Osmani: Donacionet për BDI-në, gabim teknik i Revizionit

Sipas dokumentit publik të Entit shtetëror për revizion (ESHR), ndërmarrjet publike, institucionet shtetërore dhe komunat rezultojnë të jenë financues të Bashkimit Demokratik për Integrim. 

Përpos emrave të individëve dhe sasisë së parave që ata kanë dhënë për BDI-në, në këtë dokument për vitin 2011 gjenden dhe Parlamenti i Maqedonisë, Ministria e bujqësisë, Agjencia për patundshmëri, Shtëpia ndëshkimore në Strugë, Komuna e Çairit, Komuna e Vrapçishtit, Komuna e Likovës, Sh.A “Postat e Maqedonisë” dhe të tjera.

Ligji për financimin e partive politike kërkon që partitë të jenë transparente dhe të dorëzojnë raport për donatorët e tyre të cilët mund të jenë të ndryshëm. Mirëpo, në këtë rast bëhet fjalë për para të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike, para që merren nga tatimet e banorëve të Maqedonisë andaj Portalb iu drejtua zëdhënësit të BDI-së Bujar Osmani.

”Si është e mundur që institucionet dhe ndërmarrjet publike të jenë financues të një partie politike, si e kanë zgjedhur BDI për ti donuar para?” pyetëm Osmanin.

Ai tha se bëhet fjalë për gabim teknik që është bërë gjatë fotokopjimit në ESHR. 

“Ne e kemi origjinalin e formularëve. Institucionet nuk kanë donuar. Në formularin për donacione qëndron edhe vendi ku është i punësuar personi i cili në bazë të ligjit ka donuar. Për shembull nëse X personi ka donuar, në formular qëndron dhe vendi ku punon ai. Por kjo nuk do të thotë se institucioni ku ai punon është donator por personi ka dhënë para nga mjetet e veta dhe është i punësuar në institucionin përkatës” deklaroi për Portalb, Bujar Osmani.

Megjithatë, mbetet e paqartë si mund një gafë aq e madhe në këtë mënyrë, ti ik Entit për revizion?  Pse atëherë shumica e individëve janë shënuar vetëm me emra dhe nuk e kanë të shënuar vendin e punës?  Së shpejti do të sigurojmë prononcime nga ky institucion. 

Ndryshimi i fundit i Ligjit për financim të partive, e obligon Entin të kryejë kontroll të llogarive partiake dhe qarkullimin e parave partiake. Në vitin 2011 prej 55 partive të regjistruara politike Enti kontrolloi vetëm 10, ndërsa vitin e kaluar fare nuk u bë revizion i qarkullimit të parave të ndonjë partie politike.

Mirëpo, edhe pse ESHR përgatit raporte ku harxhohen paratë publike, raportet e tyre nuk diskutohen Kuvend. Deputetët e mazhorancës ndaluan këtë para disa viteve, në këtë mënyrë nu respektohet rekomandim i Komisionit Evropian i cili është  të shqyrtohen raportet e revizionit.

Ndërkaq, sipas hulumtimit më të ri të Iniciativës për buxhet të hapur (Open Budget Initiative) për vitin 2012, Maqedonia dita ditës po bëhet më jo-transparente dhe jep të dhëna minimale sa i përket informimit të opinionit për atë se si dhe ku i harxhon paratë e buxhetit shtetëror.

Kliko për të parë dokumentin e ESHR,  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button