Kufijtë në OKB, Ministria e Jashtme: Nuk ka marrëveshje me Greqinë

Ministria e Jashtme e Shqipërisë parashikon të shqyrtojë qëndrimin zyrtar ndaj Athinës, në rast se Greqia do të dorëzojë në OKB në mënyrë të njëanëshme hartat e ndarjes së kufijve detarë me shtetet fqinjë.

Qëndrimi konfirmohet për “Gazeta Shqiptare” nga burime zyrtare pranë kësaj ministrie, pak ditë pasi mediat greke publikuan një lajm të tillë.

“Po e ndjekim me shumë vëmendje çështjen. Derimë tani kemi konstatuar se nga pala greke ende nuk është ndërmarrë një hap i tillë në rrugë zyrtare. Ne do të shqyrtojmë me rëndësi të veçantë çështjen e do të bëjmë lëvizjen tonë në momentin që kjo nisëm do të konkretizohet, gjithmonë në interesin më të mirë të Republikës së Shqipërisë.

Ne do të shqyrtojmë hapat që do të ndjekim vetëm në rast të deklarimit të njëanshëm të Greqisë në OKB”, – konfirmuan për GSH, burime zyrtare të ministrisë së Punëve të Jashtme. Vetëm pak ditë më parë gazeta e madhe greke “To Vima” publikoi lajmin se Greqia po sheh mundësinë për të paraqitur në OKB koordinatat e kufijve detarë dhe Zonave Ekonomike Ekskluzive, të përcaktuara në mënyrë të njëanshme prej saj. Sipas gazetës, ky variant mbështetet edhe nga kryeministri Samaras dhe raporti ka gjasë të dërgohet në OKB në muajt e parë të vitit 2013. 

ATHINA 

Greqia nuk ndryshon qëndrim lidhur me përcaktimin e njëanshëm të Shelfit Kontinental dhe Zonave Ekonomike Ekskluzive, edhe pas paralajmërimeve të Turqisë. Ministri i Jashtëm grek Dimitris Avramopulos në një intervistë për shtypin grek, duke iu përgjigjur pyetjes për zonat ekonomike ekskluzive, deklaroi dje se askush nuk mund ta kërcënojë Greqinë për një çështje të tillë. 

“Për një çështje që është e drejtë sovrane e çdo vendi, askush nuk mund të na kërcënojë. Greqia është e vendosur për të mbrojtur interesat e saj, që janë të garantuara nga ligjet ndërkombëtare”, – është shprehur Avramopulos.

Disa ditë më parë ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu i tërhoqi vëmendjen Greqisë të mos bëjë hapa të njëanshëm për zonat ekonomike ekskluzive, pasi në këtë rast edhe Turqia do ndërmarrë hapat e saj. “Në këto kushte është e rëndësishme që hapat të ndërmerren bashkërisht dhe përmes konsultimeve. Gjithkush e di qëndrimin kombëtar të Turqisë. Në një rast të tillë, dhe Turqia do të marrë hapat përkatëse. Por shpresoj se nuk do të nevojitet një gjë e tillë. Tashmë ekziston në një mekanizëm bashkëpunimi me Greqinë”, – paralajmëroi mes të tjerash shefi i diplomacisë turke./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button