Cristiano Ronaldo dëshiron të qëndrojë në Madrid

Cristiano Ronaldo e bën të qartë se nuk ka ndërmend të largohet nga Reali i Madridit. Në kulmin e krizës së rezultateve në kampionat, lideri i skuadrës së Jose Mourinhos vendos pikat mbi “I” duke qartësuar të ardhmen e tij.

“Dua të jemi i qartë në këtë pikë. Do të respektoj kontratën që kam deri në vitin 2015. Nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen por në Madrid jam i lumtur sepse shijoj çdo ndeshje. E di mirë se sa më fat jam që luaj për këtë skuadër”.

Në vijim të intervistës dhënë për FIFA-n, numri 7 del në krah të bashkëkombasit Mourinho, duke ashpërsuar tonin.

“Tifozët e kontestojnë dhe i respektojmë për këtë por unë mendoj se duhet të jenë më të duruar. Personalisht e kam shumë të qartë se Mourinho do më të mirën për klubin dhe unë do të luftoj deri në vdekje për ta mbrojtur. Në opinionin tim, Jose është trajneri më i mirë në botë sepse ka fituar gjithçka aty ku ka punuar”.

Ashtu si “Special One” edhe Ronaldo është rrethuar përherë nga një ambient kontrovers, por sulmuesi ka mësuar të jetojë më këtë problem.

“Nuk e di pse ndodh kjo gjë dhe nuk mund të jap një përgjigje të sigurt. Njerëzit që më njohin dhe luajnë me mua, e dinë se çfarë njeriu jam. I pres me krahë hapur kritikat sepse çdo futbollist duhet të mësohet të jetojë me to”.

Shkurti do ta vendosë portugezin përballë ish skuadrës së tij, Manchester United. Real Madrid gjen në Champions League një kundërshtar të vështirë dhe me shumë eksperiencë, por Ronaldo ka vetëm një objektiv, kualifikimin.

“Të gjithë e duam trofeun e dhjetë. Vitin e shkuar ishim shumë pranë por për fat të mirë këtë vit mund të korrigjohemi. Duhet të tregohem realist, kemi 50 % mundësi për të kaluar në fazën tjetër dhe unë jam shumë optimist”./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button