Qeveria mbyll gojën për harxhimin e parave publike

Maqedonia dita ditës po bëhet më jo-transparente dhe jep të dhëna minimale sa i përket informimit të opinionit për atë se si dhe ku i harxhon paratë e buxhetit shtetëror. 

Për vitin 2012, Qeveria publikisht nuk ka dalë me informatë në lidhje me atë se çfarë do të përmbajë buxheti i ardhshëm si dhe nuk ka bërë publike parametrat e përgjithshme të propozim buxhetit të cilin ia ka prezantuar Kuvendit. Kështu tregojnë rezultatet e hulumtimit më të ri të Iniciativës për buxhet të hapur (Open Budget Initiative) për vitin 2012.

Sipas tyre, Maqedonia gjendet në grupin e shteteve të parafundit (me vlerë të Indeksit 35) të cilat japin informata minimale për procesin dhe dokumentet e buxhetit dhe zë vendin e 68 nga gjithsejtë 100.

“Nuk është bërë publik asnjë prezantim jo-teknik përpara qytetarëve për ti informuar ata për planet e qeverisë se si do ti harxhojë paratë publike” shkruhet më tej në raport.

Sipas hulumtimit në të cilin ka kontribuuar Qendra për analiza ekonomike Maqedoni, nëse bëjmë një krahasim nga analiza e viteve të kaluara në vitin 2008 dhe 2010 shihet se Maqedonia atëbotë ka qenë në grupin e shteteve që mesatarisht japin të dhëna për buxhetin.
 
“Duke filluar nga viti 2008, indeksi i transparencës së Maqedonisë vazhdimisht bie dhe atë nga 54 në vitin 2008 në 35 në vitin 2012. Maqedonia dhe katër vende të tjera në botë janë në grupin e shteteve që kanë shënuar rënie më të madhe në indeksin e transparencës ” shkruhet në analizën e QAE.

Maqedonia gjendet në një grup me Angolën, Republikën Dominikane, Serbine, Trinidad dhe Tobago, Burkina Faso, Ekuador, Liban, Maroko dhe tjera. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button