Kotësia e padive për mospërdorimin e gjuhës shqipe

Shqiptarët në Maqedoni janë në gjendje të mjeruar. Mjerimin e tyre e has kudo, në çdo sferë të jetës materiale, përveç nëse bëhet fjalë për shqiptarët që janë pjesë e pushtetit. Megjithatë, mjerimi më i madh i shqiptarëve në Maqedoni është mjerimi i tyre intelektual, mjerimi i mbushjes me letra-diploma që nuk vlejnë asgjë, mjerimi i vlerave, të cilin si rregull e has edhe te shqiptarët që janë pjesë e qeverisë.

Ditëve të fundit mediat në gjuhën shqipe janë marrë me mospërdorimin e gjuhës shqipe në qytetin e Shkupit. Dhe në vend që kjo çështje të përbëjë shqetësim për ata që i përfaqësojnë shqiptarët në qeverisje, gjuhës shqipe të katandisur si mos më keq, i ka mbetur t’ia “mjekojnë plagët” vetëm mediat dhe OJQ-të. Sado që për këtë gjuhë u derdh gjak në luftën e vitit 2001, ata që erdhën në pushtet në emër të gjakut të derdhur nuk bëjnë gjë tjetër pos që marrin rrogën, duke e shkuar kohën kot nëpër zyra. Atyre nuk ju bën përshtypje asgjë. Ata kanë zhytur kokën si struci dhe për ta çdo gjë është në rregull. Gjuha shqipe sot është gjuhë jetime. Atë nuk ka kush ta mbrojë, atë ka vetëm kush ta poshtërojë.

Dhe në këtë katrahurë antivlerash, tashmë është bërë normale që çdo poshtërim kombëtar, përfaqësuesit shqiptarë në pushtet ta kalojnë pa shumë shqetësim, duke mbyllur sy, veshë e gojë, si një zhvillim normal përditshmërie. Në anën tjetër të kësaj shurdh-memecërie, të bie në sy naiviteti dhe jo serioziteti i ankesave të shqiptarëve të tjerë, të cilët jo vetëm që kanë gabuar adresën në të cilën ankohen, por kanë gabuar edhe formën me të cilën ankohen. Këtu e kam fjalën për zhurmën e madhe të krijuar me lajmet se një OJQ paska ngritur padi ndaj drejtorëve të ndërmarrjeve publike të Shkupit.

Të mos keqkuptohemi, prezenca dhe veprimtaria e OJQ-ve (sidomos e atyre që nuk janë mbështetëse të partive politike në pushtet) është e mirëseardhur, por vetëm zhurma se po bëhet diçka, nuk mund të përbëjë zgjidhje për moszgjidhjen e problemeve e as nuk mund të zëvendësojë inekzistencën e veprimit të atyre shqiptarëve që u është dhënë mandati për të vepruar duke qenë pjesë e pushtetit.

Përshtypjet e gabuara dhe keqkuptimet në opinionin publik e kanë bazën në interpretimin e gabuar të nenit 138 të Kodit Penal, i cili aspak nuk mund të përbëjë bazë për ngritjen e padive për mospërdorimin e gjuhës shqipe nga ndërmarrjet publike të qytetit të Shkupit. Pretendimet se mund të ngrihet padi për çështjen në fjalë bazuar në këtë nen janë iluzore. Kapja pas këtij neni që ka krejt tjetër kuptim dhe qëllim vetëm sa evidenton mungesën e mbrojtjes ligjore të përdorimit të gjuhës shqipe dhe mosndëshkimin e mospërdorimit të saj. Konkretisht neni 138 i Kodit penal shprehet se (citoj): ”Ai që do t’ia marrë ose kufizojë qytetarëve të drejtën e garantuar me kushtetutë, ligj, apo marrëveshje të ratifikuar ndërkombëtare përdorimin e gjuhës dhe shkrimit, do të dënohet nga 3 muaj deri në 3 vjet burg.

Nëse vepra e paragrafit 1 kryhet nga personi me detyrë zyrtare, ai do të dënohet me burg nga 6 muaj deri në 5 vjet.”

