“Serbët nuk do t’i paguajnë doganat”

Përfaqësues të komunave veriore të Kosovës do të mblidhen në Zveçan të hënën për të diskutuar marrëveshjen e fundit për doganat të arritur në Bruksel mes kryeministrit kosovar Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Dacic.

Në seancë do të marrin pjesë kryetarët ilegalë të komunave veriore dhe politikanë tjerë që veprojnë në veri të Kosovës.

Ndërkohë, Slavisa Ristic nga Zubin Potoku, ka thënë se serbët “nuk do t’ia paguajnë doganat e as tatimet shtetit të pavarur të Kosovës”, transmeton Rel.

Në anën tjetër, zyrtarë të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë kanë thënë se marrëveshja e arritur për doganat është në interes të serbëve.

Kryeministri i Kosovës, pas takimit të së enjtes në Bruksel, ka thënë se “doganat do të paguhen sipas standardeve që ka caktuar Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës”.

Ndërkaq, homologu i tij serb, Ivica Dacic tha se paratë e mbledhura nga doganat në veri do të mblidhen në një fond që do të themelohet nga Bashkimi Evropian dhe ato do të shfrytëzohen vetëm për veriun e Kosovës. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button