Reinhardt: Mitrovicën e ndanë ndërkombëtarët

Ish- komandanti i KFOR-it në Kosovë, Klaus Reinhardt, tha se Mitrovicën e ndanë ndërkombëtarët. Madje, ai tha se po të ishte komandant i KFOR-it, nuk do të lejonte asnjë barrikadë. Ish-komandanti tha se kishte tentuar ta zgjidhte problemin e ndarjes së Mitrovicës, por që në atë kohë politika ndërkombëtare e kishte penguar.

Njeriu i cili udhëhoqi trupat e NATO-s menjëherë pas luftës, në vitet 1999-2000, megjithatë, tha se në Kosovë është bërë shumë progres.
“Kur unë e kam marrë detyrën time, Mitrovica veç se ishte e ndarë. Atë kohë jam munduar me të gjitha mundësitë e mia ushtarake, por edhe me të gjitha nivelet politike që ta ndaloj këtë ndarje. Kam kaluar shumë më shumë kohë që ta zgjidh çështjen e Mitrovicës sesa me angazhimet tjera. E kam hapur ‘Kutinë e pandorës’, dy herë në përpjekje për ta zgjidhur problemin e ndarjes, por më ka penguar dhe nuk më ka lejuar politika, natyrisht politika ndërkombëtare”, u shpreh ish-komandanti i KFOR-it, Reinhardt gjatë ligjëratës që mbajti në Kolegjin ISPE, me temën “Anëtarësimi i Kosovës në NATO, sfidat dhe mundësitë”, shkruan Zëri.

Megjithatë, Reinhardt nuk deshi të fajësojë asnjë kontingjent e as shtet që atë kohë ishte pjesë e KFOR-it, sepse siç tha ai ndër ato kontingjente kishte shumë mendime të ndryshme.
Sa u përket barrikadave, ai tregojë se si edhe në kohën e tij, kishte barrikada sidomos në Rahovec dhe Obiliq, por që ka arritur t’i heqë të gjitha.

“Të gjitha kontingjenteve që i kam pasur në komandën time u kam thënë që nuk dua bllokada në rrugë dhe i kemi hequr që të gjitha. Në Mitrovicë rruga nga ura e Ibrit për në Leposaviq ka qenë e bllokuar nga grupe serbësh. Në mëngjes i dërgova ushtarët dhe tanket nga kontingjenti danez atje, ndërsa në mbrëmje rruga ishte e zhbllokuar, kjo ishte edhe barrikada e fundit në mandatin tim. Nganjëherë ju duhet ta tregoni fuqinë që e keni por jo ta përdorni atë por të tregoni se jeni të fuqishëm”, tha Reinhardt.
Ai foli edhe për platformën serbe, për të cilën tha se Kosova nuk duhet të frikësohet.

“Rezolutat nuk janë të përjetshme, historia ka treguar që ato mund të ndryshohen, nuk mund të thuhet se diçka është shkruar me shkronja të hekurta dhe nuk bënë të ndryshohet. Mendoj se është edhe në interes të Serbisë, që të pajtohet me ju pasi që ndryshe nuk do të mund të përfitojë asgjë nga BE-ja”, shtoi ai.
Në lidhje me të ardhmen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Reinhardt tha se kjo forcë po ecën në rrugë të mirë, por shtoi se nuk ka nevojë të nguten për ta krijuar ushtrinë.

“Nuk e di cilat janë kapacitetet aktuale të FSK-së për një transformim në ushtri. E di që kjo do të ndodhë, dhe nuk ka rëndësi këtë vit apo vitin tjetër apo edhe më vonë.
Këshilla ime është që të mos investoni shumë para në ushtri, mos ndërtoni armatë të madhe e as të bukur, sepse askush nuk do t’ju sulmojë. Shteti i Kosovës është i rrethuar nga vendet të cilat janë në paqe me përjashtim të serbëve, që nuk janë krejt paqësorë, por të cilët më kurrë nuk do të kthehen në Kosovë”, u shpreh ai.

Lajme të ngjashme

Back to top button