Cilit do t’ia jepni votën tuaj?

Kam thënë dhe qëndroj pas saj, se partitë politike janë firma personale të njerëzve të korruptuar, dyftyrshëve, tradhtarëve, hajdutëve, manipuluesve, më së shumti që pësojnë nga këto parti, janë njerëzit naiv, me qëllim të mirë, duke menduar se përkrahja e njërës është më e mirë se mos përkrahja e asnjërës.

Kur afrohen zgjedhjet, merren lopatat, përvishen krahët dhe dalin në teren, zgjohen nga gjumi qentë, të cilët nuk lehnin në kohët e vështira, në ditët kur në lagjet tona mungonte ndriçimi, asfalti, në ditët kur papunësia nuk kishte numër që mund të definohej, në ditët kur kaurët luanin me neve, me nderin tonë, me personalitetin e njerëzve që vetë, firmat personale (partitë) i quanin njerëz të mëdhenj. Dhe ja tash, atmosfera e zgjedhjeve po afrohet, fillon fushata e patriotizmit, njëri legjendë e tjetri tradhtarë, njëri besnik e tjetri gënjeshtarë, njëri ekonomist, tjetri i dështuar, lloj-lloj akuzash, që nuk kanë fund.

Më keq e kanë populli i thjeshtë, të cilët nga varfëria dhe tmerri që e jetojnë për çdo ditë, nuk mund të vendosin se për cilin do të votojnë, a të votojnë për njërin apo për tjetrin, apo të mos votohet hiç, cila është zgjidhja më e mirë?

Ndoshta do të akuzohem se nuk kam kurrfarë autoriteti të shkruaj, ndoshta do të më thonë çmos, por me një çështje, do t’ua mbylli gojët armiqve keqdashës, jam krenarë se asnjëherë nuk e kam legjitimuar ndonjë zullumqarë, asnjëherë nuk kam votuar dhe çdoherë kam ndërgjegje t’i kundërshtojë të gjithë tiranët partiak, të cilët nuk lanë më çështje nderi apo pasurie të cilën mund ta mbron njeriu i thjeshtë.

Por, cilin do ta votoni? 

A do ta votoni një njeri i cili asnjëherë nuk ka qenë në lagjen tuaj të sheh se në çfarë kushte jetoni? Apo do të votoni për një njeri i cili si një profesor i thjeshtë, u bë njeri që buxheti i tij u rit me një rrogë normale për të ndërtuar shtëpi dhe dyqane?

A do të votoni njerëz që rrinë në një tavolinë me armiqtë e të drejtave tua, buzëqeshin dhe ushqehen bashkë, pinë qumështin e një nëne, e quajtur shpinë e popullit (buxheti), e thithin gjirin e nënës në mënyrë të korruptuar (tenderat), ndërkohë që neve, fletoret nëpër dyqanet e lagjes, na janë mbushur përplot me borxhe, për harxhimet e përditshme.

A do të votoni njerëz që dolën nga pjella e partive që nuk i lanë edhe gjërat e shenjta rehat, siç janë nderi dhe simbolet fetare,  a do të kënaqeni t’i legjitimoni padrejtësitë, a do të rehatoheni që të pajtoheni që vota juaj t’u thotë se “po, me të vërtetë ju mirë keni vepruar”.

A do ta legjitimoni përsëri vjedhjen e pasurisë tonë, që ua mbushi xhepat përplot me të holla, që nuk lanë ndërtesë në qytetet shqiptare, e që ata mos të kenë përqindje të vjedhjes, ndërkohë që ne ende kemi problem me faturat e rrymës, që vijnë 2 herë më shtrenjtë se ndihma e quajtur sociale?

A do të votoni njerëz që përkrahin parti të kaurëve kur votohet buxheti në të cilin kanë pjesë populli jonë, apo do të votoni njerëz që edhe kur bojkotojnë, bojkotojnë për interesat e tyre personale, që është dëshmuar se fare nuk u intereson populli.

Më tregoni, bëhuni të sinqertë, a e meritojnë? A e meritojnë copën e letrës që e legjitimon zullumin dhe vjedhjen e tyre në vitet e ardhshme.

Nuk mjaftoi me kaq, kanë përlyer shumë hoxhallarë dhe xhamia, dhe tash, para zgjedhjeve, do t’i shohësh se pa kurrfarë skuqje të fytyrës, hoxhallarët që deri dje përkrahnin njërën, tash dalin në tjetrën parti, duke mos e pranuar faktin se nuk kanë kapacitet për vlerësimin e partive, i sheh se si kanë mbetur si jetimë që kanë qenë të shfrytëzuar nga qentë rreth tyre, që u mbushën me pasuri, ndërkohë që këtyre u ka mbet vetëm çallma e përlyer me korrupsion dhe hajdutllëqe në emër të fesë. Tash, do të vlojnë mimberat e xhamive duke e lavdëruar njërin e duke e sharë tjetrin, do të vlojnë mexhliset që në emër të muslimanëve ju tregojnë popullit të gjorë se cili duhet të votohet, që populli ta merr sevapin, ndërsa ata e hanë qebapin.

Do t’i shohësh partitë se si futen nëpër xhami dhe ua mbushin nxehjen e xhamisë me naftë, u ndreqin WC-ja, u rinovojnë gjëra, ndërkohë që pas zgjedhjeve, as fytyrat nuk ua sheh në xhami.

Pluhur shumë, dyshime të tepërta, por neve si popull, me sinqeritet të plotë, ka ardhur koha që t’i bojkotojmë edhe partitë, edhe anëtarët e tyre, por edhe hoxhallarët që janë përlyer me ngjyrat e partisë, që na tregojnë dobitë dhe dëmet e përkrahjes dhe nuk di çfarë tjetër.

Ne si popull, ka ardhur koha t’u themi se mjaft jemi shitur për një thes miell, për një pesëqind denarshe që na japin, që e shesim ndërgjegjen tonë për një shumë të hollave, ka ardhur koha që t’i bojkotojmë dhe mos t’ua varrim veshin, të distancohemi nga ata në mënyrë që të mbushen mend, t’u tregojmë se nuk jemi kukulla që tërë jetën tonë do të manipulojnë.

Dyshimi i fundit që mbet është pyetja e shumë të manipuluarve dhe dashamirëve të partive, që mundohen t’i zënë ngushtë popullin: Po nëse nuk e përkrahim shqiptarin, do të vjen shkau.

U themi: Këta tanët, janë bërë më zi se ata. Bile, ata na tregojnë se nuk na donë, se na urrejnë, ndërsa këta të ashtuquajtur shqiptar, na buzëqeshin në fytyrë, ndërsa na japin thikë në shpinë, e pastaj na varrosin duke na sjell lule tek varret dhe duke na lavdëruar, se kinse, kemi qenë burra të mirë…Mallkuar qofshin tradhtarët.

Lajme të ngjashme

Back to top button