Ndahen koncesionet për hulumtim të lëndëve të para minerale

Një kompani vendore do të kryejë hulumtime të hollësishme gjeologjike të lëndëve të para minerale në lokalitetin “Alshar” afër Kavadarit.

Kompania do të paguajë kompensim për koncesionin për këtë qëllim në vlerë prej 1.500.000 denarë. Oferta e kompanisë vendore ka qenë më e lartë nga gjithsej tre oferta që janë dorëzuar në thirrjen publike të shpallur nga mesi i nëntorit të vitit të kaluar, ku Qeveria kërkonte koncesionerë për hulumtimin e lëndëve të para minerale.

Nga tre ofertat e dorëzuara për “Alshar”-in, krahas kompanisë së Maqedonisë, është edhe një kompani e përzier me kapital vendor dhe të huaj, dhe një tjetër me kapital të huaj.

Ministri i Ekonomisë Valon Saraçini, në konferencën e sotme për shtyp informoi se në thirrjen përmes të cilës për hulumtim janë ofruar 61 lokalitete, janë dorëzuar oferta për gjithsej 49 lokalitete. Për lokalitetet për hulumtim të lëndëve të para minerale jometalike janë dorëzuar oferta për 17, ndërsa për lëndë të para minerale metalike për 28 lokalitete. Oferta janë dorëzuar për të gjithë katër lokalitetet që janë ofruar në thirrjen për gurë për zbukurim, ndërsa nuk ka asnjë ofertë për koncesionin për hulumtim të ujit gjeotermal.

Ofertat për të gjithë lokalitetet janë nga 20 kompani prej të cilave nëntë janë të huaja. Sipas bazës së kompensimit për koncesion për hulumtime të hollësishme gjeologjike do të paguhen 44 milionë denarë. Nga këto të holla, në pajtim me Ligjin për lëndë të para minerale, 78 për qind do të jenë përfitim për buxhetin e komunës në territorin e të cilit do të kryhet veprimtaria e koncesionit, ndërsa 22 për qind për Buxhetin shtetëror.

Sipas Saraçinit, thirrja përmes të cilët Qeveria kërkonte koncesionerë për hulumtim të lëndëve të para minerale në 61 lokalitete është më e madhja deri tani dhe paraqet masë për nxitje të zhvillimit të kësaj sfere dhe të gjithë ekonomisë.

“Përmes Ligjit të ri për lëndë të para minerale krijuam kushte për zhvillim të qëndrueshëm të sektorit të minierave dhe rritje të hyrjes së investimeve duke i shkurtuar dhe thjeshtësuar procedurat”, theksoi Saraçini.

Kompanitë që kanë dorëzuar oferta për hulumtim të lokaliteteve duhet që në afat prej 30 ditësh t’i paguajnë mjetet që i kanë ofruar në thirrjen publike. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button