Raportimi për luftën në Mali, sa është i saktë?

Gazetarëve u pengohet lëvizja e lirë në veri të Malit, në ish-vendin model për lirinë e shtypit në Afrikë ku luftojnë trupat franceze. Ç’ndodh pra vërtet në zonën e luftës është e paqartë.
Kush përpiqet si gazetar të tregojë të vërtetën për një luftë, nuk e ka të lehtë. Normalisht asnjë nga palët në konflikt nuk është e interesuar për një informim të paanshëm. Kështu ndodh edhe në rastin e konfliktit në Mali.

Kur Marc Dugge, korrespondent për radion ARD në Afrikën perëndimore, deshi të nisej për në zonën e luftimeve, u ndalua 100 km larg frontit. “Kemi udhëzime të mos lejojmë asnjë gazetar”, i shpjegoi një person me uniformë. “E para së gjithash asnjë të bardhë.”

Edhe Julien Sauvaget nga kanali televiziv francez France 24 tregon për pengesa: “Kolegëve të Al Xhazirës dhe Reuters u morën për disa orë kamerat në kryeqytetin Bamako.” Sipas Sauvaget kjo tregon “se bëhen përpjekje për të kufizuar raportimin e lirë.”

Liri e kufizuar lëvizjeje
Organizata “Reporterë pa kufij” angazhohet për lirinë e medieve dhe informacionit. “Situata e gazetarëve karakterizohet para së gjithash nga kufizimi i fortë i lirisë së lëvizjes”, thotë Christoph Dreyer, zëdhënës për Afrikën i kësaj organizate. “Ata mund të lëvizin vetëm në jug të vendit ku ka pushtet dhe kontroll qeveria kalimtare.” Si qeveria kalimtare ashtu edhe ushtria franceze i pengojnë reporterët të shkojnë në zonat ku zhvillohen luftimet.

Natyrisht ka gazetarë që përpiqen me inisiativën e tyre të shkojnë në veri të vendit. Por ata rrezikojnë kështu jetën. Situata në zonat e luftimeve është e paqartë. Rebelët janë të përçarë. Gazetarët perëndimorë mund të merren si pengje apo të vriten si përfaqësues të armikut.
Aktualisht, thotë Christoph Dreyer, është thuajse e pamundur të krijosh një pamje të paanshme të situatës. Për shkak të kufizimeve në lëvizje gazetarët në masë të madhe janë të varur nga informacionet që u japin palët në konflikt. “Ne kërkojmë që të garantohet siguria e gazetarëve. Ata duhet të punojnë të papenguar dhe të kenë mundësi të lëvizin në të gjithë vendin.”

Nga model në problem
Jo shumë kohë më parë Mali ishte model sa i takon lirisë së shtypit. Në vend kishte më shumë se 130 stacione radioje, rreth 30 gazeta të përjavshme dhe 6 të përditshme. “Shtypi për një kohë të gjatë kishte mundësi të vepronte shumë i lirë”, thotë Dreyer.

Por pastaj në pranverë 2012 ushtria organizoi një puç kundër presidentit Amadou Toumani Touré. “Qysh atëherë liria e shtypit është cënuar vazhdimisht: gazetarët kërcënoheshin, disa janë rrëmbyer, redaktorët dhe informantët merreshin në pyetje. Ka pasur sulme të armatosura kundër një kanali radioje, shumë gazetarë u rrëmbyen, u rrahën dhe u lënduan rëndë.”

Në mes të vitit të kaluar gazetarët në Mali lanë për një ditë punën në shenjë proteste. “Për fat të keq qeveria kalimtare deri tani nuk ka dëshmuar aspak se mbështet lirinë e shtypit dhe kjo nuk është shenjë e mirë për të ardhmen”, thotë Dreyer nga “Reporterë pa Kufij”.
Por as rebelët islamistë në veri të vendit nuk kanë asnjë interes në raportimet e paanshme. Shumë gazetarë nga veriu i Malit janë larguar në jug të vendit nga frika e reprezaljeve.

Avantazhe për të huajt
Të paktën për reporterët e huaj situata duket se po shtensionohet pak, thotë gazetari francez Julien Sauvaget. “Kjo ka të bëjë para së gjithash me trysninë e madhe që kanë ushtruar përfaqësuesit e medieve.”

Ka ende rezerva, thotë Sauvaget. Por ngadalë po bëhet pak më e lehtë t’u afrohesh ushtarëve, të marrësh informacione të paanshme nga ushtria franceze dhe e Malit dhe të bësh foto dhe intervista.

“Kështu është tek të gjitha ushtritë”, shpjegon Sauvaget: “Askush nuk kërcen përpjetë nga gëzimi kur gazetarët duan diçka. Ata thonë se shqetësohen për sigurinë tonë por është e qartë se duan të kontrollojnë edhe informacionet.” Por në kohën e internetit kjo sidoqoftë është e pamundur. /DW

Lajme të ngjashme

Back to top button