Rufi Osmani, pse duhet të votohet, e pse jo?

Ishte muaj prill i vitit 2009 kur Rufi Osmani me votën e qytetarëve të Gostivarit u rikthye për të udhëhequr me Komunën e Gostivarit. Ishte një rast unikal që një kandidat i pavarur dhe pa ndonjë strukturë të organizuar mirëfilli në terren, të ngadhënjen në zgjedhje me një fitore bindëse ndaj kundërkandidatëve të tij që vinin nga subjekte të sendërtuara politike me fuqi financiare, strukturore, madje me pushtet e çdo mjet të mundshëm presioni e propagande. Por vullneti i popullit ishte më i madh se çdo gjë tjetër, se milionat e derdhura, se kërcënimet nga më të ndryshmet, përjashtimet nga puna, dhe çka mos tjetër.

Rufi Osmani me 19 mijë vota të grumbulluara pa ndonjë imponim, kërcënim, blerje e falsifikime, pra me një fitore të çiltër si loti zuri kolltukun e kryetarit të Komunës, nga ku ishte larguar padrejtësisht në korrik të vitit 1997 nga pushteti i atëhershëm sllavomaqedonas. Populli e tha fjalën e vete, bindja që zotëronte në mesin e shqiptarëve të regjionit të Gostivarit se Rufiut ia kemi borxh votën, u materializua me xhelozinë më të madhe. Por ky borxh, nëse mund të quhet ashtu, mbaroi në momentet kur u mbyllën kutitë e votimit. Prej atij momenti ishte Rufi Osmani që mori mbi supe një borxh, besimin që pa asnjë kusht ia falën qytetarët shqiptarë të mos e shpërfillë. 

Nga dita e parë në postin e kryetarit të komunës, u përballë me problemet e akumuluara me vite, ç’rregullime juridike e financiare, administratë të politizuar, thjeshtë një komunë buzë greminës financiare dhe organizative. Por cili ishte parimi që Osmani vendosi të zbatoi për të arsyetuar mandatin e popullit, të shlyej borxhet, të nxjerrë komunën nga kolapsi multipolar, dhe të dëshmon e arsyeton pastaj mandatin e popullit dhe potencialin e tij intelektual që e kishte sendërtuar plotë një dekadë që se ishte larguar nga Bota politike dhe ishte futur në atë akademike. Duke e ditur se nga pushteti qendror do të trajtohej si komunë me ekstrem opozitarë, dhe pos obstruksioneve nuk do të merrte diçka tjetër, Osmani u detyrua të fus në lojë të ardhmen e tij politike, me vetëdije se edhe do t’i kushtonte aq shumë. Pasi ndërmori reforma të thella në administratë, ku dhe ishte e logjikshme të largoheshin nga puna disa ushtar partiak nga pararendësi i tij, Osmani ishte i detyruar të forcon politikat fiskale në Komunë, duke zbatuar një regjim të ashpër për arkëtimin e tatimeve dhe taksave komunale. Ishte kjo mundësia e vetme që kishte në duar si një komunë opozitare dhe kandidat i pavarur, për të arritur deri tek grumbullimi i mjeteve financiare, që nënkuptonte edhe shlyerjen e borxheve të trashëguara.

Nga viti 2009 deri në vitin 2011, kjo ishte shema që Osmani zbatoi për të rehabilituar komunën në aspektin financiar dhe kadrovik. Dikush u largua nga puna, dhe dikujt iu bllokua xhirollogaria, por formë tjetër për ta nxjerr komunën nga ky kolaps i brishtë financiar, nuk kishte. Dhe ky veprim më se i vetëm dhe paalternativë i Rufi Osmanit rezultoi sa pozitiv aq edhe negativë. Negativë për karrierën e tij politike, dhe kjo u dëshmua me rezultatet e zbehta zgjedhore të vitit 2011 kur ai mori timonin e një lideri politik në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë.

Por cila ishte pjesa pozitive e reformave të patjetërsueshme në komunë? Me nivelin e rritjes së arkëtimit të tatimeve dhe taksave komunale në masën 90 për qind gjatë viteve 2009 – 2011, u arrit të paguhen borxhet e trashëguara të komunës, dhe pjesa tjetër e medaljes ishte certifikimi i këtyre reformave sa të dhimbshme aq të suksesshme nga institucionet financiare ndërkombëtare. Me marrjen e rejtingut kreditor, komunës së Gostivarit ju hapën dyert për marrjen e kredive dhe mjeteve të tjera financiare nga institucione të ndryshme bankare ndërkombëtare, siç ishte Banka Botërore dhe ajo Evropiane, pas çka pasuan vitet e investimeve kapitale në infrastrukturë thuajse në çdo vendbanim të Gostivarit dhe rrethinës. 

