(VIDEO) Xhandarmëria serbe largon permendoren e UÇPMB-së në Preshevë

Xhandarmëria serbe ka larguar permendoren e ish- ushtarëve të UÇPMB-së në Preshevë. Rrugët e qytetit kanë qenë të bllokuara nga një numër shumë i madh i forcave speciale të policisë serbe ndërkohë që xhandarmeria thuhet të ketë marrè me vete përmendoren pas largimit nga qendra e Preshevës.  

Fillimisht mbi 200 pjesëtarë të Xhandarmerisë kanë mbërritur në shesh, ndërsa më pas edhe një eskavator, i cili ka shkulur dhe tërhequr lapidarin nga vendi i vendosur. Më pas, lapidari është hedhur në një kamion, nga ku është transportuar në drejtim akoma të paditur. 

Në aktin e heqjes së lapidarit kanë marrë pjesë edhe komandanti i Xhandarmerisë, Bratislav Dikiq, kryeshefi i policisë së Vranjës si dhe komandanti i stacionit policor të Preshevës, Avdi Bajrami. 

Një pjesë e vogël e qytetarëve kanë ndjekur operacionin e heqjes, ndërsa nuk ka pasur ndonjë reagim të popullatës. 

Kryeministri dhe ministri i MPB-së, Ivica Daçiq ka theksuar se pas të gjithave afateve të tejkaluara dhe limiteve kohore, me urdhër të Ministrisë së Drejtësisë, pjesëtarët e xhandarmerisë kanë hequr lapidarin e vendosur sipas tij në mënyrë ilegale. 

“Serbia tregoi mjaft durim, por edhe ka dërguar porosi të qartë dhe të fuqishme se ligji duhet të respektohet dhe se askush nuk është më i fortë se shteti”, deklaroi Daçiq, duke shtuar se aksioni ka kaluar pa incidente dhe pa përdorimin e dhunës. 

Lapidari i dëshmorëve të rënë të UÇPMB-së dhe UÇK-së u vendos në nëntor të vitit të kaluar me rastin e festës së 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar. Kryetarët e komunave dhe këshilltarët komunal të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit ishin deklaruar kundër heqjes së këtij monumenti përkujtimor, ndërsa dje u lansua lajmi se ishte dhënë një propozim për zhvendosjen e këtij lapidari pranë xhamisë së qytetit.

Lajme të ngjashme

Back to top button