Edhe 70 poezi të Ali Podrimjes do të përkthehen në greqisht

Poezi të tjera të poetit Ali Podrimja do të bëhen të njohura për artdashësit grekë. Përkthyesi Iljaz Bobaj ka përkthyer edhe 70 poezi të poetit emblematik Ali Podrimja, të cilat do të botohen në një vëllim që pritet të shohë dritën e botimit këtë vit në Greqi.

Bota artistike e Podrimjes është bërë e njohur që nga viti i kaluar për dashamirët e poezisë në Greqi me botimin e përmbledhjes “Harta e grisur”, e cila po ashtu është përkthyer nga Iljaz Bobaj. Kjo përmbledhje pak më vonë kishte fituar shpërblimin e lidhjes së shkrimtarëve grekë “Kafeneja e ideve”, udhëhequr nga kritiku, romancieri e eseisti i mirënjohur Dino Kubati.

“Si bazë mbetet libri ‘Harta e grisur’, i cili është një përzgjedhje e poezive të Podrimjes prej të gjithë librave të tij, veçanërisht prej veprave të tij të fundit, e cila ishte edhe një dëshirë e Podrimjes. Por natyrisht atij i janë shtuar edhe poezi të tjera, të cilat i kemi parë të arsyeshme t’i shtohen kësaj përmbledhjeje, për ta paraqitur më të plotë poezinë e Podrimjes para lexuesve dhe studiuesve grekë”, ka thënë Bobaj.

Por përkthyesi që e ka bërë të njohur poetin në vendin Helen, Bobaj, thotë se tashmë janë gati edhe poezitë e tjera,

“Libri është gati për botim, do të botohet gjatë këtij viti”, ka thënë Bobaj. “Përzgjedhja është bërë prej meje në bashkëpunim me autorin, kur ai jetonte ende, natyrisht mbi kritere cilësie, por edhe për të plotësuar gjeografinë poetike podrimjane”, ka thënë më pas Bobaj.

Pas vdekjes së Podrimjes, miqtë e poetit Dino Kubatis e Kostas Valetas kishin organizuar një mbrëmje poetike, ku është folur për jetën dhe veprën e poetit kosovar. Podrimja u gjet i vdekur në Lodeve të Francës, në korrik të vitit 2012, teksa kishte shkuar atje për të përfaqësuar Shqipërinë në festivalin e poezisë “Zërat e Mesdheut”. Ai u varrosur në Prishtinë me nderime të larta./MIA

Lajme të ngjashme

Back to top button