Subrata Roj, një zhvatës kriminel dhe mashtrues?

Multimiliarderi nga India, Subrata Roj erdhi në Ohër për të ndërtuar një sërë objektesh për rekreacion duke e quajtur projektin “Macedonia Saharian” . Ai ka blerë hotelin “Sllavia” në Ohër.

Por, sipas medieve internacionale, ai është akuzuar për abuzim të shumave të mëdha të parave dhe ka dëmtuar financiarisht shumë njerëz. 

“Pas aktiviteteve mashtruese në Indi, Sahara Grup hyri në Bangladesh, duke vendosur relacione afariste me njërin nga anëtarët e “Familjes speciale” në vend. Subrata Roj tashmë ka vizituar Bangladeshin dhe kërkoi nga Qeveria e atjeshme blerjen e truallit të lirë për ndërtimin e qytetit satelitor në Bangladesh…Kjo nuk është asgjë tjetër përveç se edhe një mashtrim i famëkeqit Subrata Roj Sahara”.

Duke komentuar propozimin investues të Subrata, drejtori i kompanisë kryesuese për prona të patundshme në këtë vend deklaroi: 

“Subrata Roj Sahara nuk erdhi në Bangladesh për të investuar, por për të vjedhur të mirat publike, duke u dhënë njerëzve shpresa të rrejshme se do të fitojnë toka apo banesa. Ata janë zhvatës kriminel dhe mashtrues, të cilët menjëherë duhet ndalur në mashtrimin e njerëzve të pafajshëm” 

Kjo është një pjesë e tekstit të javores Weeklyblitz të botuar në qershor të vitit të kaluar, ku shkruante për aktivitetet e dyshimta të multimiliarderit.

Më tej, një shkrim për Subrata Roj është paraqitur para ca muajve në prestigjiozen Reuteurs. Duke e quajtur investimin e tij misterioz, shkruhej se ky multimiliarder më 31 gusht nga Gjykata Supreme në Indi fitoi aktvendim prej 270 faqeve sipas të cilit doemos duhet t’ua kthejë 4.5 miliardë dollarë rreth 30 milionë qytetarëve të mashtruar, të cilëve ua mori përmes shitjes së letrave me vlerë.

Por aktivitetet e tilla të këtij biznesmeni indian i cili ndiqet për kriminalitet, nuk shqetësojnë Qeverinë e as atë personalisht. Ministri i Financave, Zoran Stavrevski deklaroi dje se me këtë gjë duhet të merret sistemi juridik indian, e jo ai maqedonas.

“Investimi indian është duke u planifikuar, deri më tani gjithçka është në rregull. Gjithçka tjetër është sistem juridik dhe rregullativë e Indisë. Neve na intereson që ai të investojë në atë që do të merremi vesh”, tha ai për TV Telma.

Ndërsa vetë Roj u shpreh para medieve se shkrimet janë kurthe të konkurrencës.

A thua vallë ka rrezik për tu përsëritur afera me Swedmilk të cilën Qeveria e paralajmëroi me aq pompozitet, por doli një fiasko totale sepse investitori mori paratë dhe iku, pësuan punëtorët që mbetën pa leverdinë e tyre?!

Të brengosur janë vetëm banorët e Lubanishtës ku do të ndërtohet ky kompleks objektesh. Ata për A1on komentuan se askush nga Qeveria nuk ka biseduar me ta për truallin i cili është në pronësi private dhe se frikohen që nuk do të marrin asnjë denar për atë truall i cili do të merret me eksproporcion. 

“Deri në këtë moment nuk ka asgjë ftesë për takim, të gjithë veç e veç jemi të interesuar, pyesim”, thekson një banor i Lubanishtës. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button