Sado që Kodi penal i RM-së ka pësuar shumë ndryshime dhe plotësime, neni në fjalë është pjesë e këtij kodi që në versionin e tij fillestar, të hyrë në fuqi në 6 gusht të vitit 1996, pra shumë më herët se të ndryshohet kushtetuta në vitin 2002 dhe pastaj të miratohet ligji aktual për gjuhët e bashkësive etnike në vitin 2008.

Ky është vetëm një tregues indirekt i fushëveprimit tjetër të këtij neni, megjithëse hyrja e tij në fuqi shumë më herët, nuk mund të jetë pengesë për mbulimin edhe të gjuhëve të bashkësive të rregulluar me ligj shumë më vonë. Neni në fjalë nuk dënon mospërdorimin e një gjuhe dhe përmbajtja e tij ka të bëjë vetëm me marrjen (heqjen) ose kufizimin e përdorimit të një gjuhe.

Mospërdorimi është veprim i ndryshëm nga marrja e të drejtës (ndalimi) ose kufizimi (vini re se si neni precizon edhe marrjen e të drejtës edhe kufizimin si dy veprime, sepse në rast të një formulimi ndryshe, me këtë nen mund të dënohej vetëm marrja (heqja) e së drejtës por jo edhe kufizimi i saj). Mospërdorimi i një gjuhe është veprim i një individi/subjekti, i cili nuk ndërhyn direkt në zgjedhjen/veprimin e një personi/subjekti tjetër, ndërsa marrja e së drejtës ose kufizimi i përdorimit të gjuhës së tjetrit është një veprim direkt i një personi/subjekti që ndërhyn në veprimin e palës tjetër.

Në mënyrë analoge: mos ofrimi i ushqimit nga një person për një person tjetër është krejt veprim tjetër nga marrja (ndalimi) ose kufizimi i së drejtës për tu ushqyer nga një person për personin tjetër në fjalë.

Qëllimi i këtij neni është dënimi i ndalimit dhe kufizimit të përdorimit të gjuhës dhe shkrimit të garantuar nga kushtetuta, ligji apo marrëveshjet ndërkombëtare. Kjo në radhë të parë ka të bëjë me mos ndalimin dhe mos kufizimin e përdorimit privat të gjuhës d.m.th. në shtëpi, rrugë, shoqëri, kafene, etj., gjë që në të kaluarën ka qenë praktikë në disa vende (psh. ndalimi dikur i përdorimit privat të gjuhës kurde në Turqi edhe në ambiente si rrugë, kafene, etj.).

Në këtë kuptim, vini re se ky nen nuk flet për mos ndalimin dhe mos kufizimin e përdorimit të gjuhëve zyrtare, por të cilësdo gjuhe! Fushëveprimi i këtij neni përfshin edhe mos ndalimin dhe mos kufizimin e shprehjes në gjuhën amtare nga një i akuzuar gjatë procedurës gjyqësore (cilado qoftë ajo gjuhë, jo vetëm maqedonisht apo shqip, por edhe portugalisht apo arabisht, përmes një përkthyesi), sepse në të kundërtën në pamundësi të njohjes së gjuhës zyrtare të vendit, do të bëhej shkelje e rëndë ligjore duke i hequr të pandehurit të drejtën e mbrojtjes së tij.

Neni në fjalë (neni 138) dënon edhe ndalimin dhe kufizimin e përdorimit të gjuhës shqipe nga individët/subjektet, në ato raste kur kjo gjuhë lejohet nga legjislacioni aktual, por nuk dënon mospërdorimin e gjuhës shqipe e as asaj maqedone nga individët/subjektet e tjerë, p.sh. neni në fjalë mund të përbëjë bazë ligjore për dënim nëse një personi i ndalohet që t’i drejtojë një ministrie letër në gjuhën shqipe por jo edhe nëse ministria nuk i kthen atij përgjigje edhe në gjuhën shqipe, sado që kushtetuta dhe ligji përcaktojnë se ministria përkatëse përgjigjen duhet ta kthejë në dy gjuhë, por nuk parashikojnë norma ndëshkuese nëse kjo nuk bëhet.

