Berisha: Do rishikojmë marrëdhëniet me Serbinë

Kryeministri shqiptar Sali Berisha ka paralajmëruar sot rishikimin e marrëdhënieve me Serbinë, pas heqjes vandale të lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë.

“Qeveria do të shqyrtojë të gjitha marrëdhëniet me Serbinë dhe është e vendosur të bëjë gjithçka në institucionet ndërkombëtare për këtë problem. Ky akt tregon se ka vetëm një rrugë, bashkimi i shqiptarëve. Shqiptarët më shumë se kurrë të punojnë për bashkimin” tha kryeministri.

Ai shtoi me tej se duhet punuar çdo ditë për bashkimin e kombit shqiptar, ndërkohë  kërkoi nga fqinjët të çlirohen nga fobia e akumuluar ndaj shqiptarëve. Qeveria shqiptare dhe Ministria e Jashtme dje reaguan zyrtarisht kundër aktit të heqjes së lapidarit në Preshevë, ndërsa kanë bërë thirrje tek shqiptarët për ruajtjen e qetësisë dhe gjakftohësisë.

Më tej Berisha i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos përdorin standarde të dyfishta për serbët në Mitrovicë dhe shqiptarët në Preshevë. 

“Serbia nuk mund të kërkojë as një të drejtë më shumë se ato që përcaktojnë konventat ndërkombëtare. Ne mbetemi të përkushtuar për paqen, por nuk mund të pranojmë qëndrime të tilla”, theksoi kryeministri Berisha. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button