Android apo Apple, kush është më revolucionar?

Për vetëm 8 vite, kompania e njohur “Google” arriti që Android-in ta transferojë në sistemin operativ më të njohur për pajisjet celulare. Gjiganti i makinës kërkimore (Google) e bleu “Android-in” në vitin 2005 dhe prej atëherë deri më sot ka arritur shifrën e 250 milion pajisjeve të aktivizuara që nga viti i kaluar. Kjo rritje e madhe shkaktoi frustrim edhe për miqtë e tij kundërshtarë iOS (Apple) të cilët kishin vetëm 104.7 milion pajisje të aktivizuara. 

Të gjithë jemi në njohuri të “luftës” që zhvillohet në mes Android-it dhe Apple-it (iOS), por ajo që mbetet më interesante është dalja në treg e disa pajisjeve celulare nga disa kompani të njohura (Samsung, HTC, Sony etj.) të cilët kanë për bazë një sistem operativ Android dhe numri i shitjeve të këtyre pajisjeve kohët e fundit (më saktësisht – Samsung Galaxy S3) kaloi dukshëm numrin e pajisjeve të shitura nga Apple në produktet e tyre iPhone 4S dhe iPhone 5. 

Sistemi Operativ Android ka arritur aq shumë sa që kanë arritur shifrat në 1.3 milion regjistrime në dite, që d.m.th se 15 pajisje Android po aktivizohen çdo sekondë. Gjithashtu vlen të theksohet se 3 nga 4 pajisje të shitura në tremujorin e fundit përdorin Android. Pra, të gjithë pyesin se si mund ky sistem operativ për kaq kohë të shkurtër të arrijë kaq ndikim në përdorimin tonë të përditshëm të pajisjeve celulare? Kësaj pyetjeje do të mundohemi t’i përgjigjemi në paragrafët e mëposhtëm;

Një ndër avantazhet më të mëdha të sistemit operativ “Android” është vetë fakti se është projekt i hapur (Open Source) që d.m.th është falas dhe reproduktimi i tij apo çdo ndryshim mund të bëhet pa marrë parasysh të drejtat e autorit apo kompanisë që e drejton projektin, në këtë rast Google.

Duke u nisur edhe nga fakti se shumë modifikime vijnë edhe nga vet komuniteti i Android-it, një uebfaqe – forum i njohur (www.xda-developers.com) merret vazhdimisht me modifikime të sistemit operativ me ç’rast plotësojnë nevojat përdoruesve me pajisje Android më të vjetër ose të bllokuar.   

Komuniteti i Sistemit Operativ Android është shumë i madh, kështu që gati se çdo ditë mund të hasësh ndonjë modifikim, risi apo zbulim sa i përket Android-it, por më e mira është se të gjitha këto publikohen për publikun dhe të gjithë ata që kanë një pajisje me sistem operativ Android mund t’i provojnë ato.

Përdorimi i shumë aplikacioneve në të njëjtën kohë (Multitasking):

Duke filluar që nga verzioni 1.0, në Android ka qenë e mundur të përdoren shumë aplikacione në të njëjtën kohë pa marrë parasysh a janë programe të sistemit operativ ose programe të tjera nga shitorja e Android-it (Play Store). 

Në krahasim me rivalin e tij iPhone nuk ofron përdorim të limituar të aplikacioneve në të njëjtën kohë, por lejon që disa programe si Mail, Music dhe Phone, të qëndrojnë në prapavijë. Bile, përdoruesit e Android-it gjatë kohë kanë pasur kënaqësinë të pranojnë njoftime (Notifications), të dëgjojnë muzikë dhe të përdorin GPS-in pa mos qenë aplikacioni i hapur, në shumicën e rasteve edhe kur ekrani i pajisjes është i fikur.

Shfaqja e informacioneve  në shumë dritare (Home Screens)

Një nga funksionet më kryesore dhe që e dallon nga të tjerët është përdorimi i shumë dritareve në ekranin kryesor. Këto dritare mund të qasen kurdo dhe në çdo moment, gjithashtu mos ta përjashtojmë mundësinë se në këto dritare mund të vendosim funksione të shpejta (Widgets) që na lehtësojnë punën. 

Mund të kemi disa butona për aktivizim dhe ç’aktivizim të Wifi, Bluetooth, për ndaljen e zërit, etj, qasje të shpejta të cilat në krahasim me rivalin e tij iPhone ku për një qasje të tillë duhet të shfletojmë faqen e konfiguracionit për disa minuta. Dritaret në Android gjithashtu të japin informata bazë për një përdorues të thjeshtë, si parashikimi i motit, kërkimi në Google me një klikim, shfaqja e njoftimeve në Facebook, shikimi i kalendarit etj., të gjitha këto mundësohen me vetëm një rrëshqitje të gishtit.

Mundësia e zgjedhjes së pjesëve harduerike

Kur blen një produkt të Apple-it të ofrohen një numër i caktuar i zgjedhjeve sa i përket memories së brendshme, ke mundësinë të zgjedhësh 8GB, 16GB, 32GB, ndërsa në Android është ndryshe, këtu mund të zgjedhësh se sa e shpejtë dëshiron të jetë pajisja, sa memorie Ram dëshiron të ketë, mund të zgjedhësh prodhuesin dhe më e rëndësishmja është se mund të zgjedhësh madhësinë e ekranit që, meqë ra fjala, janë shumë më të mëdha se të rivalit të tyre iPhone. 

Duke marrë parasysh se këtu jemi më të lirë të zgjedhim atë që duam, momentalisht në treg gjendet një ndër pajisjet më të shitura Android dhe njihet me emrin Galaxy S3 dhe është i prodhuar nga kompania e njohur Samsung. Ky produkt ka shfaqur në treg disa opsione që hedhin poshtë çdo produkt tjetër dhe ka një performancë të jashtëzakonshme si dhe një ekran të ndjeshëm (sensitive) prej 4.8 inç. 

Nuk përjashtojmë edhe mundësinë e pajisjeve edhe më të shpejta se Samsung Galaxy S3 si Oppo Find 5, por këto prodhohen nga kompani Kineze dhe ndikimi i tyre nuk është shumë i madh në krahasim me produktet tjera

Të gjitha këto funksione, i gjithë ky dizajn, këto fakte që përmendëm e bëjnë Android-in revolucionar. Sepse krahas ndikimit social që është duke e bëre Androidi, në të ardhmen do t’i mundësojë secilit të ketë qasje në internet përmes një pajisjeje të thjeshtë që shfrytëzon këtë sistem operativ.

Pra, si përfundim mund të themi se Android-i ka një të ardhme premtuese, të cilën ne vetë jemi në pritje ta shohim, pse jo, revolucionin e ardhshëm teknologjik.

Lajme të ngjashme

Back to top button