Çrrënjosja e korrupsionit, mafisë urbane dhe devijimeve të tjera institucionale, ishin veprime që Osmani në asnjë moment nuk i vuri në korrelacion me veprimin tjetër që do ta bënte shumëkush nga ne, se sa ja vlen barra qiranë.  
Nëse dy vitet e para të mandatit të tij ishin politikat e forta fiskale dhe reformatore, me një peshë të rëndë të humbjes politike, dy vitet e tjera ishin periudha e vjeljes së këtyre lëvizjeve po aq të rënda që me vetëdije u ndërmorën nga ana e tij. Të sakrifikosh të ardhmen politike në interes të përgjithshëm të shoqërisë, është një guxim që realisht rrallë kush e fut në kombinacion.

Forca financiare e Komunës së Gostivarit, dhe që erdhi si bakshish për Rufi Osmanin ishte edhe ligji për legalizimet. Komuna e Gostivarit në mënyrën më të mirë të mundshme arriti të thith mjetë të konsiderueshme nga ky aktivitet, duke e zbatuar ligjin në përpikëri. 
Përgjithësisht, ishte ky mandati i sfidave, por Rufi Osmani nuk e kursehu veten që të pajtohet me gjendjen ekzistuese, dhe vetëm të liferonte padrejtësitë që i vinin nga pushteti qendror. Nuk duhet të harrohen obstruksionet që i bëheshin nga Policia, për çdo punë të hapur gjithandej qytetit, Policia ishte ajo që zbatonte rregulla të paqena me qëllimin e vetëm pengimin e punimeve infrastrukturore. Nuk duhet të harrohet qasja destruktive e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve sa u përket zbatimit të planeve urbanistike. Qasja e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ishte po aq diskriminuese. Problemet në transportin e nxënësve dhe nxemjes qendrore të shkollave, ishte zotësia e Rufi Osmanit që arriti t’i tejkalon pa u cënuar në asnjë moment interesi i nxënësve dhe mësimdhënësve. E të mos flasim për investimet. Kjo ministri nuk arriti të përfundon asnjë projekt që kishte filluar të ndërtohet para se Osmani të vinte në krye të Komunës.

Problemet e tjera siç janë Deponia dhe Stacioni për filtrimin e ujit të pijshëm, edhe pse kompetencë e Ministrisë së Ekologjisë nuk patën zgjidhje gjatë kësaj periudhe. Të përfshihen gjitha anomalitë qeveritare që rrodhën gjatë katër viteve të fundit ndaj komunës së Gostivarit, është e pamundur. Por se politikat qeveritare ndaj komunës së Gostivarit kanë qenë në rolin e njerkës, dëshmohet nga fakti se qeveria për aq kohë investoi në komunën e Gostivarit as më pak dhe as më shumë se zero denarë. 

Nëse mandati që tani i përfundon Rufi Osmanit kërkon një emërtim, pa shumë hamendje mund ta quanim mandati i sfidës dhe suksesit. E fitoi nga vota e popullit me vetëdijen popullore se ishte një borxh ndaj tij. Vuri në sprovë veten në skajet më ekstreme të mundshme, që komuna e Gostivarit sot të duket kështu siç është, dhe nga pozicioni i një opozitari. Tani që sërish pretendon një mandat tjetër, çka do të thotë populli, ia kanë borxh ose jo, dhe nëse po, pse ?

Dy vitet e para të mandatit, me ose pa dëshirë preku xhepin e qytetarëve në emër të obligimit ligjor që kanë ndaj komunës. Por ato mjete nuk u keqpërdorën, u materializuan që sot komuna e Gostivarit të jetë një rrëfim suksesi gjithandej. Si ta kuptojmë këtë mandat, si mandat që Osmani sakrifikoi veten e tij, ose si mandat që e shfrytëzojë si një privilegj për vetveten. Kjo e fundit, realisht bëhet shumë e pabesueshme, nga fakti se edhe po të donte xhandarmëria i rinte mbi kokë 24 orë. Për katër vite qeverisje, revizorët e shtetit dolën çdo herë duarbosh nga dyert e komunës. Për katër vite qeverisje, antikorrupsioni pati vetëm një zbulim të madh, konstatoi se Rufi Osmani qenka edhe kryetar komune edhe profesor universitar, paska marr dy paga për punët që i ka bërë me përkushtimin më të madh. Oponentët e tij politik, tani në vrullin e kampanjës, duke mos pasur se me çka konkretisht ta akuzojnë, shfrytëzojnë të reshurat atmosferike të shiut për të përgatit ndonjë spot politik me ndonjë “llofokë” uji në ndonjë rrugë të Gostivarit. Borxh edhe një mandat nuk i kemi, por se e meriton as topi nuk e luan, aq më tepër kur rival të tij kryesor ka një person që në vitin 2009 ia mori nga dora timonin e komunës të cilën e kishte keqqeverisur.

Tani, pas katër vitesh, respektivisht pas 8 vitesh nga qeverisja e dy njerëzve pretendentë për të udhëhequr sërish me Gostivarit, të bëhet dallimi nuk është aspak rëndë. Dielli dhe hëna – dita e nata, kanë dallime diametrale. 

Lajme të ngjashme

Back to top button