ELEM-i investon për një të ardhme më të mirë energjetike

Përcaktimi strategjik afatgjatë i menaxhmentit të SHA ELEM është rritja, zgjerimi dhe zhvillimi i kapaciteteve për prodhimin e energjisë elektrike, por me prioritet të lartë mbi optimizimin e prodhimit në kuptimin ekonomik, financiar dhe teknologjik.

Këtë e thekson Dejan Boshkovski, drejtori i përgjithshëm i SHA “Centralet e Maqedonisë” në intervistën për MIA-n.

“Qëllimi ynë është përmes optimizimit të arrijmë nivelin minimal të shpenzimeve, por përmes prizmit të maksimizimit të produktivitetit dhe shfrytëzimit të resurseve. Vetëm kështu do të mbetemi në trasenë e qëndrueshmërisë që është qëllimi kryesor. Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë kapacitete dhe t’i përforcojmë performancat e atyre objekteve të cilat tashmë i kemi në dispozicion. Kjo në afat të gjatë do ta bëjë Republikën e Maqedonisë vend të pavarur energjetik”, thekson Boshkovski.

Qeveria, thotë ai, përmes ELEM-it investon në prodhimin vendor.

“Besoj se për dhjetë vjet që tani, imazhi energjetik i Republikës së Maqedonisë do të përmirësohet dukshëm me burime të reja të energjisë elektrike. Edhe pse viteve të fundit janë ndërmarrë investime të mëdha në projektet energjetike, rezultatet dhe përfitimet prej tyre mund t’i presim për katër deri në gjashtë vjet”, potencoi Boshkovski.

Investojmë, shton ai, që të sigurojmë të ardhme energjetike stabile për gjeneratat e ardhshme.

“Qëllimi ynë dhe përcaktimi ynë korporativ është si kompani në vazhdimësi të investojmë në projekte të reja investuese të cilat në afat të gjatë do të sigurojnë elektro sistem energjetik stabil dhe të besueshëm. Po punojmë në projekte për modernizimin dhe revitalizimin e elektranave ekzistuese me të cilat disponojmë, si dhe në ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese.
SHA ELEM, thekson, duke parë në perspektivë më të largët, vazhdon edhe me aktivitetet për aktivizimin e shtresave të qymyrit me qëllim të vazhdimit të jetëgjatësisë së termocentraleve Manastir dhe Osllomej.

Ai theksoi se është në vijim edhe përpunimi i projektit kryesor për minerale për hapjen e minierës me eksploatim nëntokësor në Mariovë.

Lajme të ngjashme

Back to top button