Vedat Muriqi, futbollisti me këmbë nr. 48.5

Përforcimi më i ri i skuadrës së Teutës së Durrsit, shqiptari nga Prizreni, Vedat Muriqi, është bërë temë kryesore për mediat në Shqipëri dhe atë jo vetëm për transferimin e mesfushorit në Durrës por edhe për një karakteristikë të veçantë të prizrenasit i cili e ka madhësinë e këmbës 48.5.

Po të mos ishte farefisi i ngushtë i Vedat Muriqit që jeton jashtë Kosovës, mesfushori i Teutës, vështirë se do të luante futboll. Problem nuk do të ishte as mungesa e talentit, e as aftësitë, por këmba e tij e madhe.

Këmbët e Muriqit e kanë numrin 48.5.

Talenti i ri prizrenas furnizohet me këpucë nga Finlanda, Austria dhe Zvicra, vende këto ku jetojnë të afërmit e tij.

“Po të mos ishtë familja ime, unë vështirë se do të gjeja këpucë për të luajtur. Në veçanti më ka shpëtuar tezja ime që jeton në Finlandë, e cila vazhdimisht m’i çon këpucët. Pastaj janë edhe disa të afërm të tjerë që jetojnë në Zvicër dhe Austri”, – thotë Muriqi. Këmba e madhe nuk është rast i shumtë në futbollin botëror, por kjo nuk e pengon Muriqin të bëjë karrierë. “Nuk kam asnjë problem më të vogël që e kam aq këmbën e madhe. Ka raste, kur më thonë pse e ke aq të madhe. Por i kuptoj se ajo është vetëm shaka. Nuk e di nëse ka ndonjë lojtar këmbë më të madhe në botë, por nuk jam i preokupuar aspak. Zoti më ka falur kështu dhe unë do të vazhdoj të luaj futboll dhe të arrij shumë na karrierën time”, – shtoi ai.

Lajme të ngjashme

Back to top button