategji e këtillë u përgatit në vitin 2009.

“Unë mendoj se nevojitet një Strategji për menaxhim me borxhin publik, që nuk do t’i tregojë vetëm numrat si kategori, por ato të ndiqen si trend dhe nga ajo të varet se a duhet dhe sa duhet shteti të marrë hua të tjera, por me kusht që kjo të jetë në përputhje me standardet dhe kriteret për huamarrje” – vlerëson akademik Bexheti.

Ekonomistët presin që trendi i huamarrjes të vazhdojë edhe këtë vit. Për vitin 2013 qeveria projekton deficit edhe më të madh buxhetor prej 3,5% të Prodhimit të brendshëm bruto. Në fillim të janarit qeveria pagoi 175 milionë euro në bazë të eurokambialit, dhe ky hap do të regjistrohet si “zvogëlim” i borxhit publik. Por në të njëjtën kohë, ekonomistët thonë se në anën e borxheve do të regjistrohet edhe kredia e re prej 250 milionë eurosh, të cilën qeveria e mori nga Deutsche Bank. Të dhënat flasin për atë se jo vetëm që borxhi publik rritet prej viti në vit, por se ka rritje edhe te borxhi i jashtëm bruto, i cili arriti në 5 miliardë e 69 milionë euro ose pothuajse në 70% të Prodhimit të brendshëm bruto. 

Aneta Dodevska, Portalb

  

Lajme të ngjashme

Back to top button