Ivanov propozon komision, Cërvenkovski refuzon

Sot presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov ka vendosur të merr iniciativë për formimin e një komisioni objektiv dhe jopartiak të ekspertëve për zbardhjen e dhunës së 24 dhjetorit në Parlament.

“Nevojitet të gjithë së bashku të investojmë përpjekje maksimale që ta korrigjojmë imazhin negativ i cili u krijua për Republikën e Maqedonisë” shkruhet në kumtesën e presidentit Në këtë moment nuk shoh ndonjë mënyrë tjetër për konfirmimin e fakteve dhe shqyrtim objektiv të situatës. Sfidat të cilat na u imponuan si shtet dhe të cilat qëndrojnë në rrugën e përparimit duhet të tejkalohen, që të mos realizohen pikëpamje për ardhmërinë tonë të cilat, askujt, i cili e dëshiron më të mirën e Republikës së Maqedonisë nuk i shkon në dobi” shkruhet në letrën e Ivanov që e ka dërguar te Veljanoski, Gruevski dhe Cërvenkovski.

Sipas iniciativës, Komisioni do të ketë pesë anëtarë, prej të cilëve një ekspert do të propozohet nga presidenti i shtetit, një nga shumica qeveritare, dy nga opozita dhe një ekspert i huaj pa të drejtë vote i cili do të propozohej nga kryetari i Kuvendit. Kryetari i komisionit do të propozohej nga shefi i shtetit, por i zgjedhur me konsensus. Komisioni do të ketë mandat që vetëm t’i konfirmojë faktet për ngjarjet e 24 dhjetorit të vitit 2012, por edhe ngjarjet të cilat paraprinë atë ditë.

Por, lideri i LSDM-së Branko Cërvenkovski ka refuzuar kërkesën e presidentit.

“Për fat të keq, propozimi juaj për formimin e komisionit të ekspertëve për vërtetimin e fakteve, e vlerësojmë si një tentim që të shtyhet ballafaqimi i pushtetit aktual me përgjegjësinë personale, dhe për këtë arsye për ne është i pa pranueshëm. As opinionit vendor e as atij ndërkombëtar nuk i nevojiten komisione që të vërtetohen faktet, pasi incizimet me të vërtetën për shkeljen e procedurave , rregullores, ligjeve , Kushtetutës dhe suspendimit të demokracisë parlamentare nga ana e pushtetit, tashmë i pa tërë bota’, ka shkruar mes tjerash Branko Cërvenkovski në përgjigjen e tij ndaj Ivanov. 

Ditë më parë edhe partia e Rufi Osmanit ka kërkuar zbardhjen e rastit të 24 dhjetorit duke formuar një komision parlamentar. Nga kjo parti thanë se me këtë qëllim kanë ndërprerë bojkotin ndaj Parlamentit. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button