Edhe në këto raste, që të shqiptohet dënimi, përveç ndodhjes së veprës realisht, duhet të provohet me fakte në gjykatë ndodhja e saj. Sado që do të përbënte shkelje ligjore p.sh. nëse një ministër shqiptar do të komunikonte përmes shkresave me një shkollë maqedone vetëm në gjuhën shqipe, ndërsa shkolla do ja kthente shkresat e saj në maqedonisht, kjo nuk do të përbënte bazë ligjore që ai të dënohej për ndalim ose kufizim të përdorimit të maqedonishtes, në bazë të nenit 138 të Kodit penal.

Thënë shkurt, sado që ekziston detyrimi ligjor për përdorimin edhe të gjuhës shqipe, mospërdorimi i gjuhës shqipe nga ndërmarrjet publike të Shkupit nuk përbën vepër penale të bazuar në nenin 138 të Kodit penal, sepse për mospërdorimin e gjuhës shqipe aktualisht në legjislacionin e Maqedonisë nuk parashihen kurrfarë masash ndëshkuese.

Nga ana tjetër është absurd që qytetarët shqiptarë të ankohen ligjërisht vet si individ apo grupime private, ndaj veprimeve të maqedonëve, për çështje të cilat përbëjnë detyrim për përfaqësuesit e tyre, si në pushtetin lokal ashtu edhe në atë qendror.

Është jo shumë logjike që OJQ-të, por edhe individët e ndryshëm, të merren me drejtorët maqedon të ndërmarrjeve publike, në kohën kur ata kanë përzgjedhur dhe obliguar përfaqësuesit e tyre që t’i zgjedhin këto probleme që kanë të bëjnë me shqiptarët. Adresa e duhur për ankesa në këtë rast do të duhej të ishte Zv. Kryeministri përgjegjës për zbatimin e MO-së (megjithëse nuk është fort e qartë se me çfarë pune merret konkretisht ai), Ministri i drejtësisë dhe ministrat, deputetët dhe këshilltarët e tjerë shqiptarë.

Aq më pak ka logjikë që organizata ’Zgjohu’ të merret me drejtorët maqedonë të ndërmarrjeve publike, ndërkohë që ish-kryetari i saj i pavarur, tashmë është i varur politikisht nga partia shqiptare në pushtet dhe kryen detyrën e shefit të kabinetit dhe këshilltarit të kryetarit të partisë shqiptare në pushtet, BDI.

Ngritja e padive si këto të fundit të kujton shprehjen: ”kur nuk ke punë, e luan derën”, ndërkohë që problemi konkret mund të zgjidhet përmes presonit politik ndaj palës maqedone, nga partia shqiptare pjesëmarrëse në qeveri, ose përmes miratimit të një ligji që do të dënonte mospërdorimin e gjuhës shqipe nga institucionet shtetërore, në rastet e përcaktuar me ligj.

Fatkeqësisht ky është edhe një shembull tjetër se gjuha shqipe në Maqedonia po rezulton si historia e gjelit që përfundoi vetëm një thelë, ngaqë të gjithë me radhë po i hanë nga një copë – MO-ja, Kushtetuta, ligji, aktet nënligjore, statutet e institucioneve, drejtori, nëpunësi e deri te portiri.

Gjuha është pasuria më e madhe e një populli. Në rastin e shqiptarëve ajo është dëshmi e fortë e autoktonisë së tyre. Fakti se gjuha shqipe flitet vetëm nga shqiptarët dhe nuk flitet në asnjë vend tjetër të botës dhe fakti se ajo është krejt e veçantë dhe nuk ngjan aspak me asnjë gjuhë tjetër në botë, është dëshmia më e mirë se shqiptarët kanë qenë gjithmonë të pranishëm në këto hapësira dhe nuk kanë ardhur nga ndonjë vend tjetër.

Asnjë popull tjetër nuk do të lejonte që t’i përdhosej kaq keq gjuha e tij. Fatkeqësisht, shqiptarët në Maqedoni po dëshmojnë se nuk janë popull, por tërësi individësh me interesa personale të ndryshme. Ata po tregojnë se nuk ju intereson aq shumë përfaqësimi i të drejtave dhe interesave të tyre të përbashkëta, por kënaqen dhe mjaftohen me përfitime e privilegje personale!

Lajme të ngjashme

Back to top button