Shpallje: Kërkohet një shqiptar shërbëtor

Fushata e zgjedhjeve lokale 2013 po shkon kah piku i saj. Në dy-tri vende disa prej kandidatëve, kryesisht figura të vjetra, janë quajtur “shërbëtorë” nga ana e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti. Fjalori i gjuhës së sotme shqipe (“Rilindja”, Prishtinë, 1981, fq. 1835) në dy shpjegimet e para e jep si fjalë të vjetër, e cila (1) e paraqet njeriun që shërben në një shtëpi a në një dyqan të një të pasuri kundrejt një pagese, përkatësisht (2) njeriun që merret  me pastrimin, me ruajtjen dhe me shërbime të tjera në një institucion shtetëror ose privat, në të vërtetë (3) njeriun që i shërben me ndërgjegje e me besnikëri popullit, ai që vihet në shërbim të popullit dhe është kokulur para tij dhe (4), me kuptimin përbuzës, ai që është vënë me përulje në shërbim të dikujt dhe që i ndihmon pa kundërshtim për veprime të ulëta, për punë armiqësore etj.

Publiku i pranishëm në ato mitingje, anëtarësia dhe qytetarët tjerë, cilësimin si “shërbëtor” të kryetarëve të vjetër-të rinj të komunave, apo të këshillave komunalë, e pranojnë me humor dhe thonë se “babloku” këtë e bën me qëllim që të luajë rolin e tribunit popullor, që edhe s’kontestohet. Në Haraçinë ai ka kërkuar që (këta shërbëtorë) ta përkrahin “që ne të jemi më të suksesshëm në programet tona shtetërore dhe kombëtare”. “Nga Struga në Likovë, jam i sigurt se ne i lëvizim gjërat.”

Në Tetovë kishte “rrokullisur”:  “Jemi ne ata që për asnjë moment nuk kemi hezituar, nuk kemi ngurruar që nuk kemi përmbushur (?!) premtimet, dalim faqebardhë përpara të gjithëve; mbase kemi edhe shumë punë për të bërë, por, ama, as energjitë, as vullneti, as dija nuk na mungon; nuk na mungon,  sepse në radhë të parë kemi ndërgjegjen  e pastër, në radhë të parë kemi përgjegjësi morale dhe kombëtare për fjalën e dhënë”.

Toni ushtarak në Tetovë dhe zëri i kultivuar në Haraçinë nuk e shpjegojnë dot vendin e pjesëzës “mbase”, përmes së cilës shprehet pasiguria (lexo: ai nuk është i sigurt se ka shumë punë për të bërë) dhe prioriteti që ka ose që duhet ta ketë çdo shqiptar si pjesëmarrës në qeveri. Pikërisht këtu ka një lloj “laramanizmi”, i cili, mendoj, na pengon të jemi të plotë në vendet tona të punës.
E dini që “çinovnikët” shqiptarë të Ali Ahmetit janë “turistët” më të shumtë në afërsi të “Luftëtarit mbi kalë” dhe të pijetoreve përreth? Dhe, nuk bëjnë përjashtim, për shkak se në këtë gjendje kanë qenë edhe ata të PPD-së, të PDSH-së etj. Te këta të BDI-së një fenomen i veçantë është edhe “rri në shtëpi-merr rrogë”, kështu që po t’i heqësh kuptimin e tretë, ku ndoshta mund të zërë vend “figuracioni” i Ali Ahmetit, del se kemi dalë te “shpejtësia e katërt”, te kuptimi përbuzës i fjalës shërbëtor.  Prandaj dhe thuhet se, edhe pse ishte viti 2001, kurrgjë nuk ka ndryshuar te shqiptarët dhe me ta.

Aty afër, në Hasanbeg, gati se në të njëjtën kohë, Menduh Thaçi nga PDSH ka thënë: “Nëse ne arrijmë që ta dënojmë politikën e Gruevskit dhe të Ali Ahmetit me 24-tin, ne do t’i afrojmë shumë afër vetes tonë aleatët ndërkombëtarë – SHBA dhe Bashkimin Evropian. Ata nuk mund të na përkrahin neve nëse ne vetë, me vullnetin tonë politik, nuk shprehim pakënaqësi të madhe ndaj kësaj politike diskriminuese të qeverisë Gruevski – Ali Ahmeti. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që këtë vit përcaktues për ardhmërinë e Maqedonisë, 2013-2014, shqiptarët t’i japin një mandat  platformës së PDSH-së.”

Pa shërbëtorë.

Si në krejt botën bashkëkohore.

Lajme të ngjashme

Back to top button