Gruevski: do të punojmë për ti përforcuar sa më shumë lidhjet me Serbinë

Kryeministri i Maqedonisë dhe ai i Serbisë, Nikolla Gruevski dhe Ivica Daciq mbrëmë në akademinë solemne të mbajtur në Shkup me rastin e festës së Shën Savës u betuan se do të përforcojnë marrëdhëniet mes Serbisë dhe Maqedonisë.

Gruevski është betuar se Qeveria do të kujdeset për integrimin e mëtejmë të banorëve serb të Maqedonisë në këtë shoqëri. 

“Respekti dhe vlerësimi ynë i ndërsjellë, bashkëpunimi ynë dhe lidhjet që kanë ekzistuar mes popullit maqedonas dhe serb, kanë qenë gjithnjë përparësia jonë të cilën duhet ta kultivojmë me përkushtim, dhe që jep kontribut serioz në ndërtimin e një ardhmërie më të mirë për dy popujt tanë” tha në fjalimin e tij Gruevski.

“Të gjithë së bashku do të vazhdojmë të punojmë për ta përforcuar bashkëpunimin tonë të mëtejmë në planin politik dhe ekonomik” potencoi kryeministri maqedonas.

“Populli serb është pjesë e pandarë dhe me vlerë e mozaikut multi-etnik dhe multi-kulturor të Maqedeonisë” tha mes tjerash Gruevski.

Daciq në fjalimin e mbajtur me këtë rast tha se Serbia është e interesuar për marrëdhënie të mira me Maqedoninë dhe se nuk ka asnjë pretendim territorial ndaj fqiut jugor të saj.

“Ne jo vetëm që nuk kemi pretendime territoriale, por ne do të vazhdojmë të jemi miqtë më të mirë të maqedonasve dhe të Maqedonisë”, ka deklaruar Daçiq.

Nga partia shqiptare në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim, thanë se vizita e Daciq pas largimit me dhunë të përmendores së UÇPMB-së në Preshevë, nuk kontribuuon në përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button