Sinjalet e mentalitetit tonë kolonialist

Ndonëse në shiqim të parë duket se ngjarjet makabër të fundvitit gjetën ‘qetësi’ në kremtimet rutinore dhe shpresat për një jetë më të mira, është e natyrshme që një tronditje e tillë shoqërore dhe politike të trajtohet sipas të gjitha dimensioneve. Nëse për asgjë tjetër, të paktën që të mos ndodhin sërish. Meqë gabimet më të rënda janë pikërisht ato që përsëriten, vlen të përkujtohemi se demokracia kuvendore nuk u përmbys më 24 dhjetor 2012. Premiera e rrënimit institucional kishte zanafillë më 25 shtator 2007, duke u ripërsëritur në një version më të shkurtë më 1 korrik 2010. Kjo e vërteton defektin tonë institucional dhe deficitin e thellë demokratik, që gabimisht e trajtojmë si temë të mbyllur, madje e bindim veten se jemi gati për integrime euro-atlantike. 

Në fakt, java e fundit e dhjetorit jo vetëm që e dëshmoi nivelin tonë të mjerueshëm kundrejt parimeve të civilizuara demokratike, por nxorri në pah edhe një gjë tjetër që pothuajse ishte harruar: mentalitetin kolonialist, të rrënjësuar thellë në realitetin dhe shoqërinë tonë.  

Teoria e definon kolonializmin si instalim dhe aplikim të pushtetit mbi një popullatë të nënshtruar, duke e ndarë grupin pushtetmbajtës nga popullata që mbahet nën kontroll. Për rastin tonë konkret, meqë nuk ka okupim klasik, më tepër vlen mentaliteti kolonialist, që fokusohet tek ndjenjat e sistemuara të inferioritetit nga populli që i është nënshtruar kolonializmit, duke e pranuar sunduesin si më të fuqishëm dhe më superior në të gjitha fushat. 

Fatkeqësisht, pjesa dërrmuese e opinionit publik shqiptar mbeti indiferente ndaj ndodhive brenda dhe jashtë Kuvendit. Duke e vështruar gabimisht buxhetin si një çështje ndër-maqedonase, harrohet ose tentohet krijimi i harresës që buxheti dhe institucionet e këtij shteti janë edhe brengë e jona, po aq sa edhe e popullatës-shumicë. Kjo është pika e parë ku shfaqet mentaliteti i ngulitur kolonialist – dhuna institucionale dhe tema kyçe e të hollave publike nuk perceptohen si problem thelbësor që i tangon të gjithë qytetarët dhe mbi të gjitha, tatimpaguesit e vendit ku bëjmë pjesë edhe ne. Fakti që këto tema trajtohen si të huaja, duke i larë duart nga përfaqësuesit e zgjedhur shqiptarë, e dëshmon dorëzimin institucional të votuesve shqiptarë, që mbetet totalisht i izoluar nga uzurpimi dhe dhuna strukturore. Arsyetimet infantile se këto janë tema për të cilat maqedonasit duhet ta çajnë kokën mes vete, vetëm se i favorizon ata për temat kryesore të shtetit, me çka konfirmohet realiteti sfidues i painteresimit tonë për temat që e tejkalojnë 20 përqindshin – flamuri, gjuha dhe administrata publike-partiake.     

Momenti i dytë i mentalitetit kolonialist theksohet tek elitat politike shqiptare, me përjashtim të atyre që kanë kuptime ekonomike më të thella se ndarja e ‘tallit’ tenderik. Mospërfshirja në debatet parlamentare ekonomike, energjetike, madje edhe bujqësore, me saktësi e pasqyron inferioritetin mbizotërues, duke ia lënë temat kritike sunduesit të koalicionit, që merr vesh gjithçka meqë është më i madh. Ky pasivitet institucional vetëm se e konfirmon mendësinë kolonialiste të udhëheqësve aktualë dhe atyre që momenti i gjeti në opozitë. Tashmë kur e pranojnë vetë rolin e të nënshtruarit dhe nuk dalin përtej gardhit të përcaktuar nga sunduesi i tavolinës, ata natyrshëm merren vetëm me temat që ju përcaktohen si të denja për partnerët e vegjël.   

Kolazhi i këtij mentalitetit dështak do të ishte i paplotë pa elementin e tretë – shkurtpamësinë e gazetarisë shqiptare. Pothuajse pa përjashtime, llogaria për ngjarjet kërkohet nga dominuesi i koalicionit, kurse të gjitha akuzat për dajakun institucional i përshkruhen Kryeministrit dhe institucioneve nën kontrollin e tij. Anash dobësive bazike analitike, qasja e këtillë vetëm se e dëshmon pafuqinë e faktorit politik shqiptar. Fakti që as gazetarët pro-qeveritarë nuk kërkojnë llogari nga efektivët shqiptarë tregon më së miri se pavarësisht patronazhit partiak dhe financave të derdhura, edhe ata vetë e dinë kapacitetin e politikanëve shqiptarë, andaj nuk i pyesin ata aspak. 

Vështrimi i institucioneve si diçka e huaj e që nuk ka takon neve, është shembull i shkëlqyeshëm për qëndrimin tonë të nënshtruar. Kjo është pikërisht ajo që dëshirojnë sundimtarët – vartës që sillen si mysafirë dhe kalimtarë rasti ndaj fatit të tyre. Mendësia se ne jemi në rregull, por maqedonasit kanë problem me institucionet, është po aq defekte sa edhe bindja e mëhershme e maqedonasve që shteti nuk ka dobësi, por që vetëm shqiptarët kanë telashe me demokracinë. Kaluan disa vite prej kur u dha premtimi qesharak që shqiptarët do të anëtarësohen në BE dhe NATO, pa dallim maqedonasve. E kaluara e dëshmoi që integrimi nuk bëhet me mëhalla, por në nivel shtetëror. Fatkeqësisht, ndodhitë e fundit e treguan sërish jo vetëm nivelin e injorancës së elitave tona, por edhe matricën e instaluar të mendimit deri tek gardhi partiako-lokalist, sipas koordinatave tashmë të përcaktuara.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button