Shteti i Partisë!

Ka përparuar demokracija! Dikur nuk ka pasë kaq transparencë! Loja luhej kinse me kundërkandidat! Lyheshin sytë me akull! Manipulime me vota! Telashe ! Demokracia dikurë,ishte një telashe e madhe ndër ne! Tash gjërat dihen! Kundërkandidatët nxirren prej loje, ende pa filluar loja. Mjetet nuk zgjidhen! Edhe populli e ka kuptuar se duhet të votohet ai që ka mbetur në lojë! Edhe miqtë ndërkombëtarë e kanë kuptuar krejt këtë vetëm si një lojë gladiaorësh! E përkrahin atë që mbijeton! Atë që është më i egër! Të tjerat janë çështje teknike! Se kush e propozon udhëheqësin, se kush ja numron meritat para masës për shembull, kjo është krejt veq një çështje teknike!! Ai që serviloset më së shumti, ai deri në mandatin e ardhshëm është ylberi i partisë dhe i pushtetit familjarë! I pushtetit të dostave! Është i paprekshëm! Si vet shefi!
Këndej, parti e qeveri, sikur mishi e thoni! Nuk është me rëndësi në cilën parti je! E ndërron partinë e prap mbetesh minister! E ndërron orientimin ideologjik, e nuk ndryshon asgjë! Deri në mbrëmje jemi të majtë, pas mesnate bëhemi të djathtë! Punë e madhe! Sen nuk ndryshon! Kjo nuk është veq mafi, si po pretendon opozita! Kjo është lëvizje dostash! Këndojnë edhe zemrat tona: ”Prej partie në parti, grusht qeliku, jemi një”! Një janë!

Mos të ishte fjala Konventë, krejtë dukej si në ditëtë më të mira të demokracisë proletare! Por, qeveria më e mirë në botë nuk ka faj! Atë nuk e kontrollon kurkush! Nuk ka kush! Parlamenti është një lëmsh i madh. Deputetët janë të partisë vetëm derisa të kryhen zgjedhjet! Pastaj janë në shitje! Parlamenti nuk ka kufar ndikimi në ekzekutiv. Nga përgjimet tashmë e kuptuam se ka kush e rahaton, parlamentin!E, populli, nuk po përzihet në politikë! As në votime s’po del! 

Pse me u përzie !

Po thotë se politika është kurvë, e politikanët, jo! Politikanët janë të virgjër! Melaqe!
Kështu, edhe perandorët e lashtësisë , sikur udhëheqësi ynë, e kishin të njejtin problem. Ata konsideroheshin si gjysëmperëndi dhe bisedonin drejtpërdrejtë me perënditë. Pa ndërmjetësues, e pa kontrollues. Nuk e përcillnin lartë vullnetin e qytetarve! Po çfar, qytetarësh!
Ata te qytetarët e sillnin veq vullnetin e perëndive. E në emër të perëndive bënin çka donin vet! Kështu funksiononte sistemi! Kuptojeni këtë vetëm si metaforë e jo blasfemi! Edhe atëherë perandorët e sillnin poshtë verdiktin e perëndive, të cilin qytetarve ua përcillnin përmes televizionit publik! Drejtpërdrejtë, dmth! Demokraci e drejtpërdrejtë !

Nejse, ju do të thoni se atëherë nuk kishte televizione! Nuk kishte, pajtohem! Por kishte sheshe! Perandori i drejtohej masës, drejtpërdrejtë! Bënte publikë vullnetin e perëndive dhe vullnetin e vet! Edhe ne, sheshet i kemi rahatue, gati! Prej ndërtesës së projektueme mbrapsht, udhëheqësi mundet me dalë në dritare e me folë me popullin drejtpërdrejtë! Me u knaqë! E tundë dorën dhe përkdhelë masën me sy! Masa blegërinë!

E skandalet? Qy, skandalet! Opozita po plasë që s’po mundet me ardhë te arka e shtetit! Rren janë! Pastaj, s’ka faj kërkush për skandalet. Sidomos jo shefi! Ministrat nuk i ka zgjedhë ai! Ata janë mbledhur vet aty! I kan uzurpue postet! Janë deleguar nga familjet e forta! E dihet tashmë nga deklaratat,se shteti ynë kujdeset për familjet! Familjet e forta. Më e forta e jep kryeministrin!

