Hugo Çavez nuk e pa ‘Shkupin 2014’

Honorifico, Comendador! Po të të kish dhënë Zoti më tepër jetë, në mot me siguri do të ishe në Shkup, për të parë “historinë e re”. Krejt si idetë e të ndjerit. Edhe më keq, bile. Lexojmë sot në “Dnevnik”:  “Nëse deri më tani BDI përpiqej që Shkupi të kishte përmendore të rëndësishme për shqiptarët, si dhe objekte nga kultura, tani, sipas paralajmërimeve, maksimalisht do të fokusohet në realizimin e projekteve të këtilla në bastionin e shqiptarëve – në Tetovë.” 

A thua do ta marrin edhe Skënderbeun? Atë Skënderbe, për të cilin disa thoshin: po vini rrota dhe kah të shkoni, merreni me vete! Si duket tani rrotat nuk do të duheshkan. Lëre Skënderbeun, po edhe Hasan Prishtinën (“treshen monumentale”- Bogdani, Bageri, Agolli – askush nuk e përmend më!) e qitën në aut. Dëftesat që morën analfabetët e rritur të arsimuar janë nga shkolla “Cvetan Dimov” e jo nga shkolla “Hasan Prishtina”. A be, gjithçka siç do të thoshte udhëheqësi i madh venezuelian.

Ne këtu vërtet nuk kemi naftë, ama shqiptarët shumë e hanë naftën. Muy amigos, thotë komandanti i Shkupit, shkoni në Tetovë, respeto, sepse unë jua dua të mirën. Për shembull, komandanti juaj atje mund të thotë: “Tetova i ka punët zallahi, si askundi dhe është e zhytur në anarki o avari”. O-o? Kjo është mirë, super. Anarkinë e bën vetë, ndërsa avarinë ta bën, fjala vjen, uji i madh, cunami. Ka pasur cunami Tetova? Plot dhe jo vetëm Tetova. Cili qytet, cili vendbanim gëzon decentralizimin në këtë shtet? Asnjëri. E, pra, Tetova ime e dashur, qyteti im i lindjes, copë e grimë është bërë nga avaritë çaveziane dhe për këtë kurrkujt-kurrgjë.

Po “talatimi” i tashëm?  “Talatimi” i tillë është garniturë: që për Gostivar dhe Tetovë shqiptarët t’i nxjerrin sëpatat dhe të çajnë kryet njëri me tjetrin, ndërsa “petroli i Aleksandrit të Madh” ta vë në lëvizje makinën Made in Hugo kah Struga dhe Kërçova,  që si e si “të korrigjohet” Ligji për ndarjen territoriale të Maqedonisë, i cili gjoja qenkësh në favor të shqiptarëve (nesër në sabah!).

E gjithë kjo ka krijuar precedente në sferën e sigurisë dhe realitete në sferën e pasigurisë. Acalorado Hugo! Ju shkuat, Zoti jua bëftë mirë në atë dynja, po Çaveski nuk po më lë rehat! Shqiptarët politikën e kanë berbat, organizimin e protestave paqësore edhe më berbat, faktori ndërkombëtar po thotë ‘emri, emri të zgjidhet’, po emrin këta hala më tepër e lidhin, jo më ta zgjidhin. Hugërisht, camarada, hugërisht! Domethënë, me avari. Që fillon në Shkup dhe mbaron në…Dojran (të themi në liqenin e Dibrës, do të ishim keqkuptuar!).

Zoti të faltë, Hugo!

Zot, më shpëto dhe mua, një gjysmëshqiptar, një çerekshqiptar, një tetësheshqiptar, një shqiptar! Nga gjithë këta komandantë.

Eh, moj kohë komitare!…    

Lajme të ngjashme

Back to top button