PD: Rama të tregojë të ardhurat e tij dhe të bashkëshortes

Partia Demokratike (PD) ka reaguar sërish ndaj deklaratave të PS-së për të ardhurat e fëmijëve të kryeministrit. Zëdhënësja e PD-së Laura Vorpsi i parashtroi një sërë pyetjes kreut të PS-së Edi Rama në lidhje me të ardhurat e tij dhe të bashkëshortes Linda Basha.

“Në mbrojtje të xhepistit ordiner Barjaba, Rama u deklaroi shqiptarëve se ai kishte kryer një xhest të papranueshëm, cënimin e pronës private prej 238 dollarësh dhe se sipas z.Rama, Barjaba nuk qenka problemi i Shqipërisë. Bazuar në këtë qëndrim të z. Rama, Partia Demokratike fton shqiptarët t’i shtrojnë këto pyetje kryetarit të PS-së Edi Rama. Cili është burimi i 100 milion lekëve të huas pa interes që zonja Lindita Basha ka deklaruar në ILDKP? A është e lidhur kjo shumë me veprimtari të përbashkëta me Barjabën? Për ç’ arsye kjo shumë nuk është transferuar nëpërmjet bankave? A janë këto 100 milionë lekë para’ të pastra të tatuara apo para’ të fshehura e të lara? A mund të bësh transparencën para publikut historikun e pallatit të Linda Bashës? Leja për pallatin ishte apo jo në konflikt interesi dhe a janë zbatuar kërkesat e ligjit në rastin e pallatit të bashkëshortes tënde dhe nëse ky pallat apo leja e ndërtimit ishin pajë e ndonjërit partner prej jush? Bashkëshortja jote Lindita Basha, sa projekte ka përfituar nëpërmjet Kosta Barjabës dhe a ka ndarë me të shuma të këtyre projekteve?” theksoi zëdhënësja.

Sipas Vorpsit, Rama për më se dy javë me radhë, nxjerr zëdhënësin e tij të paguar për të shpifur për të ardhura të familjarëve të kryeministrit të realizuara nga: veprimtari profesionale, mësimdhënie, botime, qera apartamentesh, trashëgimi familjare, burime tërësisht të ligjshme lehtësisht të verifikueshme të deklaruara në çdo qindarkë, në tatime të kalura të gjitha nëpërmjet sistemit bankar të deklaruara në çdo qindarke në ILDKP dhe të verifikuara nga ky institucion.

“Përse Z. Rama nuk lejon shpifësin tënd të paguar të paraqitet para trupit gjykues për të faktuar shpifjet e porositura nga ti dhe… A përdorni ju ndonjë dosje hetimi për trafik droge të zëdhënësit tuaj për ta detyruar të shpifë çdo ditë me gojën tënde? Në rast se ju z.Rama keni nevojë për ndihmë për përgjigje të hapura ndaj këtyre pyetjeve, ne edhe mund t’ju ndihmojmë!” përfundoi deklaratën zëdhënësja e PD-së./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button