E kur jemi te kryeministri, nuk e di a ka ndonjë lidhje në mes vizitës së tijë në kryeqytetin e neo/perandorisë  dhe shtyrjes së privatizimit të kompanisë më të madhe publike. Vendi mik i cili me një urë gjigante lidhë brigjet e Bosforit dhe të dy kontinenteve, po na lidhë sërish në një përqafim plot nostalgji kësaj radhe jo me shpatë por me xhirollogari. Me pare! Miti për Ali Pashën tingëllon ende frikshëm, si simbol i një dashurie të pafat politike: “Kokën në Stamboll, trupin në Janinë!”

Një cub mali që bëhet pasha dhe që rrebelohet nën ndikimin e oksidentit!
Por,mbase nuk ka  kurfar lidhje mes këtyre dy ngjarjeve, mbase mund të jetë vetëm një koincidencë, një (mos)përputhje e rastit në mes të krizës politike dhe krizës  me procesin e privatizimit i cili i ka hipur breshkës! Në fakt ka shumë mjegull, e tym ! Djegun sytë nga tymi,ndërkohë që pakë kush e sheh qartë rrjedhën e milionave të shmangur nëpër llogaritë, rruga e të cilave ndërprehet  vetëm te te njerëzit e afërt  të qeverisjes dhe te avokatët që kanë fituar famë dhe pasuri duke mbrojtur qeverisjen. Ndërkohë, sistemi sado primitiv që duket, është treguar funksional! Vetëm nga ana e jashtme duket se mungon imagjinata.Por ata janë praktik. Nuk u duhet imagjinata!

“Paratë e ryshfetit u dhanë në thes të bërllogut!”, “Paratë derdhën në tri konto”! Tituj gazetash, fjalë kafesh dhe deklarata  të cilat i dëgjojnë të gjithë dhe të cilat i kanë kuptuar edhe fëmijtë. Qy, në thasë llastiku! Por jo,sistemi i drejtësisë,jo! Nuk e ka kuptuar ende! Ende, vazhdojnë të heshtin në përqafimin paralizues të politikës.

E negociatat korruptive vazhdojnë para syve tanë! Populli po brengoset mos po mbesim fare pa pasaporta. Po mbesim kësajde, në këtë mrekulli ekonomike, ruejna zot! Përfolet se krejt kjo tollovi është bërë se paratë nuk kanë mbërri te vendi! Nuk janë brengosë njerzit se janë grabitur paret e tyre, por se nuk kanë mbërri te vendi! Po mbesim pa pasaporta! Ah,paratë, paratë, paratë!

E ministri i fjalëve, fjalëve të brendshme, po bënë sheti dhe fotografohet nga paparacët tonë amatorë nëpër  qytetet e mëdha europiane, ndërkohë që zjarri i aferave në vend nuk shuhet. Ik pak, shetitu, i paskan thanë, derisa të qetësohet puna!

 E populli në mungesë të pushtetit po e merr përgjegjësinë në dorë! Me bagera e me protesta! Edhe një dorë tinzare, e parë tashmë në këto anë që nga koha e “ndodhjes së popullit” po përzien përsëri nëpër varreza dhe po provon me ja ndërrue kombësinë Kontit Drakulla! Por është film i parë tashmë! Edhe ndërkombëtarët kanë filluar turneun e diferencimit në përkrahje të bisedave me çdo kusht! Më shumë po brengosen për gurë varresh se për të gjallët! Edhe ashtu spo dijnë çka me ba me këta të gjallë, as mish as peshk! Konfuzion në zemrat dhe kokat e përfaqësuesve ndërkombëtarë!

Shteti, shteti i partisë, në vigjilje të kongresit, i përfshirë në kriza e ka kuptuar se s’ka përpara kujt të japë llogari. S’ka pse! Pjesa dërmuese e punonjësve civil, në tri levat e ndara të pushtetit, janë pjesa më vitale e partisë. Partia i ka shti në punë! Edhe kompanitë publike tashmë janë familjare!

Edhe partia-shtet zyrtarisht e ndërroi ideologjinë! Sa ishin të varfër, ishin të majtë! Tash që kanë bërë pasuri, shumë pasuri, tash u bënë të djathtë. Qendra e djathtë! Kur të kryhen privatizimet do të bëhen taman të djathtë! Ndërkohë, në kongres, kryetari nënqeshet derisa askush nuk ka kurajo të dalë kundërkandidat. Ai vet e propozon edhe listën për organin më të lartë të partisë. Pse me u lodhë kongresi me propozime! Ai do t’i caktojë edhe kryetarët e mbetur të degëve. Ai është partia. Ai është vetë shteti! Po thuhet se, tani për tani, kështu po e don, “Olimpi”